Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Ndonëse në fundvit pritej një rritje e konsumit, gjë e cila do conte në rritjen e inflacionit, dhjetori nuk rezultoi i tillë. Të dhënat e fundit të Institutit të statistikave tregojnë se indeksi vjetor i çmimeve të konsumit shkoi në vetëm 2%.

Gjatë muajit festiv ndikim në rritjen vjetore të inflacionit e ka dhënë vetëm grupi i ushqimeve të shportës me një rritje të çmimeve me 2% dhe frutave dhe perimeve qe shënuan një rritje dyshifrore. Çmime disi të larta në dhjetor kanë shënuar edhe grupi i Hotelerisë, kafeneve e restoranteve si dhe Argëtimi e kultura.

Ndërkohë që sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë vijojnë të rezultojnë edhe fundvitin e 2015-ës me një kontribut negativ në rritjen vjetore të inflacionit. Cmimet e grupit Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji kanë rënë me 0,32 pikë përqindjeje, konsum të dobët ka pësuar edhe ai i Veshjeve, Transportit, Shëndetit dhe Komunikimit.

Siç vërehet edhe nga grafiku, pas një rritjeje në muajin shtator të 2015-ës, inflacioni vjetor në muajt në vijim ka ardh në rënie, duke treguar trendin negativ të konsumit. Rënia e konsumit reflekton një tkurrje të kërkesës konsumatore dhe situatën e vështirë ekonomike të vendit. Duke qenë një nga matësit kryesor të gjendjes së bizneseve, ulja e konsumit ndikon drejtpërdrejtë në terma afatshkurtra, në më pak investime dhe rënie të numrit të të punësuarve.

Megjithatë krahasuar me inflacionin vjetor të dhjetorit të 2014-ës, ku niveli ra në 0,7%, në muajin dhjetor që sapo kaloi inflacioni u rrit në 2%. Në programin e saj makroekonomik të 2016-ës, qeveria ka parashikuar se një nga sfidat ekonomike është edhe rritja e inflacionit në 2.5 %. Ndërkohë që sipas objektivit të Bankës së Shqipërisë norma e inflacionit duhet të jetë 3%.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: