SHBA- Senati amerikan miratoi dje një projektligji që kufizon pushtetet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), veçanërisht mbledhjen e të dhënave telefonike autorizuar pas atentateve të 11 Shtatorit. Reforma, e quajtur ”USA Freedom Act”, ka për objektiv limitimin e programit të NSA-së për mbledhjen e të dhënave telefonike si ora, kohëzgjatja, numri i thirrur, masa më e kritikuar e mbikëqyrjes, vendosur në kuadër të legjislacionit ”Akti Patriotik”.

Tashmë miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, me 67 vota pro dhe 32 kundër, ligji do të nënshkruhet tashmë nga presidenti amerikan, Barack Obama. Ky projektligj parashikon që të dhëna të tilla të mbeten në pjesën dërrmuese në duart e kompanive telefonike. Ai do të zëvendësojë legjislacionin aktual të njohur si ”Akti Patriotik”, që u miratua pas sulmeve të 11 shtatorit.

Debatet dhe zemërimi lidhur me përgjimet telefonike kulmuan kur ish-analisti i NSA-së, Edward Snowden zbuloi praktikën. Në vend të marrjes së  sasive të mëdha të të dhënave nga kompanitë telefonike dhe interneti, NSA-ja është e detyruar të kërkojë informacione përmes urdhrit të gjykatës. Tashmë të dhënat do të ruhen nga kompanitë telefonike dhe jo në serverat e qeverisë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb