Partizani bie sërish, këtë herë bie edhe më keq, duke pësuar një humbje të rëndë, në transfertë përballë Kastriotit. “Demat” e Mehmetit vetëm të tillë nuk ishin në fushë, teksa nuk arrijnë të kalojnë këtë sfidë delikate, nuk arrijnë të dalin qoftë dhe me një pikë, duke zbehur akoma më shumë ketë sezon me ulje-ngritje të forta. Kastrioti konfirmon momentin shumë të mirë, ky trepikësh përballë të kuqve është jetik për objektivin e tyre kryesor, të sigurojnë mbijetesën. Edhe një herë ai që vulos suksesin për ekipin e Çelës është Kaina, autori i golit të vetëm.

Tensioni ishte prezent gjatë gjithë këtij takimi, faulle të rënda, VAR e shumë kontestime. Junior ishte dhe një herë protagonist për Partizanin, shpërdoroi disa raste të mira, ai i minutës së 44-të ishte me flagranti teksa i vetëm, me portën e boshatisur, nuk arriti të dërgojë në rrjetë asistin perfekt të Tedi Carës. Junior ishte sërish protagonist me fillimin e pjesës së dytë teksa fitoi një 11-metërsh në minutën e 53-të pasi një faulli nga Huesin. Gjyqtarit Alla iu deshën më shumë se 5 minuta për të akorduar penallti. Nga pika e bardhë, Sherif Kallaku gjuajti keq duke shpërdoruar një mundësi të artë.

Nëse nuk shënon do e pësosh, kështu i ndodhi Partizanin, teksa në minutën e 79-të, Kaina i shërbyer në zonë nga Edon Hasani, me kokë dërgoi topin në rrjetë dhe tifozët e Kastriotit në delir. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim në rezultat me Partizanin që qëndron në vend numëro, tani Kupa është mundësia e fundit për të siguruar një vend në Evropë, ndërsa Kastrioti vijon ti largohet gjithnjë e më shumë fundit të ftohtë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: