NGA SPARTAK KOKA*

TIRANË- 5 ditë pas ngjarjes së Kurbinit, News24 publikon për herë të parë një foto nga vend i ngjarjes i administruar nga policia pak minuta pas konfliktit fizik, me sende të forta dhe të armatosur mes familjeve Cali dhe Prenga jashtë ambienteve të komisariatit.

Në foto duken qartësisht 10 piketa e vendosura, jashtë ambienteve të komisariatit të Kurbinit ku janë administruar në cilësinë e provës materiale katër gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm të një arme zjarri automatik, pesë gëzhoja fishekësh model 54, kalibër 7.62 mm të një arme zjarri pistoletë TT si dhe një teh biçaku.

Sipas versionit të policisë dhe prokurorisë përleshja masive mes palëve është zhvilluar pranë lokalit të shtetasit David P., i cili duket në foto në krahun e djathtë të komisariatit, sipas dy institucioneve ligjzbatuese askush i armatosur nuk është futur në murin rrethues të komisariati Kurbin gjatë konflikti.

Kur Gjok Cali bënte kallëzim në komisariatit, jashtë këtij institucioni para hyrjes kryesore, rreth 10 persona po ziheshin me grushte me tre personat që kishin ardhur me makinë me Gjok Calin. Pas disa minutash në  vendin ku po ndodhte sherri është afruar  një grup tjetër personash, rreth 20 vetë, të gjithë të moshës nga 20-25 vjeç. Këta persona  erdhën me automjete, të cilat i parkuan në rrugë dhe mes tyre ishte edhe një makinë fuoristradë me ngjyrë të zezë, tip i ri.

Personat që erdhën me makina janë drejtuar për tek klubi i David P. që ndodhet përballë me komisariatin, rreth 8 metra larg. Atje kanë filluar të goditen me grushte dhe njëri nga personat ka qëlluar me pistoletë në drejtim të një turme njerëzish rreth 4 apo 5 herë. Tek klubi është afruar dhe një person që ishte i qëlluar me pistoletë që ka filluar të bërtasë dhe të kërkojë ndihmë.

Në moment punonjësi i policisë së vendrojës ka ndihmuar personin e plagosur, i cili ishte i shtrirë në tokë, ndërsa ka dëgjuar krisma automatiku që vinin nga jashtë komisariatit nga krahu tjetër i klubit, ku pas breshërisë njerëzit janë larguar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: