Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka komentuar betejën Basha-berisha brenda PD.

Nazarko thotë se qëllimi i Berishës nuk është të kthehet në krye të PD, por te vendosë dikë aty për t’a mbrojtur nga SHBA, në planin moral, por dhe në atë historik.

Po ashtu ai potencon pandehmën e tij se në rast se mblidhen forumet demokrate, atëhere do të vendosnin në favor të Sali Berishës.

 

‘’E kam të vështirë të shtie fall në këtë situatë. Sigurisht Basha derisa thotë që nuk do të mbledhë një forum të marrë vendim antiamerikan, po pranon që nëse mblidhet atëhere vendimi do të jetë në favor të Berishës. Pra pozicionim i PD kundër vendimit të SHBA që u realizua pjesërisht , ndërkohë që qëllimi më i guximshëm amerikan ishte dhe që ai mos ishte më brenda parlamentit. Ky është leximi i deklaratës së Bashës.

Ç’po bën Berisha? Berisha po zhvillon një betejë që e nxeh, e ngroh për shkak të pritjes që ka në bazë, faktit që është luftëtar i paepur. Nuk mund ta imagjinojë jetën e tij publike pa luftuar deri në fund, një betejë me një hero qe do e përkufizoja duke modifikuar një thënie të filmave  të viteve 70, kur një komisar që u vra ishte burrë i drejtë por që mban anën e gabuar. Berisha ngjan një burrë i gabuar që është në anën e drejtë. Berisha po zhvillon duam s’ duam gjithë betejën për demokratizim, për të nxitur debat të brendshëm, në favor të hapjes së PD, shndërrimit të saj në parti lëvizje siç beri në 2005. Të gjitha janë tema legjitime. U impresionova nga takimi i Fierit, argumentat e bazës vinin nga folësa të shkëlqyer, pra Berisha po gjeneron një energji në bazë. Andaj mendoj se  kjo energji nëse do  të përkthehej në një vendim forumi, do të ishte në favor të Berishës.

Mirëpo Berisha spo kuptohet ndaj po diskutohet : cili është qëllimi i tij, të kthehet në krye të PD? Nuk mendoj. Thotë që do të krijojë një grup të urtësh, të rikthejë legjitimitetin e forumeve.

Lëvizja e Berishës I ngjan një orteku, dukurie irracionale, sepse orteku është I pakontrolluar. Ajo shton konfuzion, vetëm nëse Basha do të dijë të menaxhojë këtë situatë mund të shndërrojë këtë moment energjie  duke e kthyer në një moment fuqie. Edhe ai ngjan se është i paqartë ku do të shkojë. Me gjasë ata që janë njohës  të tij,  thonë se se I duhet një vendim në favor të tij që ta restaruojë atë dhe kontrollin brenda PD: shndërrimi i partisë në një Lëvizje të gjerë. Berisha ka qenë dikushi, grup interesi politiko-ekonomik. Kur Basha mori vendim kundër tij, ai u pozicionua jo thjesht kundër Berishës, kundër këtij grupi. Ndaj Berisha, grupi i tij, nuk duan thjesht  të hakmerren, por duan të vendosin dikë që të përplaset me SHBA, t’i mbrojë, të ndikojë, ti japë legjitimitet gjithë historisë politike dhe njerëzore të Berishës që si pasionant I letërsisë, don t’ i ngjajë Davidit në përplasjen me Amerikën.  Natyrisht ka dhe paralele të tilla letrare nga Kadareja që flet për Belul Gjonomadhin, me vargjet “ o Belul o trim i marrë, zure inat me radarë”. Berisha po krijon një narrativë, kostum retorik që i shkon për shtat. Ai thotë që kam mbështetës Partinë Republikane, më mbështet Grenell, etj etj, por në finale ai po përplaset dhe don te perplaset me Amerikën. Në këtë kuptim, Basha ka të drejtë kur thotë qëunë nuk dua të përplas PD me SHBA.

Këtu ka dhe një problem tjetër, Berisha në këtë rikthim të tij  po na tregon që jetëgjatësia politike nuk përputhet me jetëgjatësinë fizike. Berisha është dinamik, koherent, karizmatik, etj, ndonëse  e vërteta e ndikimit të tij tek të rinjtë pershembull, mund të jete e ndryshme nga ajo e dekorit të vajzave të vogla që merren me instagramin ndërsa ai I jep dërmën Bashës. Ky është leximi që i bëj kësaj përplasje nisur dhe nga Fieri.’’- tha Nazarko.

 

Për analistin, Berisha po i tregon SHBA që është lojtar, kontrollon ende PD dhe duhet të maten kur të veprojnë kundër tij.

Nga ana tjetër Nazarko thekson se SHBA nuk do të lejojnë që të dalin humbës dhe reputacioni i tyre të vihet në lojë.

‘’Siç thashë Berisha përveç është luftëtar politik i paepur. Nëse i heq luftën si instrument të jetës së tij publike, do të merrte fund. Siç thashë një 77-vjeçar është impresiv.

Berisha do në formësimin e kësaj narrative personale do që të fitojë moralisht, t’ thotë SHBA: shikoni unë jam lojtar, kontrolloj PD dhe matuni kur të veproni ndaj meje.

Ai do të parandalojë përshkallëzimin e aksionit ndaj tij. E dyta, ai do që në imazhin e tij publik të mbetet në histori si hero i madh; ai do të ndikojë në jetën publike nëpërmjet PD, të ruajë trashëgiminë politike; dinjitetin e tij- objektiva legjitimë. Gjen paralele me Papandreun, me Kurtin, ndonëse ai kostumi retorik që po i qep vetes, i rri mirë  diku por, te supet i rri gjerë pershembull. Pse? Kurti ishte antiamerikan klasik, i frymëzuar nga Franca.

Duke u rikthyer tek fundi i lojës. Unë nuk besoj që SHBA do të lejonin nëpërmjet Bashës apo mekanizmave të tjerë të cenonin reputacionin e tyre duke dalë humbës ne një betejë publike. Basha ndihet i fortë, ka kopsitur argumentat, të ndalojë referendumin, thirrjet për forumet. Sigurisht kjo betejë e gjen Bashën të ç’armatosur, nuk ka mbështetje në opinion publik, nuk ka narrativë, edhe baza, nuk do dikë që të humbë 3 herë, nuk ka një media te fuqishme, si e ka Berisha, nuk ka aparat propagandistik.’’- përfundoi Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb