Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është takuar sot me presidentin Isaac Herzog, pak përpara nisjes së tij drejt Uashingtonit, ku pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e presidentit Herzog, kreu i shtetit theksoi nevojën urgjente për arritjen e një përparimi në bisedimet për lirimin e pengjeve dhe në përpjekjet për një armëpushim në Rripin e Gazës.

“Unë i mbështes plotësisht këto përpjekje, edhe kur ato përfshijnë vendime të vështira, komplekse dhe të dhimbshme… Kostoja nuk është e lehtë, por jam i bindur se qeveria dhe forcat e sigurisë do të përballen me sfidën”,  deklaroi Herzog, sipas agjencisë italiane ANSA.

Netanyahu pritet të niset nga Izraeli sot në orën 17:00 me orën lokale, ndërsa takimi me Donald Trump është planifikuar të zhvillohet nesër në ora 18:30 sipas kohës së Uashingtonit. Megjithatë, ora e takimit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Gjatë mungesës së kryeministrit, qeveria izraelite ka konfirmuar se Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, do të veprojë si zëvendës i Netanyahu-t në mbledhjen e kabinetit të kufizuar, ndërsa Ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, do ta zëvendësojë atë në mbledhjen e kabinetit të plotë.

Paralelisht me vizitën e Netanyahu-t, një delegacion negociator izraelit është nisur për në Doha, ku do të zhvillohen bisedime indirekte me Hamasin, të ndërmjetësuara nga Katari, SHBA-të dhe Egjipti.

Objektivi kryesor i negociatave është arritja e një armëpushimi dy-mujor në Gaza, gjatë të cilit do të diskutohen kushtet për një marrëveshje më të gjerë që synon t’i japë fund konfliktit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb