NGA ORNELA MANJANI*

Biznesmenët që marrin përsipër të kalojnë mallra pa paguar tarifat doganore dhe ata që hedhin në treg mallra për të cilët nuk është paguar akciza do të dënohen me burg përkatësit 7 dhe 10 vjet. Komisioni i Ligjeve diskutoi nen për nen projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7895,datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, ku u vendos të hiqet dënimi me gjobë për kontrabandën dhe duke lënë në fuqi vetëm dënimin me burg.

Dënimet
Komisioni përcaktoi përkufizimin për kontrabandën dhe masën e dëmit për këtë vepër penale. “Importimi, eksportimi apo transitimi i mallrave, për të cilat paguhet akcizë, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore apo përfitimin pjesor a tërësor të një përjashtimi, rimbursimi apo reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm që ka të bëjë me importin ose eksportin e mallrave, përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet”, thuhet në draft.

Hedhja në konsum e mallrave të vendosura në qarkullim të lirë pasi janë importuar me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore apo të akcizës për shkak të destinacionit përfundimtar ose të përdorimit të tyre përfundimtar me qëllim shmangien e detyrimeve doganore përbën kontrabandë dhe dënohet deri në pesë vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.

Komisioni
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar. E pranishme në mbledhjen e komisionit ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Ermonela Felaj. Pasi shqyrtoi në mbledhjet e mëparshme projektligjin në parim, deputetët e komisionit vijuan shqyrtimin nen për nen të tij, duke lënë të hapur disa nene për t’u rishqyrtuar në mbledhjet e mëtejme. Ministrja iu përgjigj pyetjeve që kishin deputetët për nenet e caktuara, duke dhënë edhe sqarimet lidhur me problematikat që u ngritën në diskutimin nen për nen.
Qeveria tërhiqet nga gjoba për personat që nuk tërheqin kuponin, duke pranuar të rishikohet përgjegjësia se kush do fajësohet kur nuk lëshohet kuponi tatimor.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb