SHBA- Komisioni Juridik i Senatit mori në pyetje të enjten djalin e madh të presidentit, Donald Trump Jr, në lidhje me ndërhyrjen ruse në fushatën presidenciale të babait të tij, si dhe një takim që ai zhvilloi vitin e kaluar me një avokate të lidhur me Kremlinin. Dyshohet se avokatja do t’i dorëzonte atij “informacione që do të dëmtonin” fushatën e kandidatës demokratike Hillary Clinton.

Në një deklaratë të mbajtur në hapje të takimit, që citohet nga “The New York Times”, zoti Trump Jr. tha se ai organizoi takimin e qershorit 2016, me shpresën se avokatja mund të kishte “informacione në lidhje me cilësitë e zonjës Clinton për t’iu përshtatur pozicionit, karakterin apo kualifikimet e saj”.

Sipas gazetës, Trump Jr tha në komisionin e Kongresit, se takimi nuk solli asgjë dhe se ai kurrë nuk ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me shtetas rusë që të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane me qëllim fitoren e babait të tij.

Djali i madh i presidentit, i cili tashmë ndihmon për drejtimin e perandorisë së madhe të bizneseve të presidentit, shfaqet si një figurë kyçe në hetimet e shumta që po kryehen në Uashington, disa prej të cilave zhvillohen nga komisionet e kongresit krah hetimit penal që kryesohet nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

Hetuesit janë duke u përqëndruar në takimin që Trump Jr. zhvilloi më shumë se një vit më parë, në kullën “Trump” në Nju Jork, selia e biznesit dhe e fushatës zgjedhore të presidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: