TIRANË- Gjykata e Lartë ka marrë sot në shqyrtim çështjen e konfliktit në parlament, ku deputetët e PS-së Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu janë akuzuar se kanë dhunuar deputetin e PD-së, Gent Strazimiri.

Në seancën e sotme, ka qenë vetë deputeti Strazimiri që ka folur për ngjarjen. Ai ka deklaruar në sallën e gjyqit se është goditur nga të dy, ndërsa ka marrë edhe kërcënime me jetë. “Më kanë thënë do të vrasim”, ka deklaruar ai.

Gent Strazimiri ka kërkuar më tej të dekriminalizohet Kuvendi, si një detyrë e lënë edhe nga Parlamenti Europian.

Ndërkohë që deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu ui ka cilësuar të pavërteta deklaratat e Strazimirit. “Dëshmia e Strazimirit është e pavërtetë. Një herë thotë jam goditur, një herë s’kam ndjerë goditje. Alibitë e tij u rrëzuan dhe nga vetë Berisha”, tha Ndreu.

Ndërsa për deputetin e PD-së, Genc Pollo, “E di gjithë Shqipëria çfarë ka ndodhur”.

Më herët avokatët e dy deputetëve socialistë kërkuan paligjshmëri të procesit, duke u shprehur se kallëzimi nuk është bërë nga vetë i dëmtuari Strazimiri. Kjo kërkesë nuk është marrë parasysh dhe është vijuar me marrjen në pyetje të deputetëve që kanë qenë të pranishëm në korridorin e parlamentit por edhe në komision, ditën e konfliktit. Ndërsa sot radhën për të dëshmuar e kishin vete protagonistët.

Hetimi ndaj deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu ka filluar në bazë të kallëzimit të bërë në 14 korrik 2014, nga Kreu i Grupit të PD-së, Edi Paloka. Sipas kallëzimit, deputeti Strazimiri është goditur në 10 korrik në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë nga dy deputetët e mjatë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb