VLORE – Takimi për zgjedhjen e përfaqësuesve të lagjeve në fshatin Lepenicë të Vlorës, e më pas caktimin e kryeplakut, ka degjeneruar deri në ushtrimin e dhunës. Ngjarja me një bilanc prej 5 të plagosurish ndodhi ditën e martë, rreth orës 10:30, në qendër të këtij fshati.

Burime nga Drejtoria e Policisë së këtij Qarku kanë bërë me dije, se pas hekurave përfunduan 4 persona, ndërsa 4 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Sakaq, janë shpallur në kërkim 2 persona të tjerë. Përkatësisht dje u arrestuan Fatos Canaj, 46 vjeç, Ahmet Canaj, 42 vjeç, Misir Canaj, 25 vjeç, si dhe Panajot Canaj, 41 vjeç. Ndërkaq, procedimi penal nisi për F. Arshiajn, 46 vjeç, N. Arshiajn, 32 vjeç, N. Canajn, 58 vjeç dhe R. Shllegajn, 56 vjeç, të katërt banues në Lepenicë. Forcat e Rendit janë vënë në ndjekje të Bujar Veshajt, 58 vjeç si dhe Ilvin Arshiajt, 21 vjeç.

Të njëjtat burime deklaruan, se shkak i sherrit është bërë një motiv banal mes dy fiseve kryesore të këtij fshati, përkatësisht mes Arshiajve dhe Canajve. Nga të dhënat e deritanishme bëhet e ditur se ditën e martë, në fshatin Lepenicë, midis anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Selenicë, janë zhvilluar takimet për zgjedhjen e përfaqësuesve të lagjeve të fshatit, me qëllim për të zgjedhur më pas kryeplakun e Lepenicës.

Mësohet se në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe banorë të Lepenicës, të cilët përfaqësonin dy lagjet kryesore të këtij fshati, ndërsa situata është tensionuar dhe ka nisur konflikti fizik midis dy fiseve. Për pasojë, gjatë përleshjes me sende të forta, kanë mbetur të plagosur Panajot Arshiaj, N. Arshiaj, F. Arshiaj, L. Velaj si dhe N. Canaj. Të plagosurit janë nisur me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku kanë marrë mjekimin e nevojshëm, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Forcat e Rendit sapo u njoftuan për ngjarjen shkuan në vendin ku ndodhi përleshja dhe nisën hetimet. Materialet në ngarkim të personave të përfshirë në sherr i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

TE ARRESTUAR
– Fatos Canaj, 46 vjeç
– Ahmet Canaj, 42 vjeç
– Misir Canaj, 25 vjeç
– Panajot Canaj, 41 vjeç

NEN HETIM
– F. Arshiaj, 46 vjeç
– N. Arshiaj, 32 vjeç
– N. Canaj, 58 vjeç
– R. Shllegaj, 56 vjeç

NE KERKIM
– Bujar Veshaj, 58 vjeç
– Ilvin Arshiaj, 21 vjeç

(en.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb