Policia e Tiranës ka goditur një rast të lejimit të lojërave të fatit, duke arrestuar 11 persona, mes të cilëve dhe pronarin e lokalit, ku ushtrohej aktiviteti i paligjshëm.

Policia sqaron se ky rast është goditur në mesnatën e kaluar, në një lokal në pronësi të 21-vjeçari H. T., në rrugën “Haxhi Kika”, ku janë sekuestruar një tavolinë e përshtatur për tavolinë pokeri, sasi lekësh dhe eurosh, fisha dhe letra bixhozi, një bllok me shënime për aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, një DVR, si dhe telefona që shërbenin për vënien e basteve sportive të palejuara.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Goditet një tjetër rast i organizmit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Poker”.

Vihen në pranga 11 shtetas, mes tyre edhe pronari i lokalit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal në rrugën “Haxhi Kika” zhvillohej veprimtari kriminale në fushën e lojërave të fatit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker”.

Si rezultat i operacionit, në orët e para të mëngjesit të sotëm u kapën dhe u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzimi i krimit”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit:

Xh. S., 21 vjeç, K. A., 20 vjeç, H. Ç., 24 vjeç, Sh. G., 38 vjeç, B. Ç., 30 vjeç, D. C., 21 vjeç, A. A., 35 vjeç, të shtatë banues në Tiranë dhe E. Ç., 25 vjeç, S. M., 44 vjeç dhe F. K., 42 vjeç, të tre banues në Fier.

Gjithashtu, gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe pronari i lokalit, shtetasi H. T., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizim ose ushtrim i veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin”, kryer në bashkëpunim.

Nisur nga informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Haxhi Kika”, në ambientet e një lokali me pronar shtetasin H. T., ushtrohej veprimtari e kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit dhe se ky shtetas kishte venë në dispozicion të kësaj veprimtarie ambientet e lokalit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 organizuan operacionin dhe gjatë kontrollit të ushtruar, në orën 00:30, të datës 12.02.2020 kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasve të lartpërmendur, të cilët po ushtronin aktivitetin e palejuar të lojërave të fatit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: një tavolinë e përshtatur për tavolinë pokeri, sasi lekësh dhe eurosh, fisha dhe letra bixhozi, një bllok me shënime për aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, një DVR, si dhe telefona që shërbenin për vënien e basteve sportive të palejuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moskallëzimi i krimit”, të kryera në bashkëpunim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb