TIRANË- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani pranoi sot letrat kredenciale të z. Brian J.Williams si Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

Përpara kësaj detyre në Shqipëri, zoti Williams ka shërbyer si Shef i Financimit për Konsolidimin e Paqes pranë Zyrës Mbështetëse të Kombeve të Bashkuara për Konsolidimin e Paqes, në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.  Nën drejtimin e tij, Fondi për Konsolidimin e Paqes ka financuar mbi 300 milionë dollarë, në mbi 25 vende pas konflikteve, duke u fokusuar në ato që ishin pjesë e axhendës së Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Konsolidimin e Paqes.

Përpara se të punonte në Zyrën Mbështetëse për Konsolidimin e Paqes, Williams ka qenë i fokusuar në fushën e shëndetit publik, në veçanti në krizën botërore të HIV-it. Në periudhën 2004-2008, ai ka shërbyer si Koordinator i UNAIDS në Mianmar.

Në periudhën 2001-2004, ai ka punuar në selinë qendrore të UNAIDS në Gjenevë, në divizionin e mbështetjes së shteteve.

Që prej vitit 1990, Williams ka qenë i përfshirë në sferat e ndihmës humanitare, të qeverisjes, shtetit të së drejtës dhe rimëkëmbjen pas konflikteve në Pakistan, Afganistan, Kamboxhia, Republikën Demokratike të Kongos, Burundi dhe Ruanda.

Ai ka shërbyer si konsulent për shumë Agjenci të Kombeve të Bashkuara dhe për shumë organizata zhvillimi, përfshirë edhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe CARE International.

Williams mban një diplomë Master për Çështjet Publike nga shkolla “Woodrow Wilson” pranë Universitetit Princeton, dhe një diplomë Bachelor për inxhinieri nga Universiteti i Harvardit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: