KORCE – Policia e Korçës ka vënë në pranga një 43-vjeçar dhe nipin e tij 20-vjeçar, pasi akuzohen për prerje të paligjshme të pyjeve. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë të ditur se xhaxha e nip, Jani dhe Kristo Ibrahimaj, janë arrestuar në flagrancë duke transportuar lëndë drusore, me 4 kafshë, pa dokumentacionin përkatës.

“Në kuadër të planit të veprimit Task – Forcë “Roja i gjelbër”, për parandalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve, specialistët e Seksionit për Krimet, arrestuan në flagrancë shtetasit: Jani Ibrahimaj, 43 vjeç , Kristo Ibrahimaj, 20 vjeç, (nipi i tij), banues në fshatin Pirg. Arrestimi i tyre u bë pasi u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke transportuar lëndë drusore, me 4 kafshë, për të cilën nuk zotëronin dokumentacionin përkatës.”- thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Prerja e paligjshme e pyjeve” parashikuar nga neni 205 i Kodit Penal.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: