Mosmiratimi i një udhëzimi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për shtyrjen e afatit për deklarimin e pasqyrave financiare në QKB për kontabilistët po rrit pasigurinë dhe stresin te bizneset.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo propozon që deklarimi i pasqyrave financiare të shtyhet me 1 muaj, pasi nuk ka efekt negativ te të ardhurat, pasi pasqyrat e tatimfitimit janë dorëzuar që më 31 mars. Dhamo gjithashtu thekson se në këtë situatë është e domosdoshme miratimi i një udhëzimi, pasi njoftimet nëpërmjet rrjeteve sociale po konfuzojnë bizneset.

“Mundet dhe duhet edhe për Deklarimin e Pasqyrave Financiare në QKB të shtyhet për një muaj, nisur dhe nga fakti se është kohë pushimesh dhe se nuk ka ndonjë efekt negativ të dukshëm nëse deklarohen me 1 muaj vonesë. Në organet tatimore, atje ku ka efekt, pasqyrat janë deklaruar që në 31 mars.

Edhe për deklarimin e PF ne QKB përsëri nuk ka dalë me qëndrim zyrtar, udhëzim p.sh, por thjesht në rrjete sociale, FB sikur është dokument zyrtar komunikimi. Mungesa e udhëzimit zyrtar i konfuzon bizneset, rrit pasigurinë për gjobat e mundshme, dhe rrit stresin në punë. Për më tepër rrit edhe mos mbështetjen ndaj procesit.

Po pavarësisht nga kjo. Duhet të dalin zyrtarisht! E kanë për detyre dhe jo t’i fshehin apo largohen përgjegjësive! Paguhen nga taksat e tatimpaguesve. Situata është absurde”, pohon Dhamo.

Shërbimet në portalin e-Albania për bizneset dhe qytetarët vijojnë të jenë të bllokuara prej 10 ditësh për shkak të tentativës për sulm kibernetik të platformave qeveritare.

Nisur nga situata e krijuar ditët e fundit për arsye të mosfunksionimit të portalit qeveritar e-Albania, Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi më herët se Qendra Kombëtare e Biznesit do të zbatojë parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative lidhur me afatin për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar.

Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania.

Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb