BALLSH

Naftëtarët e uzinës së Ballshit nuk kanë rënë dakort me kompaninë për pagat e prapambetura duke iu bashkuar grevës së punëtorëve në Poçem.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për ‘BalkanWeb’ se kompania private i kishte ofruar punëtorëve kontratë të re marsi pa njohur pagat e prapambetura por naftëtarët nuk kanë rënë dakort.

”Sepse ne nuk e kemi të qartë pasi edhe vetë nuk e dimë se në sa duar ka kaluar rafineria jonë. Ai shtroi opsionin e tij por ajo çfarë kuptuam ne në atë takim është se ai nuk mban përgjegjësi për pagat e prapambetura dhe thotë, ne do të operojmë se bashku nga data 1 e muajit pasaradhës, do bëjmë kontratë por nuk mban përsipër borxhin e tjetërkujt. Në momentin që flasim kompania që ka drejtuar rafinerinë nuk e ka shpallur ende falimentin dhe thonë që janë të ligjshëm. Këtu lind pyetja edhe për punëtorët e rafinerisë, i jemi drejtuar shtetit, kompanisë.

Dje i është bërë një kërkesë Prokurorit të Përgjithshëm që të shpenzojë 1 orë nga koha e tij për pagat tona. Tani thonë që janë paguar sigurimet shëndetësore dhe taksat, por mbi cilat paga, ne nuk kemi marrë paga. Këkrojmë ato çfarë thotë ligji. Në këtë moment ju bëj me dije se do të marrim aktin ekstrem dhe për të përkrahur punëtorët e Poçemit, pra do të hyjmë në një grevë urie. Do të jetë në një grevë pa afat.”- u shpreh një nga naftëtarët.

Pas këtij vendimi ata janë futur në grevë si punonjësit e nën- stacionit të pompimit në Poçem të cilët prej 4 ditësh janë në një grevë urie.

”Edhe një gjë doja të shtoja, do mblidhemi nesër së bashku siç jemi edhe 300 apo 400 veta dhe dera e Uzinës do të hapet vetëm për policët, civilët nuk do të hyjnë dhe të lejohen. Edhe zjarrfikësit nuk do të lejohen të hyjnë dhe do i luteshim shumë të vepronin vetëm nëse ka emergjencë, ditën të rrijnë këtu përpara me ne. Sepse duan të na përçajnë që mos marrim pagat tona. Na tha pronari që kemi lekë për ju, do ju a japim sapo të nënshkruajmë kontratën, punojmë nuk punojmë lekët do ja u japim tha. Jemi korrektë tha. Duan të harrojnë pagat e prapambetura. Qëllimi jonë është të marrim lekët që na kanë borxh.”- tha një naftëtar tjetër.

”Dhe ne nuk do ta pranojmë, ikin, vinë dhe lekët tona i hamë neve në kurriz. Nuk duam që ikin dhe të vinë dhe ne të mbetemi borxhlinj. Mediat të marrin masa për lekët dhe .”- shtoi gjithashtu një punonjës i Uzinës së Ballshit.

Greva ka filluar në mjediset e qendrës shëndetësore ku ata janë futur me dhunë brenda ambienteve që ndodhen afër Uzinës së Ballshit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb