Julian Mataj një prej të akuzuarve të Elbasanit, ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij për pengmarrje. Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” ai shprehet se nuk ka kryer asnjë veprim ndaj ndonjë personi tjetër, teksa ka treguar dhe një bisedë me zëvendës drejtorin e policisë.

“Unë nuk kam lidhje me veprën penale për të cilën jam ndaluar. Unë nuk kam kryer asnjë veprim ndaj ndonjë personi dhe më tepër unë nuk kam komunikuar me asnjë person ditën që ka ndodhur ngjarja. Në momentin pas ngjarjes unë kam kontaktuar me një nga zv.drejtorët e policisë Elbasan, të cilit i kam thënë se çfarë ndodhi dhe çfarë duhet të bëj. Unë kam qëndruar së bashku me shokun tim Roland Xhepa dhe më pas na janë bashkuar dhe dy shokë të tjerë të quajtur Erjon Demushi dhe një shok i tij të cilin nuk e njoh për emër, por di që ka mbiemrin Gogu dhe është nga Durrësi. Në vendin që unë kam kontaktuar zv.drejtorin i cili na ka marrë dhe kartat e identiteti ne kemi qëndruar deri sa na ka marrë policia dhe na ka dërguar në Drejtori. Kaq kam për të thënë”, është shprehur Mataj, i cili akuzohet për “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë” në bashkëpunim, pasi akuzohet se bashkë me persona të tjerë kanë ndaluar makinën e Mehmet Grecës me dyshimin se shpërndante para në këmbim të votave.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb