Një grup qytetarësh të udhëhequr nga studiuesi i konspiracioneve Alfred Çako kanë protestuar në Tiranë kundër vaksinës që pritet të zhvillohet për të luftuar COVID-19.

Ata kanë deklaruar se janë kundër vaksinë anti COVID me forcë, ndërsa kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama se i shërben vëllazërisë së zezë. Sipas protestuesve, qeveria shqiptare është shërbëtore e Mafies së OBSH-së dhe pandemia është një shpikje që koha do ta tregojë.

“Nuk do lejojmë që Kryeministri të zbatojë axhendën e mafies ndërkombetare. Edi Rama i shërben vëllazërisë së zezë, pandemia është shpikje!”, deklaron Çako.

Ai thotë se vaksina do t’u injektohet forcërisht njerëzve, përfshirë shqiptarët përmes një mikroçipi me nanothërmija inteligjente që do kontrollojë mendjet. Gjithë skenarin në fjalë e lidh me Iluminatin, manjatin Bill Gates, Sorosin dhe Kinën.

Këta qytetarë mendojnë se vaksina kundër COVID -19 do u kontrollojë mendjet. Thonë se do ta refuzojnë nëse kërkohet nga qeveria pasi besojnë se mikroçipi do u ndryshojë kodin gjenetik
Sipas studiuesit Çako ka ekzagjerim te numrit të të prekurve dhe vdekjeve nga koronavirusi, i cili është një lloj gripi i fortë që kontrollohet e mposhtet më mirë në shtëpi si çdo grip i rëndë sesa me kura në spital.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb