TIRANË- Lëvizja Rinore për Integrim ka mbajtur sot konventën parazgjedhore në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ku kanë marrë pjesë lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta si dhe kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Erion Veliaj. Nga ky aktivitet kreu i LSI, ka konfirmuar mbështetjen ndaj kandidatit Veliaj, duke deklaruar se vota për të do ta çojë Tiranën në drejtimin e duhur. Meta gjithashtu tha se në listën e kandidatëve për këshilltarë të bashkisë së Tiranës, janë 15 të rinj të LRI-së.

“Në Tiranë lista jonë jo vetëm që ka 60% nga LRI, por në 15 këshilltarët e parë në listën e LSI për Këshillin Bashkiak të Tiranës, 10 prej tyre i takojnë LRI-së. Jam i bindur se jo vetëm pjesëmarrja juaj në këtë fushatë, jo vetëm fitorja e padiskutueshme e kreut të ardhshëm të bashkisë, Erion Veliaj, por edhe vota juaj për këta kandidatë të rinj, është një garanci se problemet tuaja do të jenë në fokusin kryesor të punës të kreut të ri të Bashkisë dhe Këshillit të ri, në mënyrë që të garantojmë më shumë punësim e shërbim, në mënyrë që të ecim në drejtimin e duhur në të gjitha bashkitë”, tha Meta.

Kreu i LSI-së tha se qëllimi i reformës administrative e territoriale ishte pikërisht rritja e shërbimeve dhe punësimit për qytetarët.

“Të gjitha energjitë duhet të shkojnë në një drejtim, për më shumë shërbime dhe më shumë punësim. Ky ishte edhe qilimi i reformës administrative e territoriale, për ti dhënë një rol të ri krerëve të bashkive. Një përkushtim dhe një vizion i ri strategjik për zhvillimin e komunitetit dhe sidomos për hapjen e vendeve të reja të punës. Të gjitha votat për Erion Veliaj, për kandidatët tanë nga Shkodra në Sarandë”, u shpreh ai.

Meta kërkoi ti jepet fund drejtimit të bashkive për të bërë luftë me qeverinë dhe se opozita nuk ka përse ti kërkojë bashkitë për ti bërë luftë qeverisë pasi ajo ka parlamentin.

“Sigurisht këto janë zgjedhje vendore, janë zgjedhje administrative, janë zgjedhje për tu dhënë zgjidhje problemeve të shtuara në shumë qytete e komuna. Ti jepet fund drejtimit të bashkive për të bërë luftë me qeverinë. Opozita nuk ka përse të kërkojë bashkitë për ti bërë luftë qeverisë. Opozita e ka parlamentin dhe ja kemi dhënë të gjitha mundësitë. Bashkitë janë për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Nuk janë për të marrë porosi nga partitë në Tiranë, në mënyrë që të bllokojnë punën”, tha kreu i LSI-së.

Ai deklaroi se vota për kandidatën e Aleancës për Shqipërinë Europiane do të çojë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit ekonomik.

“Kërkojmë votën për Erion Veliaj në Tiranë, për Keti Bazhdarin në Shkodër, për Floriana Kokën në Sarandë, në mënyrë që Shqipëria të ecë në rrugën e zhvillimit ekonomik. Sot kam vendosur të iki në stadium se më në fund stadiumet tona po mbushen plotë edhe kur nuk luan Kombëtarja dhe kjo është gjë shumë e bukur. Dhe e di që kishte një debat për orarin e mitingut se shumë prej jush do shkonin në stadium. Dje kryeministri Rama inauguroi fillimin e punimeve për stadiumin e ri. Shkodra e meriton. Jam e bindur se mbështetja e sportit është rruga e duhur për një rini aktive”, tha Meta.

Kreu i LSI-së kërkoi nga kandidatët të bëjnë fushatë në mënyrë të kulturuar, duke marrë si shembull kandidatin Erion Veliaj.

“Veliaj ka folur me një gjuhë shumë të kulturuar dhe ka ftuar në debat z. Kosova. I ftoj të gjithë kandidatët ta bëjnë këtë sepse Shqipëria e vitit 2015 e meriton këtë. Pas 21 qershorit Tiranë do të ecë shumë më shpejt, me ritmin e Erion Veliajt, me ritmin e LRI-së. Jam e bindur se Shqipëria me shembullin e Tiranës do të ecë shumë më shpejt. Mos harroni provimet, angazhimi në fushatë nuk mund të jetë justifikim për të lënë mësimet. Përpara me Erion Veliaj, me LSI-në, me Aleancën për Shqipërinë Europiane”, përfundoi Meta.

Vetë kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj tha se në 18 muaj janë bërë më shumë se në 18 vjet dhe kjo është forca e bashkimit PS-LSI.

“Jam shumë krenar që jam pjesë e një qeverie ku PS dhe LSI kanë bërë për 18 muaj ato që nuk janë bërë në 18 vjet dhe kjo është forca e bashkimit tonë. Mezi pres që në bashkinë e Tiranës të punoj me vajzat dhe djem të LSI-së, që të sigurohemi që Tirana shkon në drejtimin e duhur. Ka 4 vjet që Tirana nuk shkon në drejtimin e duhur. Ashtu siç po bëjmë Shqipërinë me Edi Ramën dhe Ilir Metën, ashtu do të bëjmë edhe Tiranën. Ka disa njerëz, siç është një gjyshi 72 vjeç që rri gjithë ditën në facebook dhe shan rininë. Për ne rinia nuk është e ardhmja, është e sotmja është tani. Kjo është koha jonë. Ju ftoj të gjithëve të merrni në dorë fatin e Tiranës, mezi pres të kemi një fushatë energjike dhe pozitive, faleminderit shumë, me fitore”, tha Veliaj.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb