Ish-zv.kryeministri, aktualisht deputet i PS-së Arben Ahmetaj ankimon vendimin për kontrollin e banesave të ish-gruas dhe partneres së tij. Ahmetaj kërkon nga Apeli i GJKKO shpalljen i pakushtetueshëm dhe i paligjshëm të vendimit të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë.

Në ankimimin e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala thuhet se shtëpia e bashkëjetueses së deputetit Ahmetaj, Erjola Hoxha është dhe banesë e tij, përderisa jeton aty.

Më 9 mars, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish- gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

Whatsapp Image 2023 03 15 At 12.48.30 (1)
Whatsapp Image 2023 03 15 At 12.48.30 (1)

Kontrolli i parë është ushtruar në një vilë në zonën e Hamallajt, në vilën e partneres së tij, ku janë sekuestruar 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.

Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes, që ka filluar në orën 14:40 dhe ka përfunduar në orën 15:20 minuta, rezulton se nuk janë gjetur para, por se janë marrë disa dokumente që vlerësohen të rëndësishme për hetimet.

ANKIMIMI
Apeluesit janë Arben Ahmetaj dhe Erjola Hoxha, me objekt

1- Konstatimin e pakushtetutshmërisë dhe të paligjshmërisë së vendimit nr.114 akti, datë 08.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, për lejimin e kontrollit të banesës me sipërfaqe trualli 521.13 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 98 m2, ndodhur në NB Hamallaj (kompleksi “Vala Mar”), në pronësi të znj. Erjola Hoxha, bashkëjetuese e z. Arben Ahmetaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, si akt që cenon sovranitetin e Kuvendit, Kushtetutën e RSH dhe Kodin e Procedurës Penale;

2- Konstatimin e paligjshmërisë së kontrollit të banesës së sipërmendur, në pronësi të znj. Erjola Hoxha, bashkëjetuese e z. Arben Ahmetaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të mungesës së shkaqeve të ligjshme për kryerjen e tij dhe për mungesë arsyetimi të lidhjes mes provave për kryerjen e faktit penal dhe sendeve që synohej të gjendeshin në banesë;

3- Konstatimin e paligjshmërisë së modaliteteve të ekzekutimit të kontrollit personal të znj.Hoxha dhe të kontrollit të banesës së sipërpërmendur, pasi procedura e zbatuar nga hetuesit e BKH-së ka cenuar lirinë e znj. Hoxha në kundërshtim me ligjin, dinjitetin njerëzor të saj, të drejtën e mbrojtjes ligjore të çiftit bashkëjetues dhe privatësinë e komunikimeve elektronike.

Më tej në ankimim thuhet se “në kuadër të hetimeve të procedimit të bashkuar, mbi kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me vendim më 8 mars, Gjykata e Posaçme e shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi lejimin e kontrollit personat dhe të pasurive të paluajtshme (banesave) të disa personave, ndër ta, edhe të znj. Erjola Hoxha, e lidhur në bashkëjetesë me deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Arben Ahmetaj. Kryerja e kontrolleve në fjalë përligjej nga qëllimi për “…gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me veprat penale për të cilat ka filluar procedimi penal” (pika 10 e dispozitivit të vendimit). Përveç kontrollit personal të znj. Hoxha (pika 7 e dispozitivit të vendimit), Gjykata e Posaçme lejoi edhe kontrollin e pasurisë së paluajtshme me nr.1/110, vol. 12, faqja 26, ZK 1925, apartament, me sipërfaqe trualli 521.13 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 98 m2, ndodhur në NB Hamallaj, e identifikuar edhe si vila nr.22 Saphire, të cilën e pati blerë nga shtetasi Gerian Kuka, sipas kontratës me Nr. 1778 Rep. dhe Nr. 812 Kol., datë 31.03.2022.

Znj. Erjola Hoxha nuk është funksionare e administratës shtetërore dhe nuk ka lidhje me faktet që heton Prokuroria e Posaçme, në kuadër të procedimit penal të bashkuar, me nr.2771. Ajo bëhet subjekt kontrolli vetjak dhe të banesës vetëm për shkakun se është bashkëjetuese e z. Arben Ahmetaj, subjekt i hetimeve të këtij procedimi. Nga bashkëjetesa, ata kanë sjellë në jetë edhe një fëmijë- i dtl. 11.1.2021. Pra ata jetojnë në çift, në një bashkim fakti, që karakterizohet nga stabiliteti dhe vazhdueshmëria e jetës së përbashkët. Kuptimi i nocionit “familje” nuk nënkupton vetëm një lidhje që buron nga martesa ligjore, por përfshin edhe lidhje të tjera familjare de facto, kur palët bashkëjetojnë jashtë martesës.

Një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre në çift, ata e konsumojnë edhe në apartamentin, i cili u bë objekt i kontrollit nga ana e hetuesve të BKH-së, më 09.03.2023.

Pra nuk ka asnjë dyshim se shtëpia e regjistruar në pronësi të znj. Erjola Hoxha, është edhe banesë e bashkëjetuesit të saj z. Arben Ahmetaj, pasi ata konsumojnë aty, në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, privatësinë e raportit të mbështetur në lidhjen e bashkëjetesës.

Për këtë arsye, Gjykata e Posaçme me vendimin nr.114 akti, datë 08.03.2023 ka lejuar kontrollin e apartamentit, ku bashkëjeton me znj. Hoxha, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë z.Arben Ahmetaj dhe hetuesit e BKH-së e kanë ekzekutuar atë në kundërshtim me ligjin. Lidhur me faktin se po kërkohej dhe u lejua të kontrollohej banesa ku bashkëjeton një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, si prokuroria, ashtu edhe gjykata, kanë qenë të ndërgjegjshme dhe kishin në zotërim dokumente provuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb