* Kongresi vendos për referendum më 9 prill për zgjedhjet për kreun e PS
* Veliaj: Po drejtojmë në mënyrën e duhur

* Stanishev: PS me rrënjë të thella, i rezistoi regjimit të Berishës
* Pitella përshëndet kongresin, Rama del nga salla, arrin fundin e fjalimit
* Kongresi i PS përshendetet nga socialistët europiane. Rama thumbon Blushin, ftesë Nanos, Metën e quan bashkëkryetar
* Renzi: Rama puno per te ardhmen e shqiptareve
* Meta: Kur e majta eshte e bashkuar, fiton gjithmone bindshem

TIRANË- Kongresi i PS ka miratuar pas gati 11 orë diskutimesh projekt-statutin e ri të partisë. Gjatë votimit të hapur për këtë projekt-statuti të ri janë regjistruar vetëm 3 vota kundër, nga Ben Blushi, Maqo Lakrori, dhe Petrit Ago.

Pas këtij hapi, Kongresi i PS do të votojë për anëtarët e Asamblesë Kombëtare.

Pas shumë debatesh mes kreut të PS-së Edi Rama, deputetit Ben Blushi, dhe deputetëve të tjerë, Arta Dade, Gramoz Ruçi; Kongresi ka vendosur sot që çështja e zgjedhjeve për kreun e PS­-së të shkojë në referendum, i cili do të mbahet më datë 9 prill. Kështu, anëtarësia e PS­së do të votojë më 9 prill nëse do të ketë zgjedhje për kreun e PS­së ose jo.

Rreth 1500 delegatë do të zgjedhin 175 anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, forumit më të lartë pas Kongresit, por të përcaktojnë edhe qëndrimin ndaj debatit për zgjedhjen ose jo të kryetarit të partisë. Forumi i lartë i PS-së nisi punimet rreth orës 10:40 dhe ka zgjatur deri në orën 21:00 shtunës.

Kongresi nisi me fjalën përshëndetëse me përfaqësues të nderuar të Partisë Socialiste Europiane ku spikatën ata italiane, mes te cileve spikati dhe britaniku Blair. Por ndërsa ky forum i lartë socialist u nderua nga emra të njohur të socialistëve europiane, në të munguan emra të vjetër që nga ish-lideri Fatos Nano, e ndër emra si Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu apo Shpëtim Idrizi, si dhe ish-aleatë si Vangjel Dule i PBDNJ. Por pjesëmarrje pati nga zëra kritikues si Spartak Ngjela, nuk mungoi aleati në qeverisje i PS, kreu i LSI, Ilir Meta. Ky i fundit përshëndeti Kongresin me një fjalim, kurse Rama i rezervoi në fjalim dhe etiketimin si, ‘bashkëkryetar’. Por nuk pati asnje falenderim karshi nje socialisti te vjeter si Ben Blushi, ndaj tij, Edi Rama ironizoi me shprehjen, “eshte nje pakice qe mezi pret te permbyset nje gote qe me pas te thote, qe anija u fundos”.

DADE PËRPLASET ME ZËRAT KUNDËR BLUSHIT: MOS FLISNI QË ANDEJ, EJANI KËTU NGA FOLTORJA
Deputetja Arta Dade është përplasur me disa delegatë dhe kolegë në sallë, të cilët brohorisnin kundër Blushit kur ky i fundit replikonte me Ramën.

Dade u çua në këmbë dhe pasi sugjeroi vërejtjet e saj për statutin e ri të PS­së iu drejtua atyre që kundërshtonin Blushit. “Ju lutem ju kolegë, mos bërtisni që andej por ejani e flisni këtu. Mbajeni veten dhe përmbajini nervat”, tha Dade.

Sa i përket statutit ajo tha: Statuti i ri thotë: Karriera e çdo anëtari të partisë bazohet në meritën individuale dhe në kontribut. Kam një pyetje për grupin e punës, detyra përfaqësuese e kryetarit të partisë jepet si detyrë apo jo. Unë nuk kam votuar fare. Po bëni një statut tjetër pa shfuqizuar të parin. Grupi i punës të lexojë statutin dhe të më japë përgjigje”.

BLUSHI: ANTISTATUTORE, REFERENDUMI ËSHTË NJË HILE PËR TË SHMANGUR ZGJEDHJET
Deputeti Ben Blushi mori fjalën menjëherë pasi foli kryeministri Rama në lidhje me zgjedhjet në për kreun e PS-së. Blushi tha se Rama është në konflikt interesi, teksa kundërshtoi zgjedhjen e kryetarit të PS-së me referendum, sikurse u shpreh Rama.

Blushi tha se një mandat me referendum nuk është kurrë legjitim. Ai madje shprehu edhe rezerva të mëdha në lidhje me miratimin e statutit, që sipas tij u miratua në parim nga Kongresi, ndërsa pikë për pikë do të miratohet nga grupi që e ka përgatitur. Këtë e ai e cilësoi si absurde.

FJALA E BLUSHIT NE PERGJIGJE TE RAMES
“Besoj që parafolësi ka konflikt interesi me këtë temë, por është mendimi i tij dhe nuk është surprizë.
Do them diçka për propozimin, shkojmë në referendum apo bëjmë zgjedhje. Në parim, referendumi nuk bëhet për njerëz, zgjedhjet bëhen për njerëz. Ne sapo e votuam statutin. Ka shumë ligjvënës në sallë. Nuk votohet një ligj i cili efektet i nis sot, por në fakt i ka nisur efektet që 3 vite më parë. Ky statut në fakt hy në fuqi për zgjedhjet e ardhshme.

Po votojmë një normë që në vitin 2016 anulon zgjedhjet që duheshin bërë në vitin 2013.
Nuk është e vërtetë që partitë në mbarë Europën, nuk bëjnë zgjedhje pasi fitojnë pushtetin. Ky është një cenim i të gjithë juve. Kush i fiton zgjedhjet, kryetari apo partia?
Nëse i fiton partia, atëherë partia vendos se kush e drejton.

Angela Merkel është kancelare e Gjermanisë, votohet çdo 2 vite nga partia e saj. Ka 16 vite që është në pushtet. Nëse ajo nuk votohet, ajo nuk është më kryetare partie dhe nuk është kancelare.
Kemi dhe një mik, Tony Blair. Partia fitoi zgjedhjet, por partia i tha se nuk do jesh më kryetari dhe kryeministri ynë.

Të vijmë te referendumi. Ja ku është Edi Rama dhe po ja them në sy: Referendumi bëhet në bazë anëtarësisë dhe anëtarësia voton. Nuk e di pyetjen sepse ende nuk është thënë. Ku është ndryshimi mes votimit të një pyetje dhe të 1, 2, 3 apo 4 kandidatë.

Po bëjmë një hile për ti ikur garës brenda PS. Të bëjmë zgjedhje, është koha për zgjedhje jo për referendum. Hajde bëjmë zgjedhje për kryetarin e Partisë dhe referendumin për statutin. Kongresi votoi sot statutin në parim dhe nen për nen ta votojë grupi që e ka sjellë këtë statut këtu.

Gramoz, ju bëj thirrje. Kthejeni statutin mbrapsh dhe të votohet nen për nen, sado që të shkojë. Ky është privatizim i partisë nga një njeri. Edi Rama nuk është çështje dhe duhet të zgjidhet. Dhe përderisa nuk është çështje, atëherë kjo parti nuk mund të merret peng nga një njeri. Sipas statutit në fuqi, ky kongres përcakton dhe hap datën e zgjedhjeve për kryetarin e PS”.

RAMA: S’KA ZGJEDHJE, TË MBAJMË NJË REFERENDUM DEMOKRATIK NË PARTI
Kreu i PS-së, Edi Rama foli pas miratimit statutit të ri të PS-së. Ai tha se statuti i PS-së duhej ndryshuar tashmë që PS është në qeveri. Rama tha se nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje, duke shuar kështu shpresat e Blushit për një garë brenda PS-së për kryetarin.

Ai tha se mund ta vendos referendumi dhe vota e anëtarësisë nëse ka zgjedhje apo jo për kreun e PS-së.
FJALA E RAMES PAS MIRATIMIT TE PROJEKTSTATUTIT
Pa ju marrë shumë kohë, tema është e njohur. Duhet votuar apo s’duhet votuar. Dy vjet e gjysmë pas afatit për zgjedhjen e kryetarit të partisë që nuk u zhvillua dy vjet e gjysmë më parë, për arsye krejtësisht të qarta dhe të shpjeguara dhe për më tepër që nuk u ngrit si çështje nga askush as brenda as jashtë partisë.

Arsyeja që s’u votua atëherë lidhej drejtpërdrejtë me pamundësinë për t’i hyrë një procesi zgjedhor në parti krejtësisht të pakuptimtë, pasi sapo kishim marrë detyrën në kushte dramatike për vendin, që s’ka nevojë t’i përsëritim. Partitë që e zgjedhin kryetarin me një anëtar një votë janë parti që e kanë automatikisht kryetarin edhe kryeministër kur partia fiton zgjedhjet. Megjithatë, pavarësisht aspektit politik ka një aspekt formal për të cilin ne, unë ju s’ka rëndësi, nuk morëm masa qysh në momentin e parë.

Aspekti forma, për të mos krijuar një situatë si kjo, e cila është artificiale, por është e mbështetur në një formalizëm. Pra nuk morëm që në fillim masën që një statut të përgatitur në opozitë dhe pa parashikuar deri në fund kushtet në qeverisje ta modifikonim, siç e modifikuam sot, dhe siç e kanë, jo vetëm laburistët britanikë por edhe konservatorët irlandezë dhe parti të tjera në veriun e Europës, gjithmonë kur flitet për parti të tjera pushteti.

Vota e marrë për të qeverisur është e barasvlershme me rikonfirmimin e mandatit të partisë. Sepse partia ndërmerr parimin 1 anëtar një votë për kryetarin dhe s’ka arsye që ta ndërmarrë përsëri këtë kur kryeministri ka marrë vota më shumë se sa nga një korium partiak. Unë besoj që pavarësisht shumicës stërabsolute është e mendimit kështu, pra që s’duhet të hyjmë në një zgjedhje për një sebep, se ky është sebep se nuk është parim.

Ka një pakicë sa do të vogël që mendon të kundërtën. Bindja ime është që shumica dërrmuese e këtij kongresi nuk duhet të marrë fuqinë e atyre që e bëjnë zgjedhjen e kryetarit, pra anëtarëve të PS.
Janë ata që duhet ta ndajnë këtë muhabet të stitsur, s’ka rëndësi.

Janë ata që duhet të thonë me votën e tyre, nëse duhet të vazhdojmë duke konfirmuar mandatin mbi bazën e statutit të ri. Nëse ata nuk do ta rikonfirmojnë mandatin mbi statutin e ri, sigurisht hajde të bëjmë zgjedhje në Parti dhe të bëjmë një gjë që nuk është puna jonë. Puna jonë është që të qeverisim.
Unë kërkoj që Kongresi të japë miratimin që kjo çështje të mos jetë çështje debati me sebepe që bëjnë mu, por të jetë një çështje që e zgjidhim me votim të gjithë socialistët në të gjithë Shqipërinë.

ASHPËRSOHEN DEBATET, DADE KËRKON DATË PËR ZGJEDHJEN E KREUT TË PS-SË
Deputetja Arta Dade ka ngritur tonin në Kongresin e PS-së, për një propozim të sajin dhe një grupi delegatësh, i cili nuk është marrë parasysh në punimet e Kongresit.

Dade tha se propozimi është që të caktohet data e zgjedhjes së kryetarit të PS-së sipas parimit 1 anëtar 1 votë, por kjo kërkesë u la në hije, pasi nuk u votua rendi i ditës për Kongresin.

Dade tha se kërkesa e saj, Hafizit dhe një grupi delegatësh është që të zbatohet statuti aktual i PS-së përpara se të bëhen ndryshimet.

“Këtu nuk u votua rendi i ditës së kongresit. Kemi paraqitur disa kërkesa për zbatimin e statutit. Të caktohet data për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Është absurde të kërkojmë zbatimin e statutit. Të zbatojmë një herë statutin që kemi”, tha deputetja Dade.

Ndërsa kreu i KGS, Alket Hyseni tha se statuti i PS ka një formulim të ri.

“Disa propozime tejkalojnë statutin. Statuti ynë tejkalon dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Statuti nuk mund të përmbledhë të gjitha rregullat”, tha Hyseni.

LAKRORI KUNDËR RAMËS: KRYETARI, MAKSIMALISHT ME DY MANDATE
Maqo Lakrori, ish­kandidat në garën e fundit për kreun e PS­së foli në Kongres në lidhje me garën dhe ndryshimet në statut. Lakrori tha se mandati i kryetarit të PS­së duhet të kufizohet, duke propozuar që një kryetar i PS­së të mos rikandidojë për mandatin e tretë.

Ai gjithashtu foli për një parti të zënë nga një grusht njerëzish, që shkel votën e lirë dhe shkel hapur statutin. Ndaj Lakrori bëri thirrje për ndryshime në statut.

Gjithashtu ai tha se jo domosdoshmërish kryetari i PS­së duhet të jetë edhe kryeministër, apo të mbajë funksione si kryetar bashkie etj; duke bërë një ndarje të posteve partiake nga ato shtetërore.

“Personat që jetojnë në luks, nuk mund të bëjnë moral. Këto persona duhet të shkojnë para drejtësisë. Qytetarët nuk mund të presin fundin e reformave. Duhet të fillojë hetimi për ata që kanë përfituar nga pushteti. Ata që vjedhin, janë më shumë se ata me precedentë. Partia po ecën me modelin “partia jam unë”. Të bëjmë kthesën drejt partisë së fortë. Të ndahen postet partiake nga ato qeveritare. Janë njerëzit ata që e bëjnë socialiste një parti”, tha Lakrori.

BLUSHI SHUPLAKA QEVERISË: ASNJË PREMTIM I DHËNË NUK ËSHTË MBAJTUR, JA PSE KËRKOJ ZGJEDHJE
Deputeti Ben Blushi ka kritikuar ashpër Qeverinë e Edi Ramës, duke u shprehur se nuk janë mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale të 2013-ës nga Partia Socialiste. Gjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e PS-së, deputeti Blushi përmendi një e nga një këto premtime të pambajtura, duke i cilësuar fakte dhe jo opinione.

Këto janë sipas Blushit dias nga arsyet kryesore për të cilat vendi duhet të shkojë në zgjedhje, duke theksuar se Shqipëria nuk është partia, dhe as anasjelltas. Ndaj Blushi i bëri thirrje socialistëve dhe Edi Ramës që vendi të shkojë në zgjedhje, duke u shprehur se “Prandaj ju ftoj te gjitheve ne zgjedhje. Prandaj them se zgjedhjet dhe vetem zgjedhjet jane zgjidhja dhe vetem zgjidhja. Jam i gatshem te njoh dhe te pranoj cdo zgjidhje qe del nga zgjedhjet por nuk do pranoj asnje zgjidhje pa zgjedhje.
Une e ftoj Edi Ramen ne zgjedhje sepse kjo do ishte ne nderin e seicilit prej nesh dhe ne nderin e Partise Socialiste pa dyshim”.

Ajo që ra në sy në fund të fjalës së deputeti Blushi para kongresistë ishin padyshim duartrokitjet nga të pranishmit në sallë.

FJALA E PLOTE E DEPUTETIT BEN BLUSHI NE KONGRESIN E PS
Kam ardhur ne kete Kongres per te thene disa gjera te thjeshta duke besuar se jam i barabarte mes te barabarteve dhe jam nje njeri i lire mes njerezve te lire. Ajo qe duhet tju them eshte ajo qe dime: Ne jemi te gjithe bashkepronare te nje prone.

Kjo prone quhet Partia Socialiste e Shqiperise. Partia Socialiste eshte nje trup dhe si te gjithe trupat ka shqisat e saj: Barazia eshte zemra e saj, Bashkimi eshte muskuli i saj, e Ardhmja eshte ecja e saj, Drejtesia eshte dora e saj, Progresi eshte shikimi i saj, Solidariteti eshte prekja e saj, Liria eshte shpirti i saj.
Ne socialistet kemi vetem nje detyre: t’i veme keto shqisa ne harmoni.

Ne duhet te bindim Shqiperine se Shqiperia behet nga vete shqiptaret dhe ajo behet me e mire nga socialistet se nga te tjeret. Por si mund ta bejme ne kete? Si mund ta ndryshojme ne vendin tone? Si mund te bindim mijera djem dhe vajza se Shqiperia eshte dhe duhet te jete nje vend qe nuk duhet te braktiset?
Ka vetem nje menyre: duke mos i ikur vetes sone.

Duke mos ia fshehur Partine Socialiste socialisteve dhe duke mos ia mohuar Partine Socialiste shqiptareve.
Dhe natyrisht duke mos e rrëmbyer Partine Socialiste.

Ne kete parti ka nje shumice dhe nje pakice. Nje shumice absolute qe kerkon nje parti te perbashket dhe nje pakice relative qe kerkon nje parti me vete dhe per vete.

Une dua te flas sot ne emer te kesaj shumice. Kjo shumice mund te jete e heshtur,mund te jete e dhunuar,mund te jete e frenuar por ajo egziston. Ajo eshte aty duke pritur te clirohet.Ajo eshte nje shpirt i zene rob me kusht dhe nje zemer e kapur ne nje grusht.

Ne duhet ti japim kesaj shumice mundesi te flase permes votes. Por te gjithe bashke, qofshim shumice apo pakice nje gje duhet ta kemi te perbashket:te verteten.

A jemi ne te barabarte me njeri tjetrin? A po respektojme rregullat te cilat i kemi vendosur bashkarisht? A po zbatojme normat ne fuqi? A po bejme zgjedhje? A po i japim dikujt apo disave kushdo qofshin ata, me shume pushtet te marre padrejtesisht, pa respektuar voten e lire te antaresise pra te gjithe bashkepronareve te kesaj bashkesie? A jane shkeljet te verteta? A ka patur shkelje? A jane deformimet te verteta? A mund te fajesohet dikush qe thote se te gjitha keto kane ndodhur? Une mendoj se kjo po ndodh.

E verteta ketu po mbytet. E drejta e secilit prej nesh po cenohet. Sensi i bashkesise po dhunohet. Nje pakice po detyron nje shumice ta pranoje ate pa zgjedhje. Nje pakice po na dhunon. Nje pakice po kthehet ne shumice pa votim.

Nje pakice po emeron kryetaret e organizatave.Po emeron kongresin.Po emeron asamblene. Po emeron kryesine. Po shfrytezon qeverine. Po nxin lirine. Po ngordh demokracine. Po merr peng gjithe partine. Nese kjo pakice ka nje merite kjo eshte merita e saj. Pengmarrja e Partise Socialiste te Shqiperise.
Per kete pakice, nese do zgjedhje je armik. Nese do mbledhje je dy here armik.Nese do zgjidhje je tre here armik.Nese do me pak borxh, je pak a shume armik.Nese do punesim je shume armik.Nese do rritje pagash je me shume se armik.Nese do rritje pensionesh je plotesisht armik.Nese do pastrim te partise nga krimi, je armiku i mikut.Nese do lufte kunder krimit, je miku i armikut.

Nese i mohon te gjitha keto je mik.Por jo vetem kaq. Je i vyer,i lyer,i ngjyer, je i shperblyer dhe i ndersyer, je besnik. Je besniku i partise qe shperblehesh sa here genjen.

Nese nuk genjen nuk je.Nese genjen jo vetem je, por edhe ke. Te jesh apo te kesh, kjo eshte zgjedhja! Ne Partine Socialiste nuk mund te jesh nese nuk mund te kesh. Dhe nuk mund te kesh nese nuk je njeri prej nesh. Ky eshte morali i pakices. Ky eshte kriteri, nderi dhe misteri i pakices se shumices.
Tesera e PS sot nuk eshte puna, nuk eshte mendimi, nuk eshte vendimi, nuk eshte besimi por eshte mohimi. Nese ke pohuar ate qe eshte mohuar ke fituar. Keto nuk jane rregullat e nje partie por rregullat e nje pabesie, te cilen as e kam pranuar dhe as do ta pranoj.

Megjithate injorimi, poshterimi dhe lincimi qe i eshte bere Partise Socialiste nuk ka ardhur nga mungesa e kohes.As nga mungesa e mundesive. As nga mungesa e socialisteve.

Por nga arroganca. Nga besimi delirant se votat jane vetem te nje njeriu, ndersa mbledhja e tyre eshte e vetmja detyre e gjithe te tjereve.

Kush na solli ne ne kete deformim? Ky njeri e ka nje emer: quhet Edi Rama. Ishte kryetari i partise sone. Dhe per kete shkak eshte sot kryeminister i Shqiperise. Diten qe ai erdhi ne pushtet Partia Socialiste pushoi se qeni. Edi Rama mori nje pune per te lene partine pa pune. Kjo eshte ajo qe ka ndodhur ne keto tre vjet.

Kjo histori qe tregova me lart nuk eshte nje fantazi. Eshte fakt dhe nuk eshte opinon.
Jam ftuar ditet e fundit ne nje beteje mes fakteve dhe opinioneve dhe dua te them disa fakte: Që nuk ka zgjedhje ne PS prej tre vitesh nuk eshte opinion eshte fakt ; Qe Edi Rama eshte i vetmi kryetar partije ne bote me mandat shtatevjecar nuk eshte opinion eshte fakt ; Qe mandati i kryetarit te partise socialiste eshte kater vjet nuk eshte opinion eshte fakt; Qe Statuti i partise socialiste eshte shkelur nuk eshte opinion eshte fakt; Qe referendumi nuk behet per persona,por per ceshtje nuk eshte opinion eshte fakt; Qe asnje ndryshim statutor nuk mund te kete fuqi prapavepruesse nuk eshte opinion eshte fakt; Qe ne Partine Socialiste jane futur njerez me precedente penale nuk eshte opinion eshte fakt; Qe prej tre vitesh nuk ka asnje rritje rroge, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe borxhi eshte rritur, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe taksat per te pasurit nuk jane rritur, por kane mbetur te sheshta nuk eshte opinion eshte fakt; Qe ekonomia nuk eshte rritur me ritmet e pritshme, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe paga minimale ne Shqiperi eshte me e uleta ne rajon, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe arsimi i mesem ne Shqiperi nuk eshte i detyrueshem, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe shendetsia nuk eshte falas sic premtuam nuk eshte opinion eshte fakt; Qe nuk kemi garantuar naften pa akcize sic premtuam, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe e blejme naften me shtrenjte se kushdo ne rajon, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe cmimi i energjise elektrike eshte rritur, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe ndertimet jane bllokuar prej tre vitesh, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe ekonomia eshte ne deflacion, nuk eshte opinion eshte fakt; Qe nuk kemi hapur dot as 100 mije vende pune ne tre vjet, kur premtuam 300 mije nuk eshte opinion eshte fakt; Qe emigracioni nuk eshte pakesuar por shte shtuar nuk eshte opinion eshte fakt. Qe une nuk jam Saliu, por ne po qeverisim si Saliu pa Saliun nuk eshte opinion eshte fakt qe te gjitha keto kane ndodhur ne tre vjet nuk eshte opinion eshte historia jone tre vjecare.

Por a doni me fakte?
Une kam shume me shume se kaq dhe qe ju skeni degjuar asgje akoma nuk eshte opinion por do jete fakt. Qe une do luftoj deri ne fund qe Shqiperia dhe Partia mos jene keshtu si jane dhe si kane qene edhe ky nuk eshte opinion por do jete fakt. Dhe qe ne nuk jemi vetem, ky nuk eshte opinion por eshte fakt. Qe prandaj po pengohen zgjedhjet sepse ne jemi shume dhe jemi shumice nuk eshte opinion eshte fakt. Dhe nese doni ta provoni kush eshte shumice dhe kush eshte pakice hapni zgjedhjet per te vertetuar nese ky eshte opininon apo eshte fakt.

Prandaj po them sot se cfare kerkoj dhe jo vetem ne emrin tim. Zgjedhje. Zgjedhje te lira dhe vetem zgjedhje. Asgje me shume dhe asgje me pak se sa zgjedhje.

Kush ka te drejte te ma mohoje kete te drejte? Kush ka te drejte ta zhveshe partine nga kjo norme? Asnje pakice nuk e ka.As ky Kongres nuk e ka. T’i heqesh te drejten e votes nje partie eshte njelloj si t’i heqesh zemren asaj. T’i nxjerresh syte dhe shpirtin tia shkelesh me takat e qeverise. Kjo nuk mund te ndodhe dhe nuk ka per te ndodhur.

Cfare ka ketu per te mos u kuptuar? Cfare ka ketu per tu refuzuar? Cfare ka ketu per te patur frike? Cfare ka ketu per tu armiqesuar? Cfare ka ketu per tu ndare? Cfare ka ketu per tu share? Cfare ka ketu per tu cmendur dhe per tu haperdare si te marre? Asgje.

Prandaj ju ftoj te gjitheve ne zgjedhje. Prandaj them se zgjedhjet dhe vetem zgjedhjet jane zgjidhja dhe vetem zgjidhja. Jam i gatshem te njoh dhe te pranoj cdo zgjidhje qe del nga zgjedhjet por nuk do pranoj asnje zgjidhje pa zgjedhje.

Une e ftoj Edi Ramen ne zgjedhje sepse kjo do ishte ne nderin e seicilit prej nesh dhe ne nderin e Partise Socialiste pa dyshim.

Ne fund dua tu them se dua te mbetem nje nga ju. Dua te jem me ju dhe te gjithe bashke te jemi me Shqiperine. Shqiperia ka dhe do te kete te drejte me apo pa ne. Sepse Shqiperia nuk eshte partia dhe Partia nuk eshte Shqiperia. Dhe keshtu do jete gjithmone.

KODHELI: ZGJEDHJA JONË, UA KTHEU PUSHTETIN E NJERËZVE DHE E VENDOSI QEVERINË NË ANËN E POPULLIT
Minissstrja e Mbrojtjes në fjalën e saj u shpreh se argumenti im nuk është qeveria por pushteti në shërbim të njerëzve, jo kongresi por bashkimi i interesave dhe ideve tona për të ardhmen ndryshe. Ajo shtoi se zgjedhja jonë ua ktheu pushtetin e njerëzve dhe e vendosi qeverinë në anën e popullit.

“Po punojmë për sheshimin e të gjitha diferencave sociale, po ia heqim Shqipërinë nga duart e interesave personale të të privilegjuarve. Kemi një sistem shëndetësor që mendon për qytetarët dhe jo për tregtar por përpjekja jonë vazhdon pasi kemi dëshmuar se po punojmë për të forcuar shtetin ligjor dhe po realizojmë reformën historike në drejtësi për të rritur profesionalizmin dhe transparencën”, tha ministrja Kodheli.

Duke u ndalur tek pushteti loka, Kodheli tha se menaxhojmë shumicën dërrmues të pushtetit lokal por edhe në atë pjesë që nuk e menaxhojmë e kemi qendër të prioriteteve. E kemi bërë Shqipërinë destinacion europian,tha Kodheli ndërsa Tirana zyrtare garanton siguri e stabilitet. “Për të gjithë ju socialistë por edhe ata që nuk kanë nevojë të kenë një dokument anëtarësi, ne do të bëjmë më të mirën pasi ne të gjithë e meritojmë këtë por më shumë se ne e meriton Shqipëria jonë e dashur.Ne nuk duhet dhe nuk do ta tradhtojmë të ardhmen tonë”, përfundoi Kodheli.

BUSHATI: PERSPEKTIVA E ANËTARËSIMIT NË BE, LIDHET ME MIRATIMIN E REFORMËS NË DREJTËSI
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi në fjalën e tij se politika e jashtme ka reflektuar reformat e thella që kemi iniciuar për realizimin e projektit tonë madhor atë të Shqipërisë Evropiane.

Ministri Bushati tha se Shqipëria në 2013-ën ishte larg së qenuri një vend Evropian me ekonomi të rrënuar, shoqëri të fragmentarizuar, e besueshmëri të ulët në rrafshin ndërkombëtarë e procese të ngelura në shtetndërtimin demokratik.

Por, shtoi ai, ushtrimi i një politike të jashtme efektive ka si parakusht një ekonomi të shëndetshme dhe të drejtë, një shoqëri të arsimuar e kohezive dhe një republikë të sigurtë. “Ne jemi partia e lirisë, barazisë e solidaritetit, drejtësisë e paqes që përbëjnë themelet e socialdemokracisë moderne”, u shpreh ai. Janë këto vlera, vijoi Bushati, që përbëjnë shtratin e ndërveprimeve të suksesshme diplomatike gjatë qeverisjes.

“Politika e jashtme ka reflektuar reformat e thella që kemi iniciuar për realizimin e projektit tonë madhor, atë të Shqipërisë evropiane. Këtë projekt e kemi materializuar nëpërmjet një intensifikimi dhe thellimi të procesit të integrimit evropian”, deklaroi Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi se këto janë demonstruar me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe perspektivën e qartë të fillimit të bisedimeve për anëtarësim sapo të përmbyllllet miratimi i reformës në drejtësi.

Duke folur për aleatët dhe rolin e Shqipërisë në rajon e më gjerë, Bushati tha se kemi rrezatuar qartësi gjeostrategjike në një periudhë të turbullt për rendin ndërkombëtar dhe sigurinë e arkitekturës evropiane. “Çimentuam aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet nënshkrimit të partneritetit strategjik, i cili e ka kapilarizuar bashkëpunimin me aleatin tonë kryesor në fushën e sigurisë, zhvillimit ekonomik e sundimit të së drejtës”, deklaroi Bushati.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Bushati tha se “në rajon është fakt se pozicioni i Shqipërisë e ka shndërruar atë në një pol stabiliteti në hapësirën e Evropës Adriatike, duke mbrojtur e promovuar njëkohësisht të drejtat e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në rajon”.

NIKOLLA: NDËRMORËM REFORMA TË VËRTETA NË ARSIM
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla solli në vëmendjen e të gjithë të ftuarve të Kongresit të Partisë Socialiste, gjendjen në të cilën gjeti arsimin në vitin 2013 kjo qeveri, si dhe renditi reformat e ndërmarra, që sipas saj janë cilësuar të suksesshme.

“Jemi dëshmitarë se nuk punuam duke e parë arsimin nga lartësitë e zyrave të pushtetit, por zbritëm në çdo shkollë, takuam çdo mësues e prind për të vazhduar me kurajo e profesionalizëm në rrugën e reformave për të shëruar sistemin arsimor që ishte lënë gati në rënie të lirë”, deklaroi Nikolla

Sipas saj, pamja që gjetëm mund të shërohej vetëm me vizion, vullnet, punë e profesionalizëm, sepse nuk mjaftonte vetëm shlyerja e borxheve prej rreth 35 milionë dollarëve, por duhej ndalur mashtrimi i servirur prindërve për të investuar në tekste që deformonin dije që jepnin shkolla e universitete që rezultuan piramida të pastra në arsim.

Ne nuk u mjaftuam, vijoi jo, të tregonim që gjetëm një kurikul të copëtuar e jo bashkëkohore, por realizuam kurikulën e re të bazuar në kompetencat evropian, unifikuar me Kosovën e e integruar për çdo fëmijë,.

Gjetëm tha më tej Nikolla, 4 mijë mësues pa arsim përkatës apo jashtë formimi si dhe pamë pas tyre 177 mijë nxënës me dije të deformuara. Kësaj, vijoi Nikolla, iu prëgjigjëm me një program që u kthye në sistem, “programin mësues për Shqipërinë”, që sot është sistemi ynë i ri i emërimeve në bazë të meritës e sjo përmes ndërhyrjeve politike në arsim .
“Se si u katandis reforma e altertekstit jemi dëshmitarë, po ashtu. Flitej për tekste të përçudnuar dijesh. Larguam 600 tekste, kufizuam alternativa e sollëm në shkollë tekstet evropiane më të mira”, deklaroi Nikolla. Ministrja shtoi se sot 45 mijë gjimnazistëve ju shërbejmë me tekste dixhitale, përmes një investimi prej 3.5 milionë eurosh, si dhe mbajtëm premtimin për përfitimin e teksteve falas për familjet me 3 e më shumë fëmijë. Sot tha ajo, 7400 familje janë përfitues të teksteve falas.

Më tej, Nikolla foli edhe për provimin e maturës, i cili tha ajo deri në vitin 2013 flitej për korrupsionin e kopjes së provimit të maturës shtetërore. Reforma që ndërmorëm, tha ajo, është quajtur nga partnerët tanë si dëshmia e sinjalit të fortë i reformave të forta e të vërteta në arsim.

HAFIZI: ARMIKUN MË TË MADH E KEMI BRENDA VETES, PARTIA NË SHUMË VITE KA QENË NË DUAR TË AVENTURIERËVE
Deputetja e PS-­së në Shkodër, Mimoza Hafizi u tregua mjaft kritike në fjalën e saj në Kongresin e PS-­së. E njohur si një nga deputetet që mbështet Ben Blushit për zbatimin e statutit të PS-­së, Hafizi e nisi me kritikat e saj për PS­në e Shkodrës për të dalë deri në qendër, te zgjedhjet për kreun e PS-­së.

Hafizi tha se PS-­ja e Shkodrës e ka patur armikun më të madh brenda vetes, pasi në krye të saj janë vendosur njerëz të komanduar dhe aventurierë, që sot përgjigjen para drejtësisë. Ajo tha se asnjëherë nuk është pyetur për ndryshimet dhe riorganizimin e PS­-së në Shkodër, edhe pse është deputete e asaj zone, duke qenë pa vendimmarrje.

Deputetja e Shkodrës më pas kaloi te zgjedhjet përkreun e PS­-së, kur i bëri thirrje kongresit të vendoste për një garë siç e kërkon statuti.

ARTA DADE: KOHA TË BËJMË NJË ANALIZË TË QEVERISJES, KEMI DËSHTUAR TË ÇOJMË SALI BERISHËN NË BURG
Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade në fjalën e mbajtur në Kongres u shpreh se PS është në një moment të rëndësishëm për të bërë një bilanc të qeverisjes së deritanishme por edhe për funksionimin e demokracisë së brendshme.

Dade kërkoi nga Kongresi që t’i hapet rruga për mbajtjen e zgjedhjeve brenda partisë për zgjedhjen e kryetarit. Gjithashtu nga ana tjetër, Dade foli edhe për dështimin e së majtës për të çuar para drejtësisë abuzuesit e qeverisë së kaluar.

“Mblidhemi në një momente të rëndësishëm pasi kemi kaluar ¾ të mandatit qeverisës. Është pjekuri politike të ndalimi dhe të reflektojnë çfarë kemi përmbushur nga programi dhe çfarë mund të bënim më mirë dhe nuk kemi pasur mundësi ta realizojmë dhe çfarë nuk kemi pasur mundësi as ta nisim dhe ta realizojmë. Kjo do të na jepte më shumë besueshmëri tek publiku dhe do të mbante shpresën se kjo mazhorancë e njeh realitetin. Pika jonë e referimit nuk është e djeshmja dhe as aktorët e së djeshmes. Ata dhe Berishën kemi dështuar T’i çojmë para drejtësisë shpresoj ta bëjmë në të ardhmen”, u shpreh Dade.

Për debatin brenda PS­-së, deputetja theksoi se duhen mbajtur zgjedhjet për kryetar duke kërkuar që dëshmohet se respektohen rregullat e miratuar nga të gjithë.

“Momenti është i rëndësishëm edhe për debatin brenda partisë. Të respektohen rregullat. Ose ndryshojmë rregullat ose krijojmë institucione paralele. Përgjegjësitë në të gjitha rastet mbeten kolektive. Të nderuar delegatë ju duhet të siguroni që ajo që ka ndodhur nuk duhet të përsëritet. Nuk duhen bërë hapa pas le ta nisim sot këtë sprovë të demokracisë, të vendosim të hapet gara për kryetarin e PS. T’i japim mandat kryetarit me një anëtar një votë që të na udhëheqë në zgjedhjet e ardhshme”, përfundoi Dade.

MAJKO: NESE NUK DO TË VIDHEJ VOTA SOT DO TË ISHIM NDRYSHE
Deputeti i PS, Pandeli Majko mbajti një fjalë në diskutimet e Kongresit të PS-­së ditën e sotme. Ai e vuri theksin te çështja e votës së emigrantëve dhe te reforma në drejtësi.

Pa votë të lirë nuk ka drejtësi dhe anasjelltas, ky ishte një nga mesazhet e Majkos. Ai madje sqaroi në një farë mënyrë edhe reagimin e para disa ditëve në “Facebook” ku lihej të kuptohej se ishte për zgjedhje të parakohshme nëse nuk votohej reforma në drejtësi.

Majko sqaroi sot se në fakt, ai kishte folur për referendum për reformën në drejtësi dhe jo për zgjedhje të parakohshme.

“Në elitat shqiptare është njohur gjithnjë organizimi klanor politik dhe vjedhja e votës. Nëse nuk do të vidhej vota sot do të ishim ndryshe. Prandaj duhet reforma në drejtësi. Është një zgjidhje që s’ka dilema dhe nëse nuk gjendet zgjidhje duhen zgjedhje. Po u mohua kjo e fundit mendoj se nuk na falet që për disa muaj më shumë qeverisjeje t’i shmangemi kësaj. Rezultati i atij referendumi do të shuajë çdo dyshim dhe do jetë njësoj si rezultat zgjedhjesh.Ju ftoj të bëjmë atë për të cilën jemi bashkë këtu, të fitojmë betejën për Shqipërinë dhe për ata që s’kanë lindur akoma. Rroftë Shqipëria!”, tha Majko.

BRAÇE: PO KTHEJMË EKONOMINË PËR SHOQËRINË, JO ANASJELLTAS
Në Kongresin e Partisë Socialiste, nënkryetari i grupit parlamentar, Erion Braçe u shpreh se duhet çliruar vendimmarrja nga lotimet e ndryshme të cilat kanë ndikuar jo shumë pozitivisht në ekonominë e vendit.

“Të çlirojmë vendimmarrjet nga lotimet e ndryshme. Ky është dallimi mes asaj që trashëguam, me qeverinë tonë. Kosto zero për qytetarin dhe zero tarifa për shërbimin ndaj qytetarëve për partneritetin publik-privat”, u shpreh ai.

Braçe theksoi se duhet te krijojmë mundësi për konkurrimin në tregun e punës të qytetarëve. “Po kthejmë ekonominë për shoqërinë, jo anasjelltas. Ka kohë që vendimmarrja është në presionin e lobeve të ndryshme ekonomike të atyre që mundohen të ndikojnë mbi qeverinë. Vendimmarrja do të jetë e lirë. Janë bërë reforma të guximshme për vendin. Garantojmë vendimmarrje të lirë”, ka thënë Braçe.

Ai ka shtuar se, tashmë ka ardhur koha që të ndryshojmë qytetet tona, ndryshojmë hapësirat publike, transportin publik.

AHMETAJ: ME REFORMAT TONA KRJUAM FRYMËMARRJE TË RE EKONOMIKE E MUNDËSI PËR PUNËSIM
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj në fjalën e tij para anëtarëve të Kongresit të Partisë Socialiste theksoi se me reformat tona krijuam frymëmarrje të re ekonomike e mundësi për punësim.
Ahmetaj tha se qeverisja e shkuar e la vendin me një rritje gati statistikisht zero e që ishte në rënie vit pas vite kjo sipas tij, jo për shkak të krizës globale, por nga keqmenaxhimi i qëllimtë i ekonomisë dhe burimeve.

Ministri duke folur për borxhin publik solli në vëmendje borxhin e fshehur, që siç u shpreh ai vjedhja që ajo qeveri i kishte bërë Shqipërisë ishte edhe përtej të imagjinuarës. “Borxhi publik i fshehur ishte 726 milionë dollarë. E lanë borxhin 69.5 %, ndërsa ë 2005 e morën 57 %, 12 % më shumë se e morën”, theksoi më tej Ahemtaj.
Kreu i financave publike informoi se kemi marrë borxh 1.6 miliard dollarë në këto vite, por shtoi ai kemi paguar 2.2 miliard dollarë. Duke folur për efektshmërinë e parasë publike, Ahmetaj vuri në dukje se në qeverisjen e shkuar për çdo 100 lek borxh investoheshin 137 lekë, ndërsa sot për 100 lekë borxh investohen 200 lekë. Më tej ai u shpreh se borxhi ka interesat më të ultë a bë rajon dhe ka fituar maturimin më afatgjatë në 23 vite. “Është borxhi me koston më të ulët”, deklaroi ai.

Për herë të parë, vijoi ai, kemi balancë primare pozitive, që tregon se një qeveri nuk krijon borxh të ri.
Ahmetaj u ndal edhe tek modeli i ri ekonomik, i cili sipas tij, fokusohet tek prodhimi i brendshëm, tek investimet private apo tek krijimi i SMV-ve që gjenerojnë punësim. “Një nga arsyet kryesore të rritjes ekonomike vitin e kaluar janë pikërisht investimet private dhe të huaja. Janë shtuar 45 mijë biznese të reja nga të cilat një pjesë e mirë të huaja, të cilat janë dyfishuar”, deklaroi ministri.

Ahmetaj tha se Shqipëria ka dalë përfundimisht nga kriza dhe kjo sipas tij falë reformave makro, fiskale, energji, pensione, rendin publik, administrimin territorial që kanë bërë të mundur që ne te kemi lënë pas krizën . “Jemi dy vendet e vetme në rajon që kemi lënë pas krizën e shohim atë që duhet të bëjmë për gjeneratën tjetër”, u shpreh Ahmetaj.

KLOSI: REALIZUAM REFORMËN E PENSIONEVE, QË QYTETARËT TË MARRIN PENSIONE NË PËRPJESËTIM ME KONTRIBUTET E TYRE
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi bëri të ditur se kjo qeveri realizoi reformën e pensioneve, një premtim i mbajtur, përmes së cilës qytetarët arritën të marrin pensione në përpjesëtim me kontributet e tyre të derdhura.

Klosi renditi disa nga vendimet në fushën e pensioneve që sipas tij, kanë rritur nivelin e mirëqenies për qytetarin. “Vendosëm pensionin social për mbi 6 mijë qytetarë të vendit tonë si dhe miratuam pensionin për mbi 3 mijë minatorë përfitues. Rritëm pensionet për mbi 600 pensionistë në të gjithë vendin, e dyfishuam pagesën e papunësisë nga 6 mijë lekë në mbi 10 mijë lekë”, deklaroi ministri Klosi.

Klosi foli edhe për luftën ndaj informalitetit si dhe rezultatet e përfituara prej saj sa i takon regjistrimit të të punësuarve. “Krahasuar me 2013-ën, vetëm 2 vite më parë, numri fizik i kontribuesve në skenë i kalon 23.3 %. Vetëm gjatë fushatës 3 mujore të luftës së informalitetit u futën në skemën e kontribuesve më shumë se 100 mijë punëtorë që punonin në të zezë”, deklaroi ai.

Ministri Klosi ndër të tjera u shpreh se kjo qeveri futi në rrugë të drejtë, në rrugën e zgjdhjes disa nga problemet e mëdha për të cilat ne erdhëm në pushtet. “Kemi hyrë në vitin e tretë të qeverisjes, por me fakte, me shifra kemi mundur të kthejmë Shqipërinë në punë, se Shqipëria ka punë, por duhen profesionistë”, tha ai. Sipas tij, në Shqipëri ka ende të papunë, por është rritur shpresa për punësim dhe në zyrat e punës janë mbi 36 mijë vende pune, ku vetëm vitin që lamë pas janë punësuar 20 mijë te papunë falë negociatave në zyrat e punës. Po ashtu ai informoi se qeveria ka trefishuar fondet e nxitjes së punësimit.

Por, ministri theksoi se kemi nevojë për zanatçinj. “Kemi identifikuar urinë e tregut për njerëzit e zanatit, ndaj kemi nisur orientimin masiv e intensiv të të rinjve drejt arsimit profesional. Deri sot janë identifikuar mijëra vende pune të cilat duan zanatçinj”, deklaroi ministri Klosi.

GJIKNURI: QEVERIA E SHKUAR QEVERISI ME NJË DEMAGOGJI POPULISTE ME PASOJA SHKATËRRUESE PËR VENDIN
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri në Kongresin e Partisë Socialiste të Shqipërisë tha se qeveria e shkuar qeverisi me një demagogji populiste me pasoja shkatërruese për vendin e mbi të gjitha për njerëzit e thjeshtë. “Në emër të kësaj demagogjie shitej ëndrra e energjisë falas, duke fshehur faturën e vërtetë të vjedhjes dhe abuzimit që binte në shumicën e popullatës. Flluska plasi dhe ëndrra mbaroi, duke ekspozuar tumorin që kishte gjunjëzuar një vend të tërë, me një borxh financiar për shkak të energjisë në 1.2 miliard dollarë ose 7 % e PPB të vendit. Bashkë me të vinte fatura e 150 milion eurove në vit, nga taksat e shqiptarëve që në vend të shkonin për shkolla, spitale e vepra të tjera me dobi shoqërore, thjesht mbyllnin gropën e energjitikës”. deklaroi Gjiknuri.

Sipas tij, ndërmorëm reformën më të thellë strukturore, e cila ka filluar të japë rezultate e para të dukshme e të prekshme për buxhetin e shtetit e për qytetarët. Nuk kanë qenë të paktë, vijoi ministri fjalën e tij, ata që na akuzuan për pandjeshmëri sociale kur ristrukturuam tarifat e energjisë elektrike, por sot, tha ai, të gjithë po e shohim se çmimi mesatar i energjisë u ul nga 9.7 në 9.5 lek për Kw/h duke sjell përfitim për pjesëm më të madhe të shoqërisë.

Ndërkohë, shtoi Gjiknuri, familjet më në nevojë dhë të gjitha shtresat e prekura nga heqja e fashës abuzive, gjithsej rreth 230 mijë konsumatorë, kompensohen me një vlerë 16 milion dollarë në vit. Gjiknuri siguroi se kjo qeveri do të vazhdojë me shumë vendosmëri rrugën duke thelluar reformën në energjitike, jo vetëm për zhvillimin e sektorit, por mbi të gjitha për qytetarin e thjeshtë që dëshiron një furnizim më të mirë nëpërmjet investimeve.

KREU I KOMISIONIT TË GARANCIVE STATUTORE FLET PËR ‘NEWS24’: KEMI HASUR PROBLEMATIKA, POR I KEMI ZGJIDHUR
Kreu i komisionit të Garancive Statutore në PS, Alket Hyseni, ka folur për “News 24”, për ecurinë e Kongresit dhe pikat që do diskutohen.

Në rend të ditës një nga pikat që do të diskutohet është edhe raporti i këtij komisioni, i cili përmban ecurinë e punës së komisionit, problematikën e hasur, volumin e punës së kryer, si dhe do të kërkohet votëbesimi i Kongresit për punën e bërë nga kongresi para zgjedhor e deri në këtë kongres.

Hyseni tha se, “PS është një parti e madhe, vitale dhe që ka pasur problematika të ndryshme që janë shqyrtuar nga Komisioni i Garancive Statutore dhe në të gjitha rastet i janë dhënë zgjidhjet e duhura”.

“Konstituimi i të zgjedhurve do të bëhet brenda 30 ditëve”, tha Hyseni.

TAHIRI: PS DO TA BEJE SHQIPERINE E DREJTE QE DUAM
Ora 14:30-Partia Socialiste është forca më e madhe, shpresa më e madhe që kanë sot bashkëqytetarët tanë.

Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Socialiste të Tiranës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së.

Ai ka nënvizuar se nuk ka një njeri të vetëm në këtë vend qoftë ky demokrat, socialist apo paparti që të mos presë, prej nesh më shumë se prej kujtdo tjetër, një Shqipëri më të drejtë e më të sigurtë.

Sipas zotit Tahiri ka ende shumë për të bërë, për të fituar besimin e të gjithë atyre që kanë pasur apo kanë një arsye për të mosbesuar ende.
‘’E gjithçka nuk kemi arritur të përfundojmë deri sot, nuk është sepse nuk duam, apo se ndonjë forcë e errët na mban peng. Por sepse reformat që kemi nisur për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë, dhe energjinë e të gjithë ju për të luftuar bashkë e për të bërë atë që askush nuk e ka bërë kurrë më parë në këtë vend.

Delegatë e anëtarë të PS, ndjehuni krenarë e ballëlart, se shumë kemi bërë e shumë më shumë do bëjmë, se në Shqipëri ka shpresë, shqipëtarët kanë shpresë, se ky vend mund të bëhet e do bëhet, nga ju, nga ne socialistët e progresistët e nga gjithkush tjetër që beson e lufton për më mirë’’ tha Tahiri.
Më tej ministri Tahiri theksoi se gjithçka që është bërë në vetëm 2 vjet e gjysëm, askush tjetër nuk i ka bërë në 25 vjet edhe pse mund t’i bënte çdo qeveri më parë.

Tashmë, sipas ministrit Tahiri detyra më e madhe është të bëjnë të mundur që në këtë vend askush të mos vuajë koston e padrejtësisë e pasigurisë.
‘’Ne i kemi hyrë një reformimi radikal, në sistemin e sigurisë që kërkon ndihmën tuaj e të kujdo tjetër që mendon të rrisë fëmijët në këtë vend. Duke u përballur me kostot e reformave. E po kështu me baltën nga qeveria e kaluar.

Sot Policia e Shtetit është e tëra në detyrë, për ti shërbyer qytetarëve. Kemi ndërmarrë reforma, nga ligjet, të Universiteti i sigurisë e deri te Komisariati Dixhital e kamerat e trupit, që na bëjnë optimist se jemi në rrugën e duhur, për të ndërtuar policinë e gjeneratës së re, e për ta bërë këtë vend më të drejtë. Shifrat e kriminalitetit, ti krahasosh me të kaluarën, por edhe me vendet e Europës, flasin qartë për mundësitë që kemi përpara për të bërë ende më shumë.

Viti 2015 është viti më i mirë në të gjithë historinë e pas viteve 90. Por ka ende shumë më shumë për të bërë. Mbi të gjitha sepse perceptimi i sigurisë dhe drejtësisë, nuk është policia. Ose të paktën vetëm policia. Eshtë drejtësia. Nga rregulli i përgjithshëm, te zyrtari i vogël i sportelit, deri tek gjykatat,’’ tha ndër të tjera ministri Tahiri.

RUÇI: NANO DHA GJITHÇKA PËR PS
ORA 13:55- Ashtu si parafolësit edhe Gramoz Ruçi, një nga veteranët e PS-së e ka nisur fjalën e tij me falënderime. Një prej figurave që është vlerësuar së tepërmi ka qenë edhe ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, për të cilin Ruçi tha se me dorëheqjen e tij në vitin 2005 dha leksionin e fundit të demokracisë. Ruçi tha se PS është shtëpia e të gjithë atyre që drejtuan duke i kërkuar ta falë PS-në për gabimet.

“Ky Kongres mblidhet 3 muaj para kremtimit të 25-vjetorit të themelimit të PS, ndaj do ta nisja fjalën me një përshëndetje të posaçme për të gjitha ato dhe ata mijëra gra e burra, që aderuan në forcën tonë politike në 25 vjet, që dhanë gjithçka për mbijetesën tonë, rritjen dhe reformimin e arritjet tona 25 vjeçare… Faleminderit, atij që dha gjithcka për rritjen, forcimin, përballimin e vështirësive të lindjes dhe rritjes, që bëri 4 vjet burg për të vetmin faj që kishte bërë se ishte kryetari jonë, të atij që edhe me aktin e fundit të dorëheqjes në 2005 dhe leksionin e fundit të demokracisë, Fatos Nanos. Ju drejtohem të gjithëve juve që drejtuat këto vite, PS është shtëpia juaj, ju thërret dhe ju kërkon ta falni edhe kur ka gabuar, përvoja juaj është jetike në çdo kohë për të përmbushur shpresat për një Shqipëri më të integruar në BE”, tha Ruçi.

Më pas ai ka folur për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. “Përgatitja e partisë për zgjedhjet e 2017, për mua tre pika janë jetike, e para fryma brenda nesh, nga mënyra si do diskutojmë edhe sot, çfarë do diskutojmë si do ta dëgjojmë njëri­tjetrin, edhe kur ndahemi me njëri­ tjetrin në mendime ta vendosë vota dhe fushata e fshehtë e pastaj ta pranojmë. Anëtarësinë edhe elektoratin ta dëgjojmë para se të pretendojmë të na dëgjojë, më pak takime publicitare, më shumë zgjidhje që na adresohen, frymë dmth ta ndjesh anëtarësinë. Këtu është fjala që nga telefonat e mbyllur, zyrat e mbyllura, para se të mbyllen të rrisin kontaktet njerëzore për të gjithë elektoratin e PS. Së dyti organizimi i partisë, do varet nga rregullat që do miratojmë, jam për rregulla të forta. Ashtu si familjen e mban morali, shtetin ligji, partinë e mban rregulli. Jam për domosdoshmërinë e zbatimit të këtyre rregullave, jam për unifikim dhe zbatim të unifikuar në gjithë territorin jo të ashtuquajturat projekte pilot”.

RAMA: PS FORCA UDHËHEQËSE E VENDIT NË DREJTIMIN E DUHUR
Ora 12:30- Që në fillim të fjalës së tij në Kongresin e PS-së, Edi Rama nuk ka mundur të anashkalojë debatin e madh në PS për kryetarin, debati i inciuar nga deputeti Ben Blushin. “Përshëndetje të gjithëve. Ja dolëm edhe këtë herë ta bëjmë Kongresin e socialistëve një ngjarje tërheqëse jo vetëm për njerëzit e shtëpisë tonë, apo fqinjët por krejt …mediatik. Nga ky Kongres priten piketat e vazhdimit të rrugës së re që kemi nisur së bashku për Shqipërinë dhe PS-në. Ka një pakicë shumë të vogël e cila nga ky kongres presin të shohin se si do i bëhet halli statutit, mandatit tim që sot këtu sipas saj jam i pazgjedhur, do të diskutoj hapur për këtë në pjesën e tretë të Kongresit. Jo vetëm kaq, ka në këtë kongres opinione të ndryshme edhe mbi gjëra të tjera me rëndësi apo me më pak rëndësi për përmirësimin e qeverisjes, ritmin e reformave. Jashtë kësaj shtëpie ka forca që presin me interes të madh çfarë do të ndodhë në këtë kongres. Qoftë të përmbyset dhe një gotë ujë që pastaj të bëhet fjala që anija jonë u përmbys, por do të zhgënjehen sërish”, u shpreh ai.

Rama theksoi se ‘nga ky Kongres ne do të dalim edhe më të gatshëm për t’u përmirësuar duke ecur vendosmërisht në vendin e duhur. Edhe më të motivuar për t’u rritur numerikisht dhe për tu fuqizuar moralisht dhe politikisht, forcën udhëheqëse të vendin në drejtimin e duhur, PS të Shqipërisë’.

“S’ka rëndësi se sa do të zhgënjehen se edhe ata e kane vëmendjen tek ky kongres. Një duartrokitje të merituar PS-së së Shqipërisë, një duartrokitje për çdo socialist që nuk është këtu por është pjesë. Duartrokitje për ata që i dhanë në krye të herës karakterin demokratik, njërin ndër ta mikun e çmuar dhe bashkëpunëtorin tim që nga dita e parë si lideri juaj, Gramoz Ruçin. Mes të tjerave më ka dhënë një këshillë kujdes kur përmend emrat, po t’ia kisha dëgjuar tërë këshillat Gramozit do isha bërë edhe unë një burrë po aq i urtë sa ai, normalisht nuk do e mbaja në krah të djathtë për të më ndihmuar të gaboj sa më pak dhe për të mi numëruar gabimet e mia. Aq më pak mund ta dëgjoj sot fjalën e tij. Së pari faleminderit që ke qenë gjithnjë në anën e duhur të kësaj partie duke ushqyer karakterin demokratik, faleminderit se ke qenë mbështetje për mua në momentet e vështira dhe gjykatës i rreptë në momentet më të mira!”, u shpreh kreu i qeverisë.

RAMA NE LISTEN E FALENDERIMEVE SOCIALISTET E VJETER, METEN E QUAN, ‘BASHKEKRYETAR’
Kongresi PS (1)

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar disa nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste në vite. Ai e nisi me Gramoz Ruçin për të cilin me elozhe tha se e ka patur mbështetje në ditët më të vështira dhe gjykatës në ditët më të mira. Por Rama nuk ka harruar të falënderojë edhe ish-liderin e PS-së, Fatos Nanon, pavarësisht se ky i fundit nuk mori pjesë në Kongres. Rama tha se dëshiron që ai të bashkohet në 25-vjetorin e PS-së.

“Falënderim edhe liderit të parë të kësaj partie Fatos Nanos. Dëshiroj të na bashkohet në 25-vjetorin dhe uroj të gjej fjalët e duhura për kontributin e tij në forcimin e karakterit dhe liderit të PS-së. Çfarë na ka ndarë me të nuk na ndan në dysh historinë e kësaj partie”, tha kreu i PS-së.

E në fund nuk ka munguar as falënderimi për Dritëro Agollin. “Falënderoj Dritëroin, meqë ishte i pamundur për të qenë këtu dhe për të na shpotitur me një gotë rakie po na ndjek nga ekrani. Një duartrokitje për të”, tha Rama.

Nën ritmin e falënderimeve, Rama bëri disa madje me etiketime të posaçme për gjithsecilin. Dade që sipas tij nuk perëndon, Gjinushi i lavdishëm, Ngjela që nuk i ndahet Aleancës për Shqipërinë Europiane, kokëforti Albin, Fino e Brace.

“Falenderime veteranëve të pranishëm ose jo në sallë, nga profesor Serveti që na jep ende leksione, Pandi Majko i pakonkurueshëm nga befasitë që na bën, nga Namiku që di të inatoseT pa mbajt inat, nga Erjon Brace që është socialisti më i paepur, nga Arta Dade që nuk njeh perëndim e Fino që nuk njeh kufij. Rexhepi, Malo etj ndjesë nëse harrova ndonjërin.
Falënderoj për ribashkimin e PS dhe e kam fjalën për bashkëkryetarin Ilir Metën e meqë e nisa me një parantezë evokimesh, nuk kemi vetëm kujtime të mira mes nesh, dy pjesë të kësaj familje nuk janë ende të çliruara nga pesha e së kaluarës.

I jam mirënjohes Masimo D’Alema, për mundimi që mori për të ndarë sot mendimet e tij dhe fuqinë e tij për të bërë mirë. Mikut të protestave tona, Stanishev, dhe natyrisht askush nuk do e zëvëndësonte dot mikun e dashur dhe nxitësin më të vendosur nga jashtë të ribashkimit të socialistëve të Shqipërisë, Pitella. Faleminderit kreut të socialistëve rumunë.
Protokolli më tha që Taulanti ka këshilluar që kryetarët e duan përshëndetjen e tyre me emra. Ndaj përshendes mikun tim kokëfortë Albin Kurti, por dhe një mik tjetër, Menduh Thaci. I lavdishmi Gjinushi, besnik i pandarë së të majtës, Ngjela rast unikal, jam me Alencën por kundër qeverisë”.

“FITORJA NË 2017 NUK VIHET NË DISKUTIM”
Kryeministri Rama u shpreh se, fitorja e zgjedhjeve të tjera nga PS as nuk vihet në diskutim. Duke u ndalur tek opozita, Rama e akuzoi atë se të vetmin mjet që po përdor për të kundërshtuar maxhorancën është balta.

“Kjo nuk është opozitë. Nuk është opozita që aq shumë i duhet këtij vendi. Nuk kanë asnjë vizion, kanë gjithë atë mllef për të ushqyer fanatizmin, nuk kanë asnjë program, as në kokë, jo më ne lëtër, por kanë gjithë kurajon e paturpësisë për të qëlluar përditë me përbaltjen bajate që është shndërruar në infeksion që synon të kapë dhe prekë zemrat e njerëzve në nevojë dhe që nuk kanë fuqi të mjaftueshme të durojnë. Kanë gjithë forcën e verbër të një të mbyturi të madh që i bën të kërkojnë të na mbysin edhe ne në llumin e tyre. Shpesh ja dalin të na tërheqin në atë llum dhe kjo për fajin tonë, që nuk qëndrojmë dot më lartë se niveli i baltës së tyre. Duhet ta marrim seriozisht të bëjmë këtë korrigjim në qëndrimin tonë dhe të merremi me njerëzit”, u shpreh ai.

Duke folur për reformat e ndërmarra deri më tani nga qeveria, Rama tha se fitoret e arritura nuk duhet të sjellin vetëkënaqësi, por sipas tij, qeveria “duhet të vazhdojë para me kokën ulur se shqiptarët presin edhe më shumë”.

“Ata që janë të shqetësuar dhe ngrenë ankesa që shprehin ankth dhe padurim janë edhe më shumë. Ata janë në të drejtën e tyre, ne nuk kemi të drejtë të ankohemi në padurimin e tyre. Arsyeja pse na votuan masivisht ishte besimi se drejtimi ynë do të sillte shumë më shpejt objektivisht se ç’është e mundur atë që presin prej vitesh të ndodhë. Ne mbajtëm shënim çdo pakënaqësi të tyre”, u shpreh Rama.

Por qeveria e vjetër, nga ana tjetër, sipas kryeministrit, ka mbetur aty ku ra, në 23 qershor të 2013-ës dhe nga aty – theksoi ai- përbalt arritjet e qeverisë dhe harron të bëjë një opozitë të fortë me program.

“Plagët kërkojnë kurë dhe shqiptarët kërkojnë zgjidhje, dhe nga aty qeveria e rënë bën dum në baltën e saj. Ata nuk bëhen dot opozita që i mungon vendit, s’kanë as një program në kokë jo më në letër, por kanë kurajën për të qëlluar me baltën e shpifjes. S’kemi bërë asnjë padrejtësi të qëllimshëm në dëm të interesave kombëtare, të popullit dhe çdo individi. Nuk kemi shitur ne ndonjë copë territori për ndonjë përfitim mizerabël politik, nuk kemi marrë jetës fëmijësh për tu pasuruar për të shitur municione, nuk kemi nxjerrë armët për të derdhur fishekë ndaj njerëzve që protestojnë, s’kemi dhënë ne koncesione për të pasuruar kompani të dyshimta private të lidhura pas oborrit të qeveritarëve”, u shpreh kryesocialisti Edi Rama.

ILIR META: KUR E MAJTA ËSHTË E BASHKUAR FITON GJITHMONË BINDSHËM. TANI SYTË TEK REFORMA ZGJEDHORE
Ora 12:20-“Unë duhet ta merrja fjalën pas De Biazit, normalisht pas gjithë italianëve të ftuar këtu, ai e meritonte të ishte. Vendosa të ndryshoj fjalimin tim, pasi dëgjova mikun tonë, Gianni Pitela, kur me nxitjen e tij, krijuam Aleancën për Shqipërinë Europiane.
Këto tre vjet, kjo aleancë ka arritur dy fitore mjaft bindëse në zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet vendore, duke konfirmuar të vërtetën historike se kur e majta është e bashkuar, fiton gjithmonë bindshëm. Kur e majta është e bashkuar në Shqipëri fiton gjithmonë bindshëm. Natyrisht kaq nuk mjafton se fitorja nuk është qëllim në vetvete, por unë mendoj se keni shumë arsye për të qenë krenar sot për shumë arritje të arritura sot, ndryshime që u bënë kur vendi rrezikonte një kolaps. Ishin këto reforma që u zhvilluan në kushte shumë të vështira në siguri, në shërbime publike, administratë publike ndryshime që bënë të mundur që vendi ynë të arrinte statusin e vendit kandidat në BE. Mjafton që ato të ndiqen që të japin frytet e tyre. Sot jemi në momentin e rëndësishëm për finalizimin e Reformës, asaj në Drejtësi, që është momenti më i rëndësishëm. Unë besoj se duke realizuar këtë reformë dhe duke miratuar paketën kushtetuese në javët e ardhshme, do japim një mesazh për qytetarët dhe partnerët tanë që kërkojnë forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë.
Ne realizuam reformën territoriale, dhe tani është mundësia që të gjithë të zgjedhurit të mund të rrisin cilësinë e shërbimit anembanë vendit. Ajo ku dua të ndalem është Reforma zgjedhore, e cila duhet të sjellë një hov tjetër cilësor për zgjedhjet në vendin tonë. Zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të jenë më të mira se të kaluarat, por duhet të jenë zgjedhjet me standardet më të larta.”

RENZI: SHQIPËRIA ROL TË MADH NË BE NË TË ARDHMEN, RAMA TË PUNOJË PËR TË ARDHMEN E SHQIPTARËVE
Ora 12:10-Kryeministri i Italisë, Mateo Renzi ka përshëndetur Kongresin e PS-­së me anë të një videomesazhi. “Evropa duhet të mirëpresë emigrantët që ishin nga vendet në luftë dhe konflikt. Italia e sheh Shqipërinë jo vetëm si vend anëtar të BE-­së por si vend me rol të madh në BE në të ardhmen”. Kryeministri italian i bëri thirrje Ramës që të punojë për të ardhmen e qytetarëve.

“Ne jemi të dashuruar me të shkuarën e Italisë, por edhe me të ardhmen e saj. Kjo duhet të vlejë dhe për ju. Rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Evropa”, tha Renzi duke ftuar shqiptarët që ta duan vendin e tyre.

LIDERI I SË MAJTËS EVROPIANE, GIANNI PITELLA PËRSHËNDET KONGRESIN, RAMA DEL NGA SALLA, ARRIN FUNDIN E FJALIMIT
Në Kongresin e socialistëve, një fjalim të zjarrtë e mbajti edhe kreu i të majtëve në Parlamentin Europian, italiani Gianni Pitella. Duke e prezantuar, deputeti Taulant Balla tha se nuk është ai Xhiani, duke theksuar se e ka fjalën për Gianni de Biazin.
Në skenë, Pitella tha se nuk është aq i fortë sa Gianni de Biazi.

Më pas ai shpërtheu në një fjalim me tone të forta.
“Jam shqiptar dhe italian. Të jemi të gatshmë që Shqipëria, Mali i zi e vende të tjera të bëhen anëtare të BE. Keni bërë gjëra madhështore, rritje ekonomike kulturore, rritja e universiteteve tuaja, qendrave tuaja kërkimore politikave të mjedisit, të energjisë, për të rinj. Ky qytet është shumë i bukur, i mrekullueshëm.
Ne jemi zgjidhja për refugjatët. Nuk jemi si e djathta europiane që pranon dhe të vrasë fëmijë refugjatë vetëm të mos i pranojë në BE e ti ndihmojë. Ne jemi ndryshe. Sfidat e mëdha socialistët i kanë në ADN e tyre”.
E ndërsa fliste Pitella, kreu i PS, Rama doli jashtë sallës së Pallatit të Kongreseve. Pak para tij doli Gramoz Ruci, kreu i grupit parlamentar të PS. Rama mundi të arrijë vetëm fundin e fjalimit të Pitella. Ja casti kur hyn ne salle.
rama

D’ALEMA: RAMA PUNË PERSONALE PËR TË KRIJUAR NJË FRYMË PAQEJE DHE MIRËKUPTIMI NË BALLKAN
Ish-ministri i jashtëm italian Massimo D’Alema ka mbajtur një fjalim plot emocione në Kongresin e PS-së. Ai ka përmendur të gjitha momentet kyçe në Shqipëri dhe bashkëpunimin në këto momente me Italinë. D’Alema tha se Shqipëria nuk është më një vend i njerëzve të dëshpëruar apo vend i skafeve por një vend që rritet dhe me një ekonomi që integrohet. Ish-ministri i Jashtëm i Italisë vlerësoi punën personale siç tha ai të kryeministrit Rama për dialogun dhe frymën e paqes në Ballkanin Perëndimor.

JA FJALA E PLOTË
Më kanë autorizuar ta mbaj fjalën time në italisht. Kam besim që tashmë televizioni ju ka përgatitur që të dëgjoni në gjuhën tonë, por është edhe dëshmia e një lidhje shumë të fortë mes popujve tanë. Para së gjithash do të doja të thoja disa fjalë si një evropian, si president i fondacionit kulturor për socialistë evropian dhe dua ti bashkohem asaj ndjenje krenarie të socialistëve europianë, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një vend modern dhe po ecën me reforma të guximshme drejt integrimit të plotë në BE. Nuk është më Shqipëria e njerëzve të dëshpëruar apo Shqipëria e skafeve. Sot është një vend që rritet, një ekonomi që integrohet me ekonomitë e vendeve të tjera. Kam qenë në Tiranë disa muaj më parë pasi isha i ftuar të merrja pjesë takimin e ministrave të Ballkanit Perëndimor. Fakti që pashë të uleshin në të njëjtën tryezë kryeministrin e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës, Malit të zi, të gjithë, më mallëngjeu thellësisht sepse të gjithë ne e dimë se cilat konflikte tragjike kanë përgjakur këtë pjesë të Evropës. Lejomëni të them se sa shumë e vlerësoj atë punë personale që po bën Rama për të krijuar një frymë paqeje dhe mirëkuptimi në Ballkanin Perëndimor. Dialog që nuk është cenuar as nga ndonjë incident në fushën e futbollit. Unë bëra tifozllëk që Shqipëria të futej në kampionatin Europian dhe kjo u arrit. Europa po kalon një periudhë të vështirë që ka të bëjë me ekonominë, papunësinë por edhe një krizë vlerash. Po shohim që po merr formë një e djathtë raciste. Ne socialistët nuk mund të heqim dorë. Nuk është fjala për të zgjeruar BE-në, ekziston një plagë në zemrën e BE-së, Ballkani Perëndimor. Është një angazhim që i kemi vënë vetes kundrejt popujve që kanë luftuar për lirinë e tyre, që kanë vuajtur dhe kanë paguar një çmim të lartë për tranzicionin demokratik dhe që janë pjesë e qytetërimit evropian.

Kjo Evropë e lodhur, e munduar ka nevojë për energjinë, për freskinë, vrullin që mund t’i vijë nga vende që e shohin me besim perspektivën evropiane. Ka diçka që Evropa mund t’ju japë ju por ka shumë që ju mund t’i jepni Europës. Në fund disa fjalë si Italinë: Ajo që na bashkon është një histori e gjatë por në këto 20 vitet e fundit, madje më shumë se 20 vjet e jona ka qenë historia e një miqësie të thellë dhe sigurisht e majta italiane e ka përjetuar marrëdhënien e saj me Shqipërinë me një frymë miqësie të madhe. Kemi bashkëndarë shpresa, kemi jetuar kriza dhe angazhimi i Italisë nuk ka munguar kurrë. Nga misioni Alba që u bë nga Romano Prodi deri në çastet e mëpasme. kemi fituar bashkë shumë beteja të vështira. Njëra, kemi fituar betejën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore dhe nëse në detin tonë Adriatik apo Jon nuk ndodh prej shumë vitesh ajo që ndodh në vende të Mesdheut është edhe sepse Shqipëria dhe Italia duke punuar së bashku e ndërprenë trafikun e qenieve njerëzore. Kemi qenë afër njeri-tjetri edhe në çastet dramatike. më kujtohet një Pashkë e shumë viteve më parë që e kalova në Pikën Kufitare të Kukësit në mes të maleve dhe vinte një lumë i vërtetë njerëzish të dëshpëruar, të plagosur, të dëbuar nga toka e tyre, Kosova. Ne ishim aty për t’i pritur, për t’i mikpritur së bashku. Më erdhi ndërmend duke parë në TV refugjatët e dëshpëruar të grupuar në kufijtë me Greqinë, Maqedoninë, fëmijë të lënë në mes të baltës përballë një muri dhe më erdhën ndërmend ato pamje të largëta të atyre refugjatëve të shumë viteve më parë. Më lejoni të bëj një thirrje për të gjithë: Kemi një detyrim moral, nuk mund t’i dëbojmë ata njerëz të dëshpëruar dhe t’i çojmë sërish drejt luftërave. Duhet të gjejmë një zgjidhje dhe duhet ta bëjmë sëbashku. Kemi asistuar egoizmin e shumë vendeve. Kjo tragjedi tregon se sa Evropa ka nevojë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto janë vlerat tona. Politika përbëhet nga debate, reforma, negociata por nëse një forcë socialiste harron vlerat njerëzore do të thotë se do të harrojë vetveten, këtë nuk mund t’ia lejojmë vetvetes. Le t’i bëjmë gjërat ku të fitojë solidariteti dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme të përbashkët.

TONI BLER: SHQIPËRIA PROGRES NË TË GJITHA DREJTIMET
Ora 11:30- Në Kongres nuk ka munguar as fjala e ish-kryeministrit të Britanisë, Toni Bler. Ai tha se do zgjidhte Shqipërinë si një vend ku mund të ndihet optimist për të ardhmen. “Lidershipi ka rëndësi dhe ai i Edi Ramës po i jep një shtysë të rëndësishme për këtë optimizëm. Shqipëria ka sfida të mëdha, po me politika të qarta dhe pragmatike, po ndodhin dy gjëra të rëndësishme, e para progres hap pas hapi në të gjitha drejtimet, e dyta nga statusi i vendit kandidat, tani Shqipëria mund të shohë përpara për një të ardhme brenda familjes së madhe evropiane. Ne duam të shohim Shqipërinë në BE. Është një vend i larmishëm sa i i përket besimit fetar, pjesa më e madhe janë muslimanë por është një vend që krenohet me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare. Shqipëria ka kaluar shumë kohëra të ërreta, por e ardhmja e saj është e ndritur dhe e merion të jetë e tillë”, tha Bler.

ARBEN NDOKA NE KONGRES, HAFIZI E BLUSHI ULEN BASHKE. NUK MUNGON KAUBOJSI
Një ndër emrat që aspiron të garojë përballë Edi Ramës për kreun e PS është dhe Eduart Ndocaj.
Në sy bie pjesëmarrja e Arben Ndokës, ish-deputeti socialist i Lezhës që la mandatin pas episodit të sherrit me Genc Strazimirin.
Nuk dihet nëse Ndoka është delegat apo i ftuar, ndërsa në rreshtin e dytë është ulur Ben Blushi i shoqëruar nga Mimoza Hafizi e Shkodrës.
kaubojs

STANISHEV: PS ME RRËNJË TË THELLA, I REZISTOI REGJIMIT TË BERISHËS
President i PSE, politikani bullgar Sergei Stanishev tha se Kongresi i PS-së është momenti i së vërtetës. “PS, parti e fortë me rrënjë të thella, fituat mbi regjimin autoritar të Sali Berishës. Dy vite më parë fituat, ju çuat mesazhin se cili ishte drejtimi duhur për Shqipërinë. Sot është dukshme se po e ruani drejtimin e duhur për Shqipërinë. Prova më e madhe për çdo parti është pushteti, nëse mbani premtimet, ruani vlerat dhe bëni për qytetarët tuaj. Ju arritët të kryeni shumë reforma të rëndësishme, duke ofruar institucione më të mira dhe funksionale dhe bëtë edhe diçka me rëndë, ju hoqët dorë nga shumë qasje të së kaluarës duke vendosur institucione moderne për Shqipërinë. Besoj se ky vit me rëndësi për reformat dhe sistemin gjyqësor pasi është me rëndësi për të ardhmen evropiane. Ky vit, një fillim i vërtetë për negociatat për anëtarësim në BE. Familja socialiste në Evropë gjithmonë ka këmbëngulur se duhet të vazhdojmë procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Kjo është një politikë e bindshme e social demokracisë evropiane. Vitin e kaluar një fitore bindëse, sot slogani i Kongresit është diçka që lidhet me të ardhmen, ‘Të punosh për brezat e ardhshëm të Shqipërisë’. Në shumë kongrese ka shumë debate, dhe jemi kritikë me veten, pro e rëndësishme të kujtojmë se kemi punë për të bërë. Pas kongresit do të realizoni edhe më shumë. Lavdëroj Edi Ramën për çdo gjë që ka bërë për të sjellë dinamika të reja në parti por edhe për rolin që ka marrë në rajon”, tha Stanishev.

ALEATET E PS NDJEKIN KONGRESIN
Të ulur si miq aleatë të PS që ndjekin punimet e Kongresit, janë Ilir Meta, Skënder Gjinushi e Paskal Milo.

Ora 11:10- Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz në një video-mesazh ka shprehur keqardhjen që nuk ka mundur të jetë Kongres dhe vlerësoi reformat e qeverisë

“Më vjen keq që nuk munda të jem…Evropa është në tension dhe solidariteti vë në prove institucionet evropiane, të gjithë aktorët duhet të bashkëpunojnë, të tregojmë kujdes që kriza të mos pengojë rrugën e stabilitetit. Qershorin e kaluar pashë me sytë e mi progresin e madh por pavarësisht s’duhet të harrrojmë reformat që keni për të bërë. Lavdëroj kontributin e Ramës për të përmirësuar qasjen ndaj drejtësisë sociale….shumë suksese për Kongresin tuaj”, tha Schulz.

JA KUSH MUNGON NË KONGRESIN E PS
Me gjithë një pjesëmarrje të gjerë me figura edhe ndërkombëtare, Partisë Socialiste i mungojnë disa prej aleatëve dhe figurave të njohura. Kështu mësohet se mungon kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule si dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Gjithashtu nuk marrin pjesë ish-presidentët, Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu.

VELIAJ: PS PO DREJTON NË MËNYRËN E DUHUR PREJ 2 VITESH
Ora 10:50- Himni kombëtar ka çelur siparin e Kongresit të PS. Menjëherë pasi të pranishmit kanë kënduar në kor në skenë është ngjitur kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili iu ka uruar mirëseardhjen të gjithëve, duke nisur nga ata që kanë ardhur prej së largu.

“Ju urojmë mirëseardhje të ngrohtë. Së pari dua t’iu uroj një mirëseardhje atyre që kanë ardhur në Shqipëri për herë të parë, miqve që kanë udhëtuar gjatë për të qenë në Kongresin e PS. Mirëseardhjen e dytë për delegatët e PS, jeni fryti i një procesi fantastik, ky qytetarët ju kanë zgjedhur që të jeni zëri i tyre të votoni për të ardhmen e PS dhe të ardhmen e Shqipërisë nën drejtimin e PS-së. Mirëseardhje edhe për anëtarët më të rinj. PS u konfirmua në pushtet në 2013 me një fitore historike dhe prej 2 vitesh drejton në mënyrën e duhur. Para 7 muajsh pas reformave jo të lehta ne u rikonfirmuan në pushtet dhe sot PS administron jetën e 80% të qytetarëve të Shqipërisë dhe ky ishte konfirmimi se ne jemi në rrugën e duhur”, tha Veliaj.

Duke vijuar më tej, kreu i Bashkisë së Tiranës është ndalur edhe tek debatet e pritshme duke dhënë një mesazh. “Ne në opozitë kemi mësuar si të jemi të përulur, si rrëzohemi bashkë të ngrihemi prapë bashkë, e di që sot do ketë shumë debate, Tirana është një vend që ka hapur shumë debate por mos ngatërrojmë një gjë, PS nuk është qëllim në vetvete, kryetari s’është qëllim në vetvete, janë mjete në duart të socialistëve, ndaj mos i trajtojmë garat tona si qëllim në vetvete. Por si fuqi në duart e cdo shqiptari për ta cuar vendin në drejtimin e duhur”,­ tha Veliaj.

VELIAJ: ARTAN LAME ËSHTË OPERUAR MBRËMË, I UROJ SHËRIM TË SHPEJTË
Kreu i ALUIZN-it, Artan Lame nuk do të ndjekë punimet e Kongresit të Partisë Socialiste. Mësohet se socialisti Lame mbrëmjen e djeshme i është nënshtruar një operacioni në zemër. Këtë e bëri të ditur në punimet e Kongresit, Erion Veliaj që përshëndeti punimet që do të zgjedhin Asamblenë e re të PS. “Artan Lame është operuar mbrëmë. I uroj shërim të shpejtë e rikthim të shpejtë në punë”, tha Veliaj.

PROGRAMI

Do të jetë kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama që do të mbajë fjalën përshëndetëse, pas verifikimit të mandateve të të gjithë delegatëve. Gramoz Ruçi do të flasë për raportin e anëtarësimeve dhe zgjedhjet në PS e më pas pritet të ketë një raport të Komisionit të Garancive Statutore. Kongresin pritet ta përshëndesin, veç aleatëve edhe figura të së majtës evropiane.

Kryeministri Italian, Mateo Renzi, ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe kryetari i grupit social-demokrat në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, të cilët do të jenë aty përmes videomesazhit. Në Kongres do të jetë i pranishëm lideri i së majtës europiane, Gianni Pitella si dhe përfaqësues të partive politike shqiptare nga Kosova e Maqedonia. Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti ishte që dje, i pranishëm në pritjen që Rama organizoi për delegatët dhe po kështu një tjetër figurë e së majtës Italiane, Massimo D’Alema.

KODHELI: KONGRESI I PS, FESTË, REFERENDUMI SHPREHJE E DEMOKRACISË
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e ka cilësuar referendumin e propozuar nga kryeministri Edi Rama një shprehje të demokracisë. Në një prononcim para nisjes së Kongresit, Kodheli tha se e konsideron kongresin e PS-së një festë të madhe ku takohen socialistët.

“Unë kongresin e PS e konsideroj një festë të madhe ku socialistët takohen, shkëmbejnë mendime. Procesi i rëndësishëm, ai ku besojmë, i mënyrës se si zgjidhen organet, mënyrën e qeverisjes pas 2017. Nuk është e rëndësishme nëse do isha pro apo kundër referndumi. Besoj tek procesi tek teza e hedhur nga kreu i PS. Jam rigide e pranimit ose mospranimit. Është një gjë që konsiderohet pozitive, e përhap demokracinë. Referendum apo jo do e merrni vesh në fund”, tha Kodheli.

E pyetur për koleget e saj që kanë kërkuar zgjedhje në PS, Kodheli tha se vlerëson rëndësinë e mendimit.

“Më së pari nëse një opinion apo mendim ndryshe vjen nga një anëtar i PS, nuk e shikoj nëse është thënë nga një grua apo burrë, vlerësoj rëndësinë e mendimit. 50% gra është risi. Kryetari është zgjedhur një anëtar, një votë. Referendumi është demokratik. Kur vij në Kongres vij si pjesë e qeverisjes dhe e PS, nuk e shikoj si anëtar grua apo burrë”, tha ajo.

DEBATET
Ajo që pritet të shkaktojë debate është pika e ndryshimeve në statutin e PS-së, ku tashmë është bërë i njohur neni i ri, sipas modelit laburist që kryetari i partisë rikonfirmohet kur partia fiton zgjedhjet dhe mund të zgjidhet vetëm nëse 10% e delegatëve e kërkon këtë. Një pjesë e deputetëve, si Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Arta Dade, etj kanë këkruar që të ketë zgjedhje për postin e kryetarit të partisë. Madje këtë Blushi pritet ta propozojë edhe në fjalën e tij, ndërkohë që kryeministri Rama pritet të lançojë propozimin e tij, për t’ju drejtuar anëtarësisë së PS-së, brenda 30 ditëve nga Kongresi, ku ata do të pyeten në një referendum nëse duhet të ketë zgjedhje për kryetarin. Kjo pikë pritet të sjellë përplasje në diskutimet brenda PS-së edhe në Kongres.

ASAMBLEJA
Po sot, delegatët do të votojnë për 175 anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Përpos kritikave, Ben Blushi do të jetë anëtar i Asamblesë Kombëtare, për shkak të mandatit të deputetit ashtu si të gjithë deputetët që hyjnë automatikisht në forumin e lartë. Por, një kufizim ka këtë herë në statutin e ri. Nga kandidimi për anëtar Asambleje përjashtohen të gjithë ata socialistë që kanë statusin e nëpunësit civil. Për shkak të këtij rregulli të ri që do të miratohet sot me ndryshimet në statut, nga Asambleja privohen një sërë emrash të njohur.

Secili Qark do të ketë një përfaqësim të tij, në asamblenë e re. Kështu Tirana, përfshirë edhe Kamzën e Paskuqanin do të ketë rreth 32 anëtarë Asambleje. Në presidiumin e Kongresit do të ketë herë pas here ndryshime. Moderimi do të jetë në dorë të Gramoz Ruçit e Taulant Ballës, në pjesën më të madhe të kohës. Kongresi do të votojë edhe për 9 anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore.

(m.k/d.b/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb