Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur rrëfimi i një gruaje që ka kaluar shumë dhe ende vuan pasojat e një konflikti të rëndë për çështje pronësie. Shqipe Koleci, 52 vjeçe nga Manza e Durrësit është përballur me kunatën e saj. 6 vjet më parë dy familjet kanë pasur një konflikt i cili ka ardhur pasi kunati i saj ka pretenduar të hapë një rrugë në pronën e tyre.

Bashkëshorti i Shqipes e ka lejuar të vëllain të kalojë në pronën e tij por ky i fundit ka pretenduar të hapë një rrugë, në kushte të tilla ka lindur edhe konflikti. Bashkëshorti i Shqipes, Medi Koleci nuk e ka lejuar të vëllain pasi prona është private dhe pasuria edhe mund të shitet.

Palët i janë drejtuar gjykatës dhe kjo e fundit e ka rrëzuar pretendimin e kunatit të Shqipes për të hapur rrugën në pronën e tyre.

Edhe Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Por duket se edhe pse gjykata i kanë dhënë të drejtë familjes së Shqipes, kunati nuk e ka zbatuar vendimin e Apelit. Ai ka hyrë forcërisht në pronën e vëllait duke e dëmtuar atë. Ndodhur në të tilla rrethana, bashkëshorti i shqipes ka denoncuar të vëllain 4 herë në prokurori.

“Prokuroria nuk e ka hetuar kurrë çështjen. Në 22 shtator të 2018 Inspektorati ndërtimor, Durrës, e ka quajtur pronën hapësirë publike edhe pse gjykata e ka vlerësuar si pronë private dhe ndodhur në të tilla rrethana kunati ka ndërhyrë duke hapur rrugën forcërisht. Ndaj ndodhi edhe sherri. Kur drejtësia nuk vihet në vend…”, tha Shqipja.

Sot 52-vjeçarja ka bërë apel për ndihmë që gjërat të mos shkojnë deri në vëllavrasje.

“Dy djemtë e mi ndodhen në burg pasi janë akuzuar nga kunata, për dhunë, ndërkohë që çështja është ende në hetim ata prej 9 muajsh janë prapa hekurave. Por ata nuk kanë bërë asgjë. Burri im është në arrati e djemtë nuk i lënë po nuk u dorëzua burri. Unë ju kërkoj ndihmë autoriteteve të bëhet drejtësi”, tha Shqipja.

Në emision ka folur në një lidhje telefonike edhe kunata e Shqipes, Qefsere Koleci. Ajo tha se është qëlluar nga kunati me sëpatë dhe se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.

“E dinë gjithë bota e komshinjtë masakrën që më është bërë nga Medi Koleci. Gjendja ime është shumë e rënduar. Nuk shkoj dot as në spital. Kam dëmtime në kokë, në krahë dhe në këmbë. Mediu më ka qëlluar me sëpatë. Shqipja gënjen se më ka goditur me sëpatë jo me lopatë”, tha ajo por nuk ngriti akuza ndaj djemve të kunatit që janë arrestuar dhe ndodhen aktualisht në burg.

Ndërsa Medi Koleci nga arratia tha se nuk dorëzohet në polici pa i liruar djemtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb