Të paktën 200 civilë janë vrarë gjatë sulmeve ruse në Siri që nga 30 shtatori deri në 29 nëntor, thotë një raport i Amnesty International.

Duke cituar dëshmitarët, grupimi i të drejtave të njeriut akuzon Rusinë për përdorimin e bombave thërrmuese në zonat civile, dhe thotë se sulmet e tilla mund të përbëjnë krime lufte. Nga ana tjetër Moska këmbëngul se shënjestron vetëm pozicionet e grupeve terroriste.

Amnesty thotë në raportin e saj se ka fakte shqetësuese edhe për sulmet e koalicionit të udhëhequr nga SHBA në Siri. SHBA-të rrallë kanë pranuar vdekjen e civilëve në bombardimet e saj ajrore kundër të të ashtuquajturit Shtet Islamik (IS), që filluan në shtator të vitit 2014, edhe pse disa grupe monitorimit thonë se numri mund të shkojë në qindra, shkruan BBC.

Rusia i filloi sulmet e saj ajrore në shtator të këtij viti, duke thënë se ishte duke vepruar pas kërkesës së presidentit sirian Bashar al-Assad. Ajo ka shënjestruar ISIS por edhe grupe të tjera të cilësuara si terroriste, disa prej të cilave janë të mbështetur nga Perëndimi.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: