Kryeministri Edi Rama tha gjatë konferencës në Rinas, ku priti këtë mbrëmje dozat e vaksinës Pfizer, se kontrata me këtë kompani është e mbuluar nga sekreti.

I pyetur nga gazetarët për koston e kontratës, kreu i qeverisë deklaroi se nëse ka një vend në botë që zbulon çmimin, ai do të jetë i dyti që do ta thotë.

Sa i takon faktit se kush do të vaksinohet me këto doza të mbërritura sonte, kryeministri theksoi se do të vijojë vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve.

“Nuk japim dot kosto, sepse në të gjithë botën kontrata e Pfizer është e mbuluar nga sekreti kombëtar, që me ndihmën e ca çafirave u thye, duke bërë një turp. Nuk mund të japim asnjë të dhënë. Ajo që keni parë është një draft, nuk është kontrata. Nëse do të gjeni një vend ku çmimi do të bëhet publik, ne do të jemi vendi i dytë. Sa i përket kush do të vaksinohet, do të vazhdojmë me mjekët dhe infermierët, kur të vijnë dozat e tjera, do të vazhdojmë me moshat e thyera”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb