Konflikti izraelito-palestinez nuk po jep shenja zbutjeje. Demokratët në Kongresin amerikan kanë bërë thirrje për armëpushim, ndërsa ligjvënësit republikanë fajësojnë për situatën veprimet e Hamasit, duke thënë se nuk mund të bëhet një barazim moral mes akteve të të dyja palëve.

Dhuna mes Izraelit dhe palestinezëve vazhdon.

Situata u përcoll me protesta para ambasadës izraelite në Uashington, ku konflikti ka ndarë në dy kampe ligjvënësit amerikanë.

Hamasi ka ndërmarrë sulme me raketa kundër Izraelit në përgjigje të atyre që militantët e këtij grupi i cilësojnë si shkelje të të drejtave të njeriut të palestinezëve nga Izraeli. Forcat izraelite kanë reaguar me goditje ajrore në Gazë.

“Izraelitët vepruan gabim me zgjerimin e vendbanimeve dhe dëbimin e banorëve palestinezë, si një akt i qëllimtë për të minuar një shtet të ardhshëm palestinez. Këto politika kanë ndihmuar për të mbajtur në pushtet Netaniahun dhe koalicionin e tij politik, por ato ushqejnë një ndjenjë dëshpërimi mes palestinezëve për të ardhmen e tyre. Udhëheqja palestineze veproi gabim duke e mbështetur luftën e tyre për pushtet me retorikë anti-semite, anti-izraelite,” tha Senatori demokrat Chris Murphy.

Demokratë progresistë si Senatori Bernie Sanders dhe ligjvënësja Alexandria Ocasio-Cortez, kanë bërë thirrje për një rishikim të ndihmave amerikane për Izraelin si rezultat i viktimave në radhët e civilëve të shkaktuara nga sulmet izraelite. Por zëra më të moderuar kanë bërë thirrje për armëpushim.

“Si Sekretari Blinken, ashtu edhe vetë presidenti janë të angazhuar në diplomaci intensive, larg syve të publikut, duke komunikuar direkt me qeverinë izraelite, me Egjiptin dhe një numër parterësh në rajon për të ndalur konfliktin,” tha Senatori demokrat Bob Menendez.

Sulmet izraelite kanë lënë të paktën 217 palestinezë të vrarë, ndërsa goditjet e raketave të Hamasit kanë shkaktuar të paktën 12 të vdekur në Izrael.

Republikanët thonë se të dyja palët nuk janë njëlloj përgjegjëse.

“Një numër i konsiderueshëm demokratësh tani duan t’i lajnë duart me Izraelin dhe veprojnë sikur të dyja palët mbajnë përgjegjësi morale të barabartë. Nuk ka barazim – në njërën anë kemi një grup terrorist që në fakt po shfrytëzon vetë palestinezët duke i vënë në rrezik, ndërsa në anën tjetër kemi Izraelin që po bën sa mundet për të kryer goditje me precision për të mbrojtur vendin,” tha udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

Republikanët në Senat kanë bërë thirrje për masa shtesë për të mbrojtur Izraelin, duke kritikuar përpjekjet e administratës për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamore me Iranin.

“Administrata Biden duhet të dalë e të deklarojë se do të forcojmë Mburojën e Hekurt, sistemin që shpëton mijëra jetë duke interceptuar sulmet terroriste me raketa, në vend që të kritikojë e minojë Izraelin,” tha Senatori republikan Ted Cruz.

Ndërkaq, administrata Biden ndeshet me një sfidë më së shumti simbolike nga demokratë progresistë që duan të bllokojnë një shitje armësh për Izraelin me vlerë 735 milionë dollarë. Periudha për finalizimin e kësaj marrëveshjeje ka mbaruar./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb