Policia e Kosovës tha se më 2 gusht ka ndaluar një shofer të një autoambulance në Rudarë të Zveçanit, i cili dyshohet se po kontrabandonte ilaçe. Por, nga Beogradi kanë pretenduar se autoritetet në Kosovë e “kanë rrëmbyer shoferin”.

Sipas Policisë së Kosovës, të dyshuarit me iniciale D.S, gjatë kontrollit të autoambulancës që po drejtonte i kanë gjetur “pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë”.

“Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicinale, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Petkoviå pretendon se shoferi “u rrëmbye” nga Policia e Kosovës
Por, drejtori i drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha më herët gjatë ditës se shoferi i autoambulancës, që e identifikoi si Dejan Spahiç, i cili po transportonte infuzione dhe ilaçe nga Leposaviqi në Mitrovicë të Veriut, “u rrëmbye nga njësitë speciale” të Policisë së Kosovës.

Gjatë një konference për media, Petkoviç tha se “rreth orës 14:00, një makinë e njësive speciale ia ka bllokuar rrugën një autoambulance. Katër policë të armatosur e kanë rrëmbyer shoferin Dejan Spahiç, dhe një pjesëtar i njësive speciale ka hipur në autoambulancë dhe ka udhëtuar me të drejt jugut, në një vend të panjohur”.

Petkoviç tha se ky veprim u bë “me urdhër personal” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe paralajmëroi se do të ngrihet një kallëzim penal kundër Kurtit, i cili, sipas tij, “ka vazhduar të terrorizojë popullatën serbe në veri të Kosovës”.

Ai po ashtu tha se Kurti “po sulmon të sëmurët dhe pacientët” sepse, sipas tij, pacientët në Mitrovicën e Veriut po presin për infuzione dhe ilaçe. Pektoviç theksoi se “populli serb në Kosovë është i zemëruar dhe i mërzitur”.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe tha se për këtë ngjarje e ka njoftuar përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, duke shtuar se Kurti “po shkel marrëveshje dhe paqen” dhe “ai i premtoi misionit të KFOR-it se nuk do të ndërmarrë ndonjë veprim”.
Petkoviç tha se Kurtit “nuk mund t’i besohet” dhe se ai “nuk dëshiron paqe” dhe se ngjarja e sotme është “tregues se ai do të vazhdojë me provokime dhe përshkallëzim” të situatës. Zyrtari serb tha se ngjarja e sotme është po ashtu “turp për bashkësinë ndërkombëtare” dhe theksoi se “është dikush që do të mbrojë njerëzit dhe pacientët tanë” dhe e cilësoi sjelljen e Kurtit si “absolutisht të papranueshme”.

Siç tha Petkoviç, autoritetet e Kosovës “për më tepër se një vit e gjysmë na kanë ndaluar që të dërgojmë ilaçe në spitalet tona”, dhe ai si drejtor i Zyrës për Kosovën dhe shef i ekipit negociator të Serbisë, ka kërkuar nga Brukseli më shumë se “pesë herë” që të zgjidhë çështjen e dërgimit të medikamenteve në spitalet në Kosovë që punojnë sipas sistemit serb./ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb