TIRANË

Nuk ka asnjë rrezik për Shqipërinë dhe konflikti Iran-SHBA do të zgjidhet në rrugë diplomatike. Kështu mendon ish-deputeti demokrat dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Aleksandër Biberaj. I ftuar në News24, në rubrikën “Opinion”, duke komentuar ngjarjet e fundit mes Iranit e SHBA-ve, Biberaj tha se rajoni nuk rrezikon që të ketë destabilitet.

“Mendoj që do të ketë një rrugë komunikimi, do të ketë një negociatë të mundshme në rrugë diplomatike për të shmangur luftën sepse lufta nuk ka të fituar në një farë mënyre dhe lufta ka kosto të jashtëzakonshme, aq më tepër një konflikt i armatosur në një vend që është vërtetë fuçi baruti do të përbënte një kosto globale të papërballueshme për planetin tonë. Rajoni nuk rrezikon që të ketë destabilitet. Dihet që Arabia Saudite është një partner i rëndësishëm i SHBA-ve dhe përpiqet që të luajë një rol dominues në rajon. Natyrisht që ka marrëdhënie shumë të mira me Kuvajtin, me Bahrejnin pse jo dhe me Emiratet e Bashkuara. Ka pasur probleme në marrëdhëniet me Katarin të shkaktuara nga raportet SHBA-Katar, por po të shikojmë aty ekuilibrat janë shumë të brishtë por kanë gati-gati një status quo permanente. Pra, nuk është se kemi zhvendosje të ekuilibrave apo zhvendosje të kontrollit. Edhe konflikti me Iranin mendoj që do të menaxhohet.
Duhet të kemi parasysh që aty përveç burimeve të energjisë kemi edhe problemet fetare të shkaktuara ndërmjet dy drejtimeve kryesore do të thosha të fesë islame që janë myslimanët syni me myslimanët shiitë. Irani dihet që është një vend që predominohet nga myslimanët shiitë por mendoj që raportet qoftë ato fetare, qoftë ato të interesave madhore do të tejkalohen nëpërmjet diplomacisë, nëpërmjet negociatave”, u shpreh Biberaj.

Ai tha më tej se sot në ‘SHBA ka pasur një zhvillim pasi kongresi amerikan në një farë mënyre ka votuar për të penguar veprimet e mëtejshme ushtarake të Donald Trump dhe ne natyrisht e dimë që fuqia e presidentit të SHBA-ve është e jashtëzakonshme por është një fuqi që kontrollohet nga kongresi dhe nga senati’.

“Kështu që qoftë urdhri për veprime ushtarake, qoftë urdhri për angazhime të tjera të karakterit militar mendoj që do të menaxhohet si nga Kongresi ashtu edhe nga Senati. Aq më tepër po të shikojmë edhe goditjen që i bëri Irani bazave ku presupozohet se kanë qenë amerikanët, kanë qenë ndoshta goditje tangenciale ose simbolike sepse fatmirësisht nuk kemi pasur dëme në njerëz por dëme materiale, kështu që duket sikur palët thjesht kërcënojnë njëra-tjetrën por rrinë në llogoret e tyre”, u shpreh më tej Biberaj, raporton “BalkanWeb”.

Ai e krahasoi situatën me atë mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut.
“Është një histori që më kujton edhe zhvillimet e fundit që kemi pasur 2-3 vitet e fundit ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë së Veriut. Kemi parasysh se çfarë tensioni mediatik dhe në fund pastaj palët u ulën, bënë dy takime në mënyrë që të kenë një ekuilibër forcash”, deklaroi Biberaj.

Ish-deputeti i PD tha se nuk sheh asnjë lloj rreziku për Shqipërinë pas deklaratave të liderit suprem të Iranit dhe se vendimi për të strehuar muxhahedinët është një vendim i drejtë.
“Nuk shoh asnjë lloj rreziku. Natyrisht është përmendur në një kontekst të caktuar sepse ne kemi rreth 3 mijë përfaqësues të opozitës iraniane që janë muxhahedinët të cilët janë opozitë e Iranit dhe patjetër me lidershipin politik të Iranit përmendet ky fakt por unë nuk shoh asnjë lloj rreziku sepse Irani para se të vijë në një goditje të mundshme në Shqipëri ka probleme dhe me vendet e rajonit, ka probleme me Izraelin, ka probleme me SHBA-të kështu që nuk shoh asnjë lloj rreziku për Shqipërinë. Është një vendim politik që e ka marrë qeveria e doktor Berishës përpara dhe pastaj numri nga 500 ka ardhur në 3000, kështu që mendoj nga kjo pikëpamje të gjitha partitë politike, të gjitha forcat janë dakord sepse ne jemi një aleat i rëndësishëm i SHBA-ve dhe dihet se çfarë kanë bërë ata për pavarësinë e Kosovës dhe raportet strategjike që kemi me to, kështu që mendoj se ka qenë një vendim i drejtë”, theksoi Biberaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb