Erinda Skëndaj, kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në Komisionin e Ligjeve ka ngritur pyetjen se përse në tre vite nuk është kërkuar asnjë informacion në lidhje me përllogaritjen e distancave dhe shërbimin e transportit publik nga qytetari tek gjykatat, si pjesë e aksesit që çdo qytetar duhet të ketë në drejtësi.

“Metodologjia për vlerësimin nuk merr në konsideratë ligjin që ka të bëjë me aksesin në drejtësi. Gjatë diskutimeve me përfaqësues të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe KiE, na është thënë se Këshilli i Europës nuk e konsideron largësinë fizike nga gjykatat si pengesë e aksesit.

Po kjo ndikon tek njerëzit e varfër, ata në nevojë, personat që jetojnë në zonat rurale dhe gratë.

Aksesi që qytetari ka tek transporti publik duhet diskutuar sepse bëhet fjalë për distanca të konsiderueshme. Si është e mundur që në 3 vite nuk është kërkuar informacion për një nga kriteret e ligjit, kushtet e transportit publik? Sepse Google Maps bën llogaritjet vetëm për makina private, por po të varfrit? Jo të gjithë kanë makina private. Pse ky informacion u kërkua vetëm 3 vite më pas dhe për më tepër as nuk jepet?

Kuvendit ndoshta nuk i takon miratimi i hartës gjyqësore por kontrollon zbatimin e ligjit dhe kompetencat e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Numri i gjyqtarëve të disa gjykatave. Një gjykatë duhet të ketë të paktën 7 gjyqtarë në shkallën e parë e 10 për Apelin.

Grupi i punës ndër institucional cilëson se nuk ekziston numri minimal i gjyqtarëve.

Sa i përket eficencës, referuar progres raportit të KE për një proces eficent, ka një afat prej 980 ditë për çështje penale ndërsa 5 vjet për ato civile”, ka deklaruar ajo.

Skëndaj ka ngritur gjithashtu dyshime në lidhje me konsultimet e bëra me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, dhe faktin nëse ato kanë qenë të mjaftueshme

“Sipas ligjit propozimi i përbashkët nuk mund të bëhet në një afat kohor të ngushtë. Sot na komunikohet se janë zhvilluar konsulta me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, çka duhej të bëhej në tryezë jo me korrespondencë zyrtare. A ka qenë i mjaftueshëm konsultimi dhe pse duhet të zhvillohej në këtë mënyrë kur propozimi i përbashkët bëhet pasi ka përfunduar konsultimi”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb