Nga Mariglen Mërtiri

TIRANE- Nënshkrimi i kontratës për dëftesat e nxënësve dhe pullën hologram të librave është bërë shkak që sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit të kallëzohet sërish penalisht në prokurori nga Ministria teknike e Arsimit dhe Sportit.

Në njoftimin për mediat Ministrja Mirela Karabina akuzon Plarent Ndrecën se në kundërshtim me ligjin ka keqpërdorur titullin për nënshkrimin e kësaj kontrate pasi ai për ministren teknike nuk është më sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie sepse është i pezulluar prej saj që në muajin qershor.

Bashkangjitur ministria e arsimit bën publike edhe kërkesën që Ndreca i bën kryeministrit dhe agjencisë së prokurime për vijimin e proceduarve së prokurimit për dëftesat, regjistrat dhe hologramën për librat pas urdhrit të bllokimit që i bëri kryeministri prokurimeve.

Por kjo procedurë për ministren e Arsimit cilësohet përdorim abuziv i titullit dhe përbën vepër penale. Sipas ministres Karabina vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për Institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe buxhetin e shtetit.

Ndaj ajo angazhohet se është e vendosur të denoncojë çdo rast që cenon funksionimin e institucionit, shpërdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit si dhe akte të korrupsionit, në institucionin që ajo drejton.

 

thumbnail_foto1
thumbnail_foto2

Por nga ana tjetër News24 disponon një dokument ku sekretari i përgjithshëm i kryeministrit, Ëngjëll Agaçi ka miratuar kërkesën e sekretarit të përgjithshëm Ndreca për prokurimin e dëftesave për nxënësit duke e njohur de fakto atë si autoritetin kontraktor të këtij institucioni për vijimin e procedurave të tenderimit. Ndërkohë përplasja mes dy titullarëve të lartë të këtij institucioni vijon prej disa muajsh dhe ende nuk dihet kur do të përfundojë.

MINISTRIA-E-ARSIMIT

NJOFTIMI I PLOTE I MINISTRISË SË ARSIMIT
Në vijim të kallëzimit penal me Nr. 2466-M, datë 12.06.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, për shkelje të rënda ligjore të bëra gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit deri më datën 13.06. 2017, titullari këtij institucioni znj. Mirela Karabina, ka depozituar, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Kallëzimi Penal me Nr. Prot extra 12, datë 24.07.2017 për shtetasin Plarent Ndreca, i pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm si dhe i shfuqizuar nga kompetencat që përmban ky funksion.

Kallëzimi është bërë për shkak se z. Ndreca në kundërshtim me aktet ligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka firmosur si Titullar i Autoritetit Kontraktor për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një kontratë me operatorin ekonomik “Albdesign PSP”, sh.p.k., me objekt: Loti I: “Shtypja dhe botimi i dëftesave, regjistrave, dhe revistës “Mësuesi”’, me fond limit 8’600’937 (Tetë milion e gjashtëqind mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekë pa TVSH.

Përdorimi abuziv i titullit “Titullari i Autoritetit Kontraktor të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, jemi të bindur se përbën vepër penale.

Konsiderojmë se vazhdimi i ushtrimit të paligjshëm të funksioneve shtetërore nga ana e shtetasit Plarent Ndreca është shpërdorim i hapur i detyrës me pasoja të rënda ligjore dhe financiare për Institucionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Buxhetin e Shtetit.

Ministri i Arsimit dhe Sportit është i vendosur të denoncojë çdo rast që cenon funksionimin e institucionit, shpërdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit si dhe akte të korrupsionit, në institucionin që ajo drejton.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb