TIRANË

Kuvendi diskutoi sot procedurën e veçantë për negociimin, ekzekutimin dhe miratimin e kontratës së ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës me shoqërinë amerikane “Bechtel”, një projekt ky i qeverisë shqiptare, i mbështetur nga qeveria amerikane.

Kontrata do të ketë dy faza zbatimi, vetë-ministrja Balluku e vlerësoi projekt me interes kombëtar HEC-in e Skavicës i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin si qendër energjie për rajonin. Ajo tha se projekti do jetë transparent dhe do përfshijë sugjerimet e të gjitha grupeve të interesit

Ndërtimi i HEC Skavicës synon të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës.

Fjala e plotë:

Miratimi i projektligjit të sotëm i hap rrugën ndërtimit të një nga veprave më ambicioze e më të domosdoshme për sektorin elektroenergjetik në vendin tonë. Një ëndërr e madhe e cila nuk ka gjetur mundësi të realizohet deri më sot, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës. Një vepër e rëndësishme elektroenergjetike jo thjesht nga kapaciteti prodhues, por mbi të gjitha një instrument rregullator i kaskadës së Drinit, aty ku sot funksionojnë 3 hidrocentrale të rëndësishme dhe me shtimin e hidrocentralit të Skavicës do të kemi një rritje të kapaciteteve edhe të hidrocentraleve ekzistuese.
Duhet thënë që qeveritë e mëparshme nuk arritën që ta plotësonin këtë vepër e cila që nga viti 1984 ndodhej nëpër sirtarët e të gjithë administratave si një studim.

Por ne, tashmë kemi kryer të gjitha hapat paraprake me kompaninë Bechtel, ashtu sikurse e dini, bazuar në marrëveshjen ekonomike të firmosur mes Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit Amerikan në tetor të vitit të kaluar.
Projektligji i sotëm ka të bëjë me kontratat në lidhje me projektin dhe ndërtimin e Skavicës, të cilat ne kemi propozuar të lidhen në dy faza të ndryshme.

Kontrata e parë midis KESH edhe Bechtel International përsa i përket të gjithë fazës së parë paraprake, përfshin aktivitetet si matja topografike, studime hidrologjike në mbështetje të zhvillimit të projektimit, studime të inspektimeve gjeoteknike në terren, zhvillimi i strategjisë për realizmin e projektit, rishikimi dhe finalizimi i vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe social, një pjesë ku do të ndaloj për disa minuta edhe për shkak të shqetësimit të ngritur nga kolegët deputetët këtu në sallë të Partisë Socialiste përsa i përket sqarimit që është i nevojshëm që të kenë të gjithë banorët e zonës së Dibrës. Duhet pasur parasysh që kjo kontratë, pra kontrata e parë do të ketë kapituj të tërë të cilët do të thellohen në studimin ambiental të zonës. Do të ishte mirë që ti linim kohë kësaj kontrate të lidhur mes KESH-it dhe kompanisë mjaft të njohur dhe me eksperiencë në fushë Bechtel International për të bërë një studim të mirëfilltë mjedisor i cili do të nxjerrë në pah problematikat dhe mitigimin e këtyre problematikave.

Nuk është koha sot që të flasin të gjithë për mjegullën që do të krijohet apo për problemet që do të ketë pasi të gjitha parastudimet që kemi bërë deri tani tregojnë që zona do të përmirësohet si nga kushtet mjedisore ashtu edhe përmbytjet e shumta në nën fushën e Shkodrës apo edhe në zona të tjera.
Gjithashtu kapitull social i këtij studimi i cili do të vijë me kontratën paraprake do të jetë një kapitull i rëndësishëm ku kompania, por edhe shteti do të marrin përsipër të gjithë mitigimet e problematikave që do të lindin, duke nisur nga shpronësimet, nga kompensimet dhe në çdo hap tjetër që përgjegjësia sociale e një kontrate komerciale përfshin në bazë të ligjit.

Gjithashtu kontrata e parë do të fokusohet në përgatitjen e projektit teknik, përfshirë përzgjedhjen e furnitorit të turbinave me qëllim preventivimin e kostove dhe të sasive dhe shërbime të tjera të dakortësuara për të mundësuar ecurinë e zhvillimit të projektit në hidrocentralin e Skavicës.
4 deri në 6 javë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Bechtel do të dorëzojë propozimin zyrtar dhe brenda 30 ditë shoqëria KESH dhe Bechtel do të negociojnë kushtet e kontratës së parë.

Kontrata midis palëve do të nënshkruhet 3 ditë pune pas finalizimit të kushteve, ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të dërgojë atë për miratim në Këshillin e Ministrave brenda 3 ditë pune pas nënshkrimit.
Kontrata e fazës së dytë është kontrata, e cila ka të bëjë me negocimin për projektin e detajuar dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në Kaskadën e Drinit nga kompania Bechtel International ose kompani bija të cilat do të marrin përsipër këtë ndërtim.
Kjo fazë përfshin krijimin e një komisioni negocimi të përbërë nga përfaqësues të Korporatës Elektroenergjetike, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe përfaqësues të tjerë që do të caktohen nga vendimi i Këshillit të Ministrave.

Ky komision do të nisë negociimin për dakortësimin e kushteve të kontratës me Bechtel International për fazën e dytë lidhur me projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, brenda 60 ditësh nga krijimi i tij ose brenda një afati më të gjatë të dakortësuar midis palëve, si në rastin e kontratës për fazën e parë.
Kontrata përfundimtare do të firmoset brenda tre ditësh pune nga data e finalizimit të saj.
Kontrata e parë do të realizohet me fonde të vëna në dispozicion nga KESH, ndërkohë që për sigurimin e financimit të kontratës së dytë, pra të projektimit dhe të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, ne po bashkëpunojmë dhe me institucione financiare të huaja, siç është Korporata Ndërkombëtare Financiare e Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ftoj deputetët ta votojnë këtë projektligji pasi bëhet fjalë për një nga investimet më të rëndësishme në sektorin elektroenergjetik shqiptar.
Siç e thashë edhe në fillim të fjalës time përveç prodhimit të energjisë nga vetë HEC-i i Skavicës, nëpërmjet optimizimit të kaskadës së Drinit do të rriten gjithashtu kapacitetet prodhuese për tre hidrocentralet ekzistuese, si dhe do të japë një zgjidhje të mirë, të thellë dhe të menjëhershme për përmbytjet në të gjithë zonën e Nënshkodrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb