KORCE – Rrjetet sociale dhe aparatet celularë të teknologjisë së fundit, që regjistrojnë gjithçka me zë e me figurë, janë shndërruar në mjetet kryesore të qytetarëve për denoncimin e veprimeve të paligjshme të forcave të rendit. Pas publikimit në “BalkanWeb” të videos ku katër policë dhunonin një qytetar në Kavajë, në “Youtube” është shfaqur një tjetër rast i ngjashëm, ku tre policë në Korçë rrahin një të ri, i cili ishte përfshirë në një aksident. Mësohet se qytetari që goditet nga policia është shtetasi Tom Misha, ndërsa efektivët që kanë ushtruar dhunë janë Robert Memelli dhe Koço Miço. Videoja është regjistruar me celular nga një kalimtar, i cili e ka përhapur atë në internet.
Mësohet se i riu është përplasur me zv/drejtorin e Policisë së Korçës, Arben Hyseni, pasi i ka gërvishtur atij makinën. Pas aksidentit, zv/drejtori Hyseni ka lejuar që qytetari të dhunohej nga efektivët përpara syve të tij. Sipas gazetarit të “News24” në Korçë, ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 14:00, 50 m larg nga qendra e qytetit të Korçës. Dëshmitarët deklaruan se i riu i ka kërkuar falje zv/drejtorit Hyseni për gërvishtjen e makinës dhe i ka kërkuar të largohej. Por zëvendës/drejtori nuk ka pranuar dhe ka njoftuar vartësit, të cilët e kanë goditur të riun me shpulla në fytyrë. Videoja e publikuar në internet nuk është e plotë, pasi sipas dëshmitarëve ka pasur edhe momente të tjera dhune.
Mësohet se kreu i Policisë Artan Didi ka pezulluar menjëherë nga detyra zv/drejtorin Hyseni dhe dy efektivët që shfaqen në video. Policia e Shtetit bëri të ditur se i riu ishte në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes, ndërsa punonjësit e policisë u përpoqën ta shoqëronin atë në komisariat.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb