FATION BINJAKU/ Enti Rregullator i Energjisë Elektrike dhe
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të miratojnë në fund të këtij
viti kontratën e re dhe mënyrën e re të faturimit të energjisë elektrike
për konsumatorët familjarë.
Parlamenti i ka lënë si detyrë për vitin 2018, ERE-s dhe OSHEE-së që
të nisin procedurat për të mundësuar mënyrën e re të faturimit.
Tashmë, konsumatori familjar do të ketë lexim të sahateve të tij një
herë në tre muaj ose një herë në 6 muaj. Operatori i Sistemit të
Shpërndarjes së Energjisë, në kontratën e re, do t’u lërë si mundësi
qytetarëve të zgjedhin nëse duan të faturohen sipas modelit të ri ose
me faturimin aktual.
Pra, për secilin familjar do të krijohet një historik i konsumit të
energjisë dhe në bazë të tyre ata do të paguajnë një shumë fikse
energjie çdo muaj. Në muajin e tretë kur do të bëhet matja e energjisë
së harxhuar, në rast se familjari ka konsumuar më pak, atëherë
OSHEE do t’ia rimbursojë këtë shumë në faturën e muajve të tjerë.
Modeli i ri i faturimit është vendosur në rezolutën e miratuar nga
Parlamenti për vitin 2018.
“Të nxisë OSHEEnë për vënien sa më shpejt në punë të sistemit të ri
të faturimit, i cili lehtëson në mënyrë të ndjeshme matjen e energjisë
dhe krijon mundësi dhe opsione të reja të nevojshme, duke përshirë
edhe matjen periodike disamujore. si dhe përfshirjen në kontratën tip
për vitin 2019 të kësaj mënyre matjeje”, thekson rezoluta e miratuar
në Kuvend.
FORMULA
Deputeti i PS-së, Ilir Beqaj, ka sqaruar mënyrën e re të faturimit dhe
çfarë benefitesh do të sjellë ajo për menaxhimin e Operatorit të
Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. “OSHE po punon për
sistemin e ri të faturimit. Është një sistem modern dhe besoj se në
mes të vitit do të vihet në funksionim.
Nuk ka nevojë të lexojmë sahatet çdo muaj. Sahati mund të lexohet
një herë në tre muaj apo një herë në 6 muaj, praktikë e rëndomtë
edhe në vendet europiane, të paktën prej disa dekadash. Bie dakord
pasi krijon një histori 12 mujore për konsumin muaj për muaj. Bie
dakord me konsumatorin dhe thua që për 2-3 muajt e dimrit konsumi
mesatar është X lekë, fatura është kaq, dhe ti, një herë në tre muaj,
bën lexim dhe bën modifikimet e nevojshme nëse ka pasur shmangie
më shumë apo më pak nga faturimi”, tha deputeti i PS-së
Më këtë nismë, sipas Ilir Beqes, do të shkurtohet ndjeshëm numri i
punonjësve të OSHEE-së, që merren me matjet e sahateve. “Kjo do të
bëjë që minimalisht për vetë ndërmarrjen, trupa lexuese të shkurtohet
me dy-tri herë. Vetë konsumatori familjar e di vetë se ka një shumë
fikse sa e ka faturën mujore, ndërkohë që për raste të veçanta kur
dikush do të largohet apo i duhet një ndryshim esencial në konsumin
mujor për më shumë apo për më pak, në vendet e Europës, shkohet
dhe negocion me kompaninë dhe kalohet në një regjim tjetër.
A do të jetë 3 muaj apo 6 muaj, kjo varet sa do vendosë ERE me
OSHEE-në, por minimalisht që kjo të ndodhë duhet që kur ERE t’i
miratojë OSBEE-së kontratën tip për familjarët për vitin 2019, t’ia
lexojë dhe këtë opsion si mundësi faturimi”, ka thënë Ilir Beqaj.

Burimi:http://www.panorama.com.al/kontrata-e-re-e-oshee-se-si-ndryshon-menyra-e-faturimit-matja-1-here-ne-3-muaj-qytetaret-do-paguajne/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: