Bayern Munchen mbron kreun në Bundesligë, duke mposhtur një nga rivalët direktë. Bavarezëve u mjaftoi vetëm pjesa e parë 45 për të thyer 3-0 Union Berlin dhe për t’iu bashkuar Dortmundit në krye të renditjes.

Skuadra nga kryeqyteti rezistoi 31 minuta. Bavarezët nuk u ndalën në çerekorëshin e fundit të pjesës së parë. Choupo-Moting zhbllokoi takimin me një gol me kokë. Në minutën e 40’ erdhi dyfishimi nga ana e Kingsley Coman, i cili dribloi portierin dhe realizoi.

Francezi shfrytëzoi një asist të Thomas Muller. Ky i fundit dhuroi një tjetër pasim në minutën e parë shtesë të fraksionit të parë dhe Musiala nuk e pati të vështirë ta dërgonte në rrjetë. Pjesa e dytë nuk solli më gola, Bayerni menaxhoi avantazhin e trefishtë dhe tani numëron 46 pikë, aq sa ka edhe Dortmund.

Union Berlin mbetet forcë e tretë me 43 pikë. Skuadra e Fischer nuk humbiste në Bundesliga prej 13 nëntorit të vitit të kaluar ndaj Freiburgut. Ndërsa Bayern është ngjitur në kuotën e 100 golave sezonalë, si asnjë skuadër tjetër në pesë ligat kryesore. I kënaqur pas kësaj fitoreje edhe trajneri Nagelsmann.

“Mund të kishim shënuar më shumë gola në pjesën e dytë. Gjithsesi, rëndësi ka fitorja dhe kjo është skuadra që dua të shoh në fushë në çdo ndeshje: Konkrete dhe kompakte. Nëse luajmë vazhdimisht kështu do ta kemi më të lehtë për titullin dhe objektivat e tjerë”, u shpreh trajneri i Bayern.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb