Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në lidhje me mundësinë për ndonjë sanksion ndaj Turqisë në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian (BE), tha se “Çdo sanksion që mund të vendoset ndaj Turqisë, nuk është shqetësimi ynë”, raporton Anadolu Agency (AA). Presidenti Erdoğan, para nisjes së tij drejt Azerbajxhanit, zhvilloi një konferencë për media në aeroportin Esenboğa në kryeqytetin Ankara, ku vlerësoi zhvillimet e fundit në rajon dhe në botë. Duke komentuar marrëdhëniet e fundit mes vendit të tij dhe Greqisë, ai tha se pala greke është ajo që çdo herë “ikë nga tryeza”. “Nëse Greqia si një vend fqinj vepron në mënyrë të drejtë, edhe ne do të vazhdojmë të jemi në tryezë”, u shpreh ai.

Në lidhje me Samitin dy-ditor të Liderëve të BE-së, që do mbahet nga nesër në Bruksel, presidenti turk theksoi se, “Çdo sanksion që mund të vendoset ndaj Turqisë, nuk është shqetësimi ynë”, si dhe shtoi se, “Vazhdojmë në mënyrë të drejtë rrugën tonë. Do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat tona në Mesdheun Lindor”. Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinenatale në Mesdheun Lindor, ka refuzuar pretendimet detare të Greqisë dhe administratës Greke Qipriote, duke theksuar se ato shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke. Ankaraja në muajt e fundit ka dërguar disa anije të shpimit për të kërkuar burime të energjisë në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtat e saj në rajon, si dhe të Qipros Turke.

Udhëheqësit turq në vazhdimësi kanë theksuar se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave. Presidenti turk në konferencë gjithashtu vlerësoi edhe zhvillimet e fundit mbi Malësinë e Karabakut, rajon i cili pas rreth 3 dekadash nën pushtimin armen u çlirua nga Azerbajxhani.

“Do të jemi pranë Azerbajxhanit gjatë procesit të rindërtimit të tokave të pushtuara, qoftë në infrastrukturë qoftë në super-strukturë”, u shpreh Erdoğan. Erdoğan me ftesë të homologut të tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev, do të marrë pjesë në ceremoninë e “Paradës së Fitores” në kryeqytetin Baku. Vizita do të shënojë përmbushjen e suksesshme ushtarake të fundit të Azerbajxhanit në çlirimin e rajonit të Malësisë së Karabakut, rajon i cili ishte nën pushtimin armen për pothuajse 30 vite.
Erdoğan vlerësoi edhe marrëdhëniet e vendit të tij me SHBA-të, duke theksuar, “Fillimisht Biden le të marrë detyrën, pastaj do të ulemi për të biseduar disa çështje”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb