TIRANË

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se gjuha shqipe është e rrezikuar për shkak të presionit të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe mundësia për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse.

Rama e nisi fjalën e tij me mesazhin e Kongresit të Manastirit, teksa tha se nëse atëherë mësimi i shqipes dhe arsimimi i popullit shqiptar ishte për delegatët e kongresit të Manastirit mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit.

“Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapje të Kongresit të dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull nga Kongresi i Manastirit një gur themeli që u fokusua te gjuha dhe më pas te arsimi, ne mblidhemi këtu në një Kongres që natyrisht është shumë modest për nga pesha se sa kongresi i manastirit por që në thelbin e vet ka të njëjtin shqetësim, përparimin e kombit shqiptar. Mësimi i shqipes dhe arsimimi i popullit shqiptar ishte për delegatët e kongresit të Manastirit mjeti më i fuqishëm për të fituar pavarësinë, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit. Shumë kush mund të pyesë, por nga se do ta mbrojmë ne gjuhën shqipe, ndërkohë që përgjigjja është e thjeshtë, mjafton të harxhojë secili për të lundruar në gjithë kanalet e informacionet që të shikojë se çfarë ndodh me gjuhën shqipe, çfarë ndodh me shenjat e pikësimit, me pikat mbi ë, me formulimin e strukturës së fjalive dhe me ortografinë në tërësi. Teksa brezi më i ri përfshihet me shpejtësi në rrugën e komunikimit përmes tel celularë, përmes kompjuterëve, gjuha është më e rrezikuar dhe nga ana tjetër kjo nuk i ndodh vetëm gjuhës sonë, por të gjitha gjuhëve që janë në këtë presion të madh të konsumit të fjalëve për të komunikuar në një moment kur distanca është zëruar dhe mundësia për komunikim bëhet gjithmonë e më marramendëse. Besoj se na takon të gjejmë mënyra dhe të kërkojmë përmes një dialogu të gjerë mes nesh, rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne jemi thellësisht të përfshirë”, tha Rama.

Ai theksoi më tej se sikundër nga ana tjetër na takon të shohim me shqetësim se domosdoshmëria për të rritur standardet e arsimimit dhe për t’i njehsuar këto standarde me kornizën e standardeve më të mira bashkëkohore është një urgjencë e madhe, pasi po njësoj dhe gjithë procesi i mësimdhënies dhe mësimmarrjes është nën presionin në rritjen e vazhdueshme të transformimeve teknologjike.
“Libri bëhet përherë e më i huaj dhe rrugët e komunikimit bëhen kaotike dhe të pakontrollueshmne.
Ajo që është pak por është shumë e sigurt është se sot ne kemi nevojë më shumë se asnjëherë më parë për të bashkuar mendjet tona përtej kufijve të Shqipërisë, në të gjithë hapësirat ku jetohet dhe flitet shqip”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se është shumë e rëndësishme për ne që ky bashkim mendjesh të na japë më shumë të kuptojmë dhe të gjejmë se si dhe çfarë duhet të vendosim për të nesërmen.

Nga ana tjetër, Rama vlerësoi se enciklopedia shqiptare, fjalori i madh i gjuhës dhe libri themelor i historisë së shqiptarëve janë projekte që kanë hyrë në rrugën e jetësimit të tyre.

“Është për të ardhur keq që për shumë e shumë vite ne nuk e patëm këtë mundësi, por nga ana tjetër lajmi i mirë është se sot është shtruar rruga për t’i pasur këta libra shumë themelorë për kombin tonë, botën tonë akademike dhe për brezat e tjerë. Libra të hapur që çdo gjeneratë i pasuron dhe i përmirëson, por që sot janë mungesa e boshllëqe të mëdha në këtë rrugë, ku përpjekja për gjuhën duhet të jetë e gjithanshme”, tha Kryeministri.

Rama tha se është gjë e madhe dhe bëjmë mirë që kërkojmë në vazhdimësi të dimë sesa të aftë janë të rejat dhe të rinjtë tanë për të folur anglishten, është gjë e madhe dhe shumë mirë që kemi një sistem të tërë provimesh të anglishtes, por është realisht një mangësi sot që nuk kemi të njëjtin sistem për gjuhën tonë amtare që e marrim si të mirëqenë pasi mësojmë fëmijët tanë të lexojnë dhe të shkruajnë shqip.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb