TIRANE

Përfaqësues të biznesit në zonën e Bllokut, kanë denoncuar sërish sot punonjës të përmbarimit të cilët vijojne shembjen e objektit, në zemër të kryeqytetit, në kundërshtim me ligjin.

Në një prononcim për  “News24” ata thonë se prej vitesh janë pronar të objektit në fjalë dhe kërkojnë që prishja nga përmbarimi të ndalet, duke qenë se nuk ka një vendim të formës së prerë të dhënë nga Gjykata. Mes tjerash, përfaqësuesi thekson se prishja e objektit po bëhet me dhunë.

“Jemi pronarë të objektit, kemi vite në këtë objekt. Na ka ardhur një vendim për lirimin e truallit jo objektit. Po bëhet me dhunë. S’ka ardhur as INUV, as policia ndërtimore. Me çfarë të drejte po e prishin. Duam të dëmshpërblehemi për objektin dhe të mos prishet pa vendim gjykate të formës së prerë. Është totalisht gabim”, tha përfaqësuesi i objektit.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Policisë së Shtetit, konkretisht nga komisariati nr.2 kanë shkuar në zonën ku po prishet objekti me qëllim verifikimin e veprimeve.

Në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ka një vendim të formës së prerë, për lirimin e truallit, përbarimi ka nisur shembjen e objektit, duke u mjaftuar vetëm me një sigurim padie në Gjykatën e Tiranës.

Në shkelje flagrante, sipas personave që e shfrytezojne kete lokal, gjyqtarja Dhurata Balla ka nxjerr urdhrin për lirimin e truallit, pa nisur procesi gjyqësor. Qiramarrësit e kanë apeluar vendimin por gjykatësja Dhurata Balla nuk e ka çuar dosjen në sekretari që kjo e fundit t’ia çojë Apelit. Ata mendojnë se vendimi i gjykatëses Dhurata Balla paravendos dhe çështjen që do gjykohet në themel në gjykatën e Tiranës.

Një tjetër shkelje në shembjen e godinës është kryer edhe nga policia bashkiake, e cila lejon përmbarimin të prishë objektin ndërsa ka rrethuar me pjesë metalike pa leje, dhe ka tentuar të gjobisë pronarin e biznesit me pretendimin se po bën shembje pa leje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb