POGRADEC

Një doganier dhe një shofer janë arrestuar në Pikën Kufitare të Tushemishtit pasi u kapën duke kontrabanduar fruta të thata. Doganieri F.D, 60 vjeç nuk kreu procedurat e zhdoganimit duke lejuar frutat e thata pa paguar akcizën përkatëse. Ndërsa A.T., 47 vjeç, u arrestua pasi iu gjet dhe iu sekuestrua ngarkesa me fruta të thata në automjetin e tij tip ‘Benz’.

Nën hetim janë dhe dy persona të tjerë në Pogradec, ,S.L., dhe A.G., u kapën duke tregëtuar në dyqanet e tyre sasi duhani të grirë, mall i dyshuar kontrabandë, i papajisur me pullë fiskale.

NJOFTIMI I POLICISË
Vijon puna për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, njëri prej të cilëve me detyrë doganier, pasi lejoi kalimin e mallrave të dyshuara kontrabandë, për të cilat paguhet akcizë.
Procedohen penalisht edhe 2 shtetas të tjerë të cilët tregëtonin, mallra pa pullë fiskale.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale mallrat e dyshuar kontrabandë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të kontrabandimit të mallrave, arrestuan në flagrancë shtetasit :

• A.T., 47 vjeç, banues në Pogradec.

• F.D., 60 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë doganier në Doganën e Tushemishtit)

Si edhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve S.L., 51 vjeç dhe A.G., 58 vjeç, banues në Pogradec.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga ana e Policisë, në lagjen nr.1, Pogradec, në mjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit A.T., iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë (fruta ta thata), të cilat ky shtetas i ka kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar Tushemisht, ku doganieri F.D., dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer procedurën e zhdoganimit.

Ndërsa dy shtetasit e tjerë, S.L., dhe A.G., u kapën duke tregëtuar në dyqanet respektive të tyre në qytetin e Pogradecit, sasi duhani të grirë, mall i dyshuar kontrabandë, i papajisur me pullë fiskale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb