Deputeti i opozitës Korab Lita, në fjalën e mbajtur në parlament, deklaroi se 8 dhjetorin këtë herë e ka përjetuar në mënyrë të tmerrshme, pasi u vra një i ri në derë të shtëpisë.

Lita theksoi se Shqipëria ka sot në krye të vendit komunistët, ndërsa shtoi se vendi ynë vijon të lëngojë nga varfëria.

“8 dhjetorin pas 30 viteve e përjetova me një vrasje në derë të shtëpisë. Komunistët janë akoma në pushtet

Unë 8 dhjetorin e kam pritur të jetë një ditë e Europës. 8 dhjetorin pas 30 viteve e përjetova me një vrasje në derë të shtëpisë. Komunistët janë akoma në pushtet.

 

Vrasja në derë të shtëpisë dëshmon se ku jemi me të dhënat për demokracinë. Shqipëria është varfëruar, jemi në gjendje të mjerueshme. Jemi refuzuar nga BE 7 herë. Unë dua që Shqipëria të ndryshojë më 25 prill. Të përndjekurit duhet të luftojnë për demokracinë në vend”, tha Lita.

Fjala e plotë:

Te nderuar kolege.

Rasti, qëlloi që në vitin e 30 të demokracisë shqiptare, të jem deputet në Parlamentin e Shqipërisë.

Si deputet i të djathtës kisha një refleksion për të ndarë me kolegët dhe elektoratin e djathtë shqiptar dhe në përgjithësi me publikun shqiptar mbi këtë ditë.

Nga erdhëm, ku jemi dhe ku duam të shkojmë?

Une mendoj se kete pyetje, cdo Shqiptar qe e do Shqiperine ne Europe duhet tja beje vetes.

Ndersa te detyruar te reagojne ndaj kesaj pyetje dhe ndaj gjendjes ne te cilen ndodhet sot vendi, perfshire edhe mua, jane pinjollet dhe perfaqesuesit e familjeve te medhaja te vendit.

Ashtu si familja ime, jane dhjetera familje te djathta te cilat jane guri i themelit i historise se shtetformimit Shqiptar, nga Lidhja Shqiptare e Prizerenit, Shpallja e Pamvaresise, Kongresi i Lushnjes, Parlamenti i Pare Shqiptar, Lufta Clirimtare e deri tek instalimi i regjimit Komunist te cilin e paguan me jeten e tyre.

Dhe sot në çfarë gjendje jemi?
Shoh që qarku demokratik i Shqipërisë është mbyllur dhe demokracia shqiptare është kapur keq për fyti përsëri nga ish-komunistët, apo pinjollet e tyre.

Komunistet sot drejtojne Parlamentin, Komunistet sot drejtojne Qeverine, Komunistet sot drejtojne Presidencen, Sherbimin Sekret, Policine dhe shume pozicione kyce te vendit, madje ata drejtojne edhe Akademine e Shkencave.

Sigurisht që realiteti është me kompleks, dhe shkaqet janë me komplekse sesa kaq, por fakti është fakt.

Le të analizojmë gjendjen e demokracisë shqiptare sot, 30 vjet pas përmbysjes së komunizmit, 30 vjet pasi studentët i dhanë shkelmin e fundit një diktature të zgërlaqur, e cila duke qëndruar në forcat e veta e kishte lënë këtë popull më të uriturin dhe më të mjerin në Evropë.

Tashme , jemi në nje situatë ku ish-komunistët shqiptare, Partia Socialiste e Enver Hoxhës ka të gjithë pushtetin qendror, pushtetin lokal, kanë shumicën dërrmuese të parlamentit dhe po kapin dalëngadalë të gjithë sistemin e drejtësisë, kanë pushtetin ekonomik, pushtetin mediatik duke i zënë frymën demokracisë shqiptare dhe duke e zhbërë ëndrrën e studentëve.

Shoh që jemi në një gjendje të mjeruar, jemi refuzuar nga Evropa për të shtatën herë me këtë qeveri, e cila ka indikatorë të tjerë, ka tregues të tjerë për demokratizimin, dhe në një farë mënyre çfarëdo që ne bëjmë, bashkë me propagandën nuk shkojnë dhe nuk kalojnë në Evropë, nuk kalojnë në Bundestag, nuk kalojnë në Komisionin Evropian, nuk kalojnë në Këshillin Evropian.

Tregues tjetër i rëndësishëm është varfërimi.
Tipar i ish- komunistëve është varfërimi dhe gjendja ekonomike.
Të gjitha vendet kanë pasur tërmete, fatkeqësi natyrore apo pandemi, por mjerimi dhe rënia ekonomike shqiptare është strukturore, është pasojë e politikave etatiste, është pasojë e politikave të cilat nga njëra anë mbështeten mbi goditjen e tregut dhe nga ana tjetër mbi vjedhjen e parasë publike dhe shpërndarjen e saj në mënyrë jo konkurruese jo sipas parimeve të tregut të lirë.

Këto tre aspekte, dhe e fundit jo më pak e rëndësishmja është që në zhvillim e sipër kemi një kurs marramendës së pushtimit dhe kapjes të institucioneve të drejtësisë dhe de-funksionalizimin të reformës së drejtësisë e konceptuar dhe e kryer nga aleatët tanë po zhvlerësohet sot me manovrat e pafundme të ish-komunistëve për të kapur çdo post, pozicion, çdo institucion të sistemit të ri të drejtësisë.
Këto katër aspekte të gjendjes më bëjnë pesimist dhe më bëjnë të ndihem keq që jam deputet i vitit të tridhjetë të demokracisë shqiptare.
Por, aty ku ka një të keqe pafund aty ka pikërisht dhe një shpresë.

Sot është mundësia që elektorati i djathtë dhe ai opozitar pa asnjë dallim të kthehet dhe të rifunksionalizojë demokracinë shqiptare.

Sot është dita që në këto 5 muaj që mbeten, të gjithë duke lënë mënjanë çdo lloj dallimi dhe nuance politike të bashkohemi rreth opozitës kryesore për të bërë ndryshimin e kësaj gjendje, përmbysjen e ish-komunistëve në pushtet që 30-vjetori i gjen paradoksalisht më të shtrirë në pushtet, më të strukturuar, më të pasur, më të ngulitur, me metastaza më të mëdha në trupin e demokracisë shqiptare.

Sot është momenti që ti japim demokracisë shqiptare një rilancim, t’i japim mbas 25 Prillit një ri-ekuilibrim shoqërisë shqiptare duke ndërruar në radhë të parë ekzekutivin dhe rregullat e lojës në këtë vend, duke bërë një Shqipëri më demokratike, më të ekuilibruar, një treg më konkurrues, një goditje drastike korrupsionit dhe krimit dhe një shkëputje të krimit me politikën dhe pushtetin aktual.

Si deputet i opozitës parlamentare këto dy vjet dua të them pozicionimin tim për të ardhmen.

Unë dua absolutisht që Shqipëria të ndryshojë në 25 Prill,unë dua absolutisht që forcat e djathta të bashkuara të kthehen në pushtet për të ndërprerë agoninë dhe këtë rrezikim esencial dhe sistematik të demokracisë.

Une dua qe perfaqesuesit e familjeve te medha te vendit, te disidenteve, te persekutuarve Politike,te cilet tashme jane shkolluar ne universitetet me te mira te vendit dhe jashte, te rikthehen me protaginizmin e tyre, te behen aktive ne te djathten shqiptare dhe te mos presin qe dikush tju shtroje tapetin e kuq.

Ashtu si dikur gjysherit e tyre i dolen zot vendit, sot eshte detyra e tyre qe ti dalin zot demokracise shqiptare te cilen ish komunistet po e çmontojne dita dites.

Unë dua që forcat e shëndosha demokratike në Shqipëri dhe ato shoqërore t’i japin përsëri jetë demokracisë së cofur shqiptare, dhe të krijojnë kushtet që optimizmi, shpresa dhe ardhmja evropiane t’i kthehen vendit.

Që zhvillimi, bollëku, pasurimi të jetë fati i vetëm i shqiptarëve, për ti shpëtuar njëherë e mirë një sistemi që në Shqipëri veç neokomunistët dinë të na e përgatisin, si : Dhunë, falcitet institucional, varfëri, represion dhe krim.

Për të gjitha këto personalisht do të bëj lëvizjet e mia duke quajtur misionin tim dhe të opozitës parlamentare të pa përmbushur, por jo të pa realizueshëm, në funksion të arsyeve përse ne pranuam të përfaqësonim elektoratin e djathtë në këtë parlament kur opozita zyrtare braktisi mandatet dhe përfaqësinë.

Në ditët e ardhshme do të bëj të ditura lëvizjet e mia por ky mision i papërmbushur nuk do të thotë që nuk ka shanse të rilançohet.

Ne kemi përgjegjësi për të rilancuar një lëvizje politike në funksion të interesit publik dhe interesit të së djathtës shqiptare.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb