Nga: LORENC RABETA*

TIRANE- Departamenti i Administratës Publike ka bërë publikë emrat e 1840 kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë të konkurrimit për 130 vende vakante në institucionet shtetërore. Vendet vakante ishin shpallur nga DAP gjatë dy muajve të fundit, ndërkohë që me largimet e reja nga puna për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj OSHEE pritet që në vazhdim të ketë edhe konkurse të reja për plotësimin e vendeve të punës.
“Gazeta Shqiptare” publikon sot listën me 130 vendet vakante në administratë, ashtu si emrat e personave që kanë kaluar fazën e parë të konkurrimit. Këtyre të dhënave u shtohet gjithashtu, edhe data dhe vendi ku do të zhvillohet faza e dytë e konkurseve, të cilat do të nisin nga 9 dhjetori për t’u shtrirë deri më 22 dhjetor. Ajo që bie në sy në njoftimet e DAP është se prioritet në aplikimin për vendet vakante të kategorisë ekzekutive u jepet nëpunësve që aktualisht punojnë në administratën shtetërore. Në të gjitha njoftimet për pozicionet e lira, DAP thekson se aplikimet e reja do të merren parasysh vetëm nëse ato nuk plotësohen përmes kësaj procedure.
“Pozicionet më sipër u ofrohen fillimisht nëpunësve civilë të së njëjtës kategori për procedurën e lëvizjes paralele! Vetëm në rast se nga këto pozicione, në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele, rezulton se ende ka pozicione vakante, ato janë të vlefshme për konkurrimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil për kategorinë ekzekutive”, thekson DAP në shpalljet për vendet e reja të punës.
365 LARGIME
Ndërkaq, largimet e fundit masive për shkak të faturave të papaguara të energjisë duket se do t’i hapë mjaft punë Departamentit të Administratës Publike. Vetëm dje, mospagimi i faturave të energjisë elektrike u ka kushtuar vendin e punës 234 punonjësve të OSHEE-së, të cilët rezultojnë debitorë prej vitesh. Administratori i OSHEE-së, Ardian Çela, bëri të ditur se 234 punonjës janë shkarkuar tashmë nga detyra, pasi kanë fatura të papaguara të energjisë. Ndërkohë që vetëm pak ditë me parë, plot 131 punonjës të Policisë së Burgjeve u liruan nga detyra për shkak se nuk kishin paguar energjinë për periudha deri në 13 vjet. Përmes një statusi në “Facebook”, kryeministri Edi Rama theksoi se punonjësit e shtetit duhet të jenë shembull në pagesën e taksave. “Kush abuzon me energjinë s’mund të marrë rroga me lekët e taksave! Të punosh në shtet domethënë të jesh shembull në pagesën e dritave, ujit, taksave”, shkruante Rama.

(Listën e plotë të vendeve vakante dhe të konkurentëve që kanë kaluar fazën e parë të konkurrimit mund t’i lexoni sot në Gazeta Shqiptare)

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb