TIRANE- Autoriteti i Konkurrencës dhe Enti Rregullator i Ujit janë përfshirë në një konflikt institucional për tarifat e ujit në Ujësjellësat e Tiranës, Skraparit dhe të Gramshit.

Në kohën kur ndërmarrjet rritën tarifat të cilat u miratuar nga ERU, Autoriteti i Konkurrencës i kërkoi ERRU të kërkojë ndarjen e kostove për ujin e pijshëm nga kostot e trajtimit të ujrave të zeza.

ERRU e i ka revokuar vendimet e Autoritetit të Konkurrencës. Nga analiza e rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Konkurrencë me vendimin Nr. 518, datë 22.05.2018, ERRU shprehet se është në vëmendjen kryesore të saj që në të ardhmen shoqëritë t’i paraqesin të ndara kostot për shërbimin e furnizimit me ujë dhe për shërbimin e largimit të ujërave të ndotura dhe në analizën e tarifave të propozuara nga shoqëritë “Ujësjellës Kanalizime Skrapar”, SHA dhe “Ujësjellës Gramsh” SHA, si edhe për pikat (b), (c) dhe (d) për “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” SHA.

ERRU shprehet se ka marrë parasysh të gjitha kostot për kategoritë e ndryshme të konsumatorëve dhe shërbimeve, nga të cilat përcaktohen nevojat për të ardhura, dhe në përfundim përcaktohen tarifat përkatëse, shkruan “monitor”.

Më tej sqarohet se rritja graduale e tarifave është një princip logjik që ERRU ka parasysh në analizat dhe vlerësimet e saj për tarifat. Ky nuk është një parim i detyrueshëm për t’u aplikuar sidomos në rastet kur tarifat ekzistuese janë mjaft larg pragut të përballueshmërisë, siç ishte rasti i tarifës për UK Tiranë. Pra nuk ka qenë rasti që të mund të konsiderohet ky rekomandim i Komisionit të Konkurrencës.

Duke pasur parasysh në kompleks të gjithë faktorët (tarifat ekzistuese, gjendjen e aseteve të sistemit të furnizimit me ujë e kanalizimeve, nevojat për investime, mundësinë reale të uljes së humbjeve, normën e arkëtimit etj.) ERRU e ka konsideruar të arsyeshme rritjen e të ardhurave 96% nga tarifat dhe 4% nga rritja e nivelit të arkëtimit, sepse kjo e fundit që shoqëria e ka përcaktuar si objektiv nga 80% që është aktualisht në 92% konsiderohet jo vetëm realist por edhe ambicioz.

Si përfundim ERRU-ja kërkon revokimin e vendimeve të Komisionit të Konkurrencës, përkatësisht për shoqëritë “Ujësjellës Kanalizime Skrapar” SHA dhe “Ujësjellës Gramsh” SHA, si edhe për pikat (b), (c) dhe (d) për “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” SHA.

Por Autoriteti i Konkurencës shprehet se, revokimi i një vendimi të Komisionit të Konkurrencës parashikohet në procedurat për marrëveshjet dhe abuzimin me pozitën dominuese (neni 46), procedurat për përjashtimin e marrëveshjeve nga ndalimi (neni 51) dhe në procedurat për kontrollin e përqendrimeve (neni 63).

Ptra, Ligji Nr. 9121/2003 nuk parashikon revokimin e vendimit të Komisionit të Konkurrencës në rastin e dhënies së rekomandimeve sipas neneve 69 dhe 70 të tij dhe në zbatim të nenit 32 do i referohemi Ligjit Nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë” (K.P.A).

Gjithashtu, referuar K.P.A-së, në asnjë nen të tij nuk parashikohet revokimi si mjet ligjor administrativ ndaj një veprimi apo mosveprimi administrativ. Mjetet ligjore administrative ndaj çdo veprimi apo mosveprimi administrativ të përcaktuara në nenin 128 të K.P.A janë: Ankimi administrativ; Kundërshtimi administrativ; dhe Rishikimi.

Nga vlerësimi i mjeteve ligjore të mësipërme të përcaktuara në Kreun (II), (III) dhe (IV) të Pjesës Gjashtë të K.P.A-së dhe afateve brenda të cilëve duhet të paraqiten, rezulton se kërkesa e depozituar nga ERRU është jashtë afateve të përcaktuara në K.P.A dhe për këtë arsye nuk është e pranueshme dhe duhet të rrëzohet pa u shqyrtuar në themel të tij.

Procedurat për realizimin e mbledhjeve të Komisionit të Konkurrencës realizohen në bazë të nenit 11, pika 2, të “Rregullores për funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës”, e cila parashikon edhe afatet kohore të shqyrtimit të rasteve.

Autoriteti i Konkurencës analizon se kërkesa e ERRU për revokimin e vendimeve të Komisionit të Konkurrencës, përkatësisht për shoqëritë “Ujësjellës Kanalizime Skrapar” SHA dhe “Ujësjellës Gramsh” SHA, si edhe për pikat b), c) dhe d) për “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” SHA, nuk parashikohet në Ligjin Nr. 49121/2003, si dhe është paraqitur pranë Autoritetit të Konkurrencës jashtë afateve të përcaktuara në K.P.A dhe për këto arsye, kjo kërkesë nuk është e pranueshme dhe duhet të rrëzohet.

Komisioni i Konkurrencës, bazuar në nenin 24, gërma (d), nenin 32, nenin 69 dhe nenin 70 të Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar dhe neni 128 e vijues të Ligjit Nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë” (K.P.A) vendosi të mospranimin për shqyrtim të kërkesës së ERRU për revokimin e vendimeve të Komisionit të Konkurrencës Nr. 522, datë 07.06.2018, Nr. 518, datë 22.05.2018 dhe pikave (b), (c) dhe (d) të vendimit Nr. 492, datë 28.12.2017.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb