JEMEN- Rebelët Houthi kanë fituar terren në qytetin e Adenit, pavarësisht sulmeve ajrore të koalicionit që udhëhiqet nga Arabia Saudite. Luftimet për kontrollin e qytetit jugor vijojnë mes rebelëve dhe forcave besnike të presidentit Abdrabbuh Mansour Hadi.

Ndërkohë, Kina ka nisur përpjekjet për të evakuuar qytetarët e saj në mes të krizës humanitare në vend. Më herët Kryqi i Kuq ka marrë leje nga koalicioni për të sjellë ndihma humanitare në Jemen.

Dy avionë pritet të mbërrijnë në Sanaa ditën e sotme, njëri me furnizime jetike mjekësore, ndërsa tjetri një avion i vogël me punëtorë të ndihmave.

Të shtunën Kryqi i Kuq bëri thirrje për një armëpushim 24 orë në Aden, qytetin e dytë më të madh në vend, duke paralajmëruar se shumë civilë do të vdesin nëse nuk ka ndërhyrje.

Sipas zëdhënëses së Kryqit të Kuq, Marie Claire Feghali gjendja humanitare në qytetin Aden është tejet e vështirë, ndërsa trupat e viktimave po grumbullohen në rrugë.

‘Njerëzit janë mbyllur në shtëpi, nuk mund të shkojnë të blejnë ushqime, uji i pijshëm mungon sepse është dëmtuar ujësjellësi. Ne po përpiqemi me gjithçka që mundemi, por situata është jashtëzakonisht shumë e vështirë’, – u shpreh Feghali për BBC.

Që prej 26 marsit vetëm në qytetin Aden numërohen 185 të vdekur, 1282 të plagosur.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: