TIRANE – Komisioni i posaçëm parlamentar për Dekriminalizimin, ka miratuar sot projektligjin e dakordësuar pozitë-opozitë, që trajton çështjen e ndalimit të zgjedhjes dhe ushtrimit të funksionit nga persona me rekorde kriminale, i quajtur ndryshe drafti “Për dekriminalizimin’.

Pas gati një viti debatesh, palët ranë dakord përfundimisht për të miratuar një draft të përbashkët për këtë çështje, ku nuk kanë gjetur dakordësi vetëm në një pikë, në testin e drogës.

Ndërkohë që konsensusi është arritur për pika të tjera, siç është verifikimi i shenjave të gishtërinjve, si mënyra më e sigurt, sipas opozitës, për identifikimin e personave me të shkuar kriminale, që mund të kenë përdorur disa identitete.

BALLA: NUK E MIRATUAM NENIN QESHARAK PËR TESTIN E DROGËS
Deputeti socialist Taulant Balla tha se konsensusi i arritur mes mazhorancës dhe opozitës është një lajm i mirë për politikën shqiptare. Balla theksoi se neni për testin e drogës nuk u miratua, pasi sipas tij, mazhoranca nuk mund të pranojë t’i bëjë ligjet qesharake.

“Jam shumë i gëzuar që sot më në fund arritëm t’i japim fund këtij procesi të nisur kohë më parë. Nuk ka dhe nuk kishte asnjë shans që të miratonim nenin qesharak të atij testi të drogës. Nuk ka asnjë vend në botë që ka nen të ngjashëm në legjislacion të ngjashëm për këtë çështje. Kush e ka propozuar për të damkosur Shqipërinë në sytë e gjithë botës me këtë nen të turpshëm le ta miratojnë atë në statutin partisë së tyre dhe aty po deshën le të bëjnë testin e drogës, alkoolit, edhe testin e diabetit, apo duhanit nëse duan ta bëjnë. Ne nuk duam që kur miratojmë ligje në kuvend ti bëjmë ato qesharake. Për çëhstjet e tjera kemi qenë të gjithë 100% dakord.”- deklaroi Balla.

Ndërkohë në një prononcim të shkurtër për mediat, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho tha se shpreson që PD të ofrojë të njëjtin konsensus edhe për ndryshimet kushtetuese.

BYLYKBASHI: NUK U GJET DAKORDËSI, POR NE NUK TËRHIQEMI NGA TESTI I DROGËS PËR ZYRTARËT
Kryetari i Komisionit, deputeti i PD-­së, Oerd Bylykbashi, ka theksuar se paralelisht me këtë do punohet edhe për përmbylljen e paketës së ndryshimeve kushtetuese që reflektojnë këtë ligj shumë të rëndësishëm.

“Kur Kuvendi të miratojë ndryshimet me do ia lëmë ligjit të gjejë deputetët apo zyrtarët, përfshirë kryetarët e bashkive për verifikimet e nevojshme”, tha ai, duke theksuar se numri mund të dalë edhe më i madh nga sa është denoncuar nga opozita.

“Ka afate për miratimin e akteve dhe për verifikimet, për ata që janë sot në funksione publike do të operohet menjëherë dhe çdo person do humbasë mandatin sapo të dalë konkluzioni. Brenda muajit që vjen e kemi mbyllur kornizën zbatuese, e besoj do të jetë vitin tjetër në zbatim”, tha ai.

Bylykbashi u shpreh se PD i qëndron kërkesës së saj për testin e drogës.

“Ligji është diskutuar dhe miratuar në tërësi por duke patur parasysh që ka patur diskutime dhe debate lidhur me një sërë cështjesh që kanë qenë pozicione principale dhe propozime të anëtarëve të PD, në komision u diskutua në lidhje me testin e drogës dhe pati debate në lidhje më të. PD i qëndron pozicionit të saj në lidhje me testin e drogës për të gjithë, si një instrument shumë i rëndësishëm për integritetin e zyrtarëve të lartë të cilët ushtrojnë funksione por në këtë mbledhje gjatë gjithë negociatave nuk u gjet dakortësia dhe mazhoranca e votoi kundër këtë nen dhe cdo dispozitë tjetër që lidhet me të. Gjithashtu u diskutua edhe ndalimi për të ushtruar funksione politike persona, të cilët në shkelje të kushtetues kanë përfituar fonde publike por dhe kjo nuk u pranua nga mazhoranca në komision. E thënë e gjithë kjo, u punua në mënyrë intensive për të gjithë nenet që ishin tashmë të rakorduar në aspektin teknik. Produkti final është që ligji për dekriminalizimin tashmë është miratuar në komision, do të jetë i hapur për debat më pas në Kuvend, për cështje politike që do të duhen trajtuar përfundimisht, sic e përmenda testin e drogës.

Dhe në të njëjtën kohë do të punohet edhe me shpejtësi në komision për të përmbyllur edhe paketën e ndryshimeve kushtetuese, për ato ndryshime që do të trajtojnë këtë ligj shumë të rëndësishëm, një ligj, i cili do të vendosë vërtetë një standard shumë të lartë dhe rigoroz për të gjithë kriminelët, të cilët deri më sot kanë tentuar, kanë marrë ofiqe publike në marëveshje me mazhorancën politike, që drejton sot këtë vend por edhe në të ardhmen askush mos të guxojë ti afrohet funksioneve publike. Besoj që ndryshimet kushtetuese do të jenë një mur shumë i fortë për të bërë ballë cdo lloj pretendimi ndaj secilit që mendon se mund ta sigurojë këtë ligj për interesa politike dhe të sjellë përsëri kriminelët në pushtet”, tha Bylykbashi në një deklaratë për mediat.

Zoti Bylykbashi a është ashpërsia e Ligjit Severino tek ashpërsia e ligjit Bylykbashi, sa deputetë preken, sa kryetarë bashkish?
Përtej cdo lloj emërtimi që bëhet, të gjithë shqiptarët do ta njohin këtë ligj si ligji i dekriminalizimit të politikës dhe funksioneve publike, një term, i cili është ngulur dhe do të mbetet në opinionin publik dhe debatin tonë politik. Neve sot do tia lejmë ligjit, në momentin kur parlamenti do të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe këtë ligj, që të operojë me efikasitet për të gjetur të gjithë ata deputetë, zyrtarë të lartë në funksione kushtetuese apo jo, në administratën publike dhe në cdo segment të parashikuar nga ligji të jetës publike, që të largohen përfshirë pushtetin vendor kryetarët e bashkive, të cilët sic e është deklaruar edhe nga shtetet partnere kanë kandiduar me bekimin e kryeministrit dhe të mazhorancës që qeveris sot Shqipërinë edhe pse kishin rekorde kriminale. Këta persona në momentin që do ti konstatohet formalisht nga ky ligj shkelja e kritereve që vendos ky ligj do të lënë mandatin menjëhërë. Pra të gjithë ata që janë sot, numri mund të jetë sa është deklaruar mund të jetë më i madh kjo nuk ka rëndësi, tashmë procesi nuk bëhet me vullnetin e kryeministrit që për ti fshehur këta persona ose i largon për arsye të interesit të tij politik, apo i fsheh në pushtetin vendor: të gjithë personat që në këto dy vjet kanë penetruar në funksione publike dhe kanë rekorde kriminale, do të largohen. Numri besoj do të jetë i lartë.

Sikur ligji hyn në zbatim sot, sa kohe do të dojë të zbtohet ky ligj për x person
Ne kemi parashikuar që së pari ligji të mos jetë një histori e një miratimi të mirë e të harrohet në dosjet e pluhurosura të Kuvendit. Ky ligj do të jetë i zbatueshëm plotësisht. Për këtë arsye përvec detajeve të ligjit, ky komision do të miratojë edhe aktet zbatuese dhe vendimet e Kuvendit në mënyrë që këtij ligji ti shkohet deri në fund dhe të fillojë zbatimi me efikasitet. Sigurisht që periudha ka afate kohore për miratimin e akteve, për fillimin e funksionimit të ligjit dhe afatet brenda të cilit kryhen verifikimet. Por duhet të kini një gjë parasysh. Përsa i përket atyre që janë në funksion, do të operohet sigurisht menjëhërë. Të gjithë personat e rastit të verifikuar deri më tani do ti nënshtrohen verifikimit dhe cdo person, edhe pse ka një funksion publik të zgjedhur apo të emëruar, nuk fshihet pas mandatit, të cilin do ta humbasë sapo të dalin konkluzionet. Në të ardhmen edhe nëse është zgjedhur, do ti verifikohet situata, do ta lërë mandatin menjëherë. Por ligji do ta fillojë zbatimin në mënyrë efikase. Unë besoj që brenda muajit që vjen ne do të kemi mbyllur kornizën zbatuese dhe do ta vemë në fillim të vitit që vjen plotësisht në funksion.

Ndryshimet kushtetuese sa mund të zgjasin?
Unë besoj që aspekti kushtues është reflektiv mbi këtë ligj. Eshtë arsyeja pse po e kalojmë më pas në komisione pikërisht që ndryshimet kushtetuese që janë çelësat që i hapin rrugë zbatimit të këtij ligji, te jenë të plota në përputhje me atë që kemi rënë dakort, kështu që besoj që do të jetë vetëm dicka teknike, dicka që nuk do të hajë kohë të madhe për miratim.

(er.nu/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb