TIRANE – Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në aktivitetin ku prezantoi “Strategjitë kombëtare të energjisë Shqipëria 2030”.

Kreu i qeverisë nuk la pa kujtuar se në momentin kur PS erdhi në pushtet, vendi ishte në kolaps energjitik, nga i cili kishin buruar probleme të mëdha ekonomike.

Por Rama tha se me ndryshime e bëra, çdo ditë e çdo vit po shihen përmirësime të vazhdueshme në këtë sektor.

“Deri më pak vite më parë ishte e paimagjinueshme të mendohej ky moment se sektori i energjisë ndodhej në kolaps të plotë dhe kolapsi i ekonomisë tonë vinte nga ky sektor.

Ajo që ne bëmë ishte transformim i rëndësishëm në çdo aspekt, duke filluar nga aspekti më thelbësor, vendosja e ligjshmërisë në këtë sektor. Humbjet janë përgjysmuar, shkojnë në 10%,” u shpreh Rama.

Kryeministri gjithashtu tregoi se kanë filluar përgatitjet për një tjetër hap të rëndësishëm që do rrisë bashkëpunimin mes konsumatorëve dhe kompanisë së operatorit të shpërndarjes.

“Ne kemi nisur përgatitjet për një hap tjetër të rëndësishëm që do krijojë një atmosferë të re mes konsumatorëve dhe operatorit të shpërndarjes. Kemi nisur punën për një IPO dhe shpresojmë që deri në fund të këtij viti t’i ofrojmë qytetarëve shqiptarë mundësinë e pjesëmarrjes si aksionerë në kompaninë e operatorit të shpërndarjes. Dhe shpresojmë që vitin tjetër, të kemi një benefit reciprok për qytetarët dhe kompaninë.

Ajo çka vlen të theksohet në fund është harmonizimi i tregut tonë të brendshëm me tregun rajonal e më pas me atë europian të energjisë. Nëse do ta përmblidhja atë që ka ndodhur dhe atë që ne duam të bëjmë të ndodhë është e thjeshtë: sektori i energjisë ishte problemi më i madh, një gropë nga e cila buronin të këqija zinxhir për ekonominë e vendit. Sot është një potencial i vënë në rrugën e shfrytëzimit që mbetet sfidë e hapur. Nëse na u deshën 25 vjet për të kthyer timonin në drejtimin e duhur dhe për të shmangur humnerën para së cilës u gjendëm, 12 vjet janë shtrirja në kohë e një sfide transformuese. Në çdo ditë rezultatet vijnë në përmirësim të vazhdueshëm,” tha Rama.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: