Rusia ka sanksionuar 287 anëtarë të Parlamentit britanik, duke përfshirë shefin e shtabit të Downing Street, Steve Barclay dhe kryetaren e Dhomës së Komuneve Lindsay Hoyle, njoftoi të mërkurën Ministria e Punëve të Jashtme ruse, shkruan CNN.

Masa hakmarrëse i ndalon politikanët të hyjnë në Rusi dhe vjen si përgjigje ndaj sanksionimit të 386 ligjvënësve rusë nga Britania e Madhe më 11 mars.

Si ligjvënësit e Partisë Konservatore ashtu edhe të Partisë Laburiste janë mes atyre të sanksionuar nga Moska.

“Këta persona, të cilët nuk lejohen më të hyjnë në Federatën Ruse, morën pjesë aktivisht në vendosjen e instrumenteve të sanksioneve anti-ruse në Londër dhe kontribuuan në fshikullimin e pabazë të histerisë rusofobike në Britaninë e Madhe”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

“Retorika armiqësore dhe akuzat e largëta që vijnë nga goja e parlamentarëve britanikë, jo vetëm që justifikojnë kursin armiqësor të Londrës, që synon demonizimin e vendit tonë dhe izolimin e tij ndërkombëtar, por përdoren gjithashtu nga kundërshtarët e dialogut të respektueshëm reciprok me Rusinë për të minuar themelin e bashkëpunimit dypalësh”, thuhet në deklaratë.

Sekretari Britanik i Mjedisit George Eustice, ministri i Brexit-it Jacob Rees-Mogg dhe ligjvënësit konservatorë Jeremy Hunt dhe Steve Baker janë ndër figurat më të spikatura politike britanike që shfaqen në listën e Rusisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb