Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Mix”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të tregtimit të mallrave të sjella kontrabandë në shtetin tonë, ndërsa u procedua penalisht 39-vjeçari me inicialet M. M.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se ky shtetas akuzohet për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

NJOFTIMI I POLICISE

Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës.

Shiste në dyqanin e tij mallra, të cilat dyshohet se janë futur kontrabandë në vendin tonë, procedohet penalisht 39-vjeçari.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, mallrat e ndryshëm, të dyshuar të kontrabanduar.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e tregtimit të mallrave që futen kontrabandë në vendin tonë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mix”, si rezultat i të cilit u procedua penalisht shtetasi:

-M. M., 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në dyqanin e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 74 aparate celulare, veshje, aksesorë dhe pajisje të tjera, për të cilat ky shtetas nuk dispononte faturën përkatës të deklarimit në autoritetin doganor.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb