Koreja e Jugut njoftoi se ka miratuar vaksinën Oxford-AstraZeneca kundër koronavirusit të ri (COVID-19) për të gjithë qytetarët e rritur.

Agjencia e lajmeve “Yonhap” njofton se Ministria e Sigurisë së Ushqimit dhe Barnave ka miratuar dy doza të plota të kompanisë AstraZeneca me kusht që kompania të sigurojë të dhëna të mëtejshme mbi fazat e treta të provave klinike për të rriturit mbi 18-vjeç.

Ndërkaq, Ministria këshilloi qytetarët mbi moshën 65-vjeç për mos marrjen e vaksinës pasi nuk ka të dhëna të mjaftueshme.

Koreja e Jugut e cila për herë të parë ka miratuar vaksinën kundër COVID-19, planifikon që më 26 shkurt të fillojë procesin e vaksinimit.

Agjencia e Koresë së Jugut për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KDCA), tha se rreth 776.900 njerëz, përfshirë punëtorë me rrezik të lartë si punonjësit e kujdesit shëndetësor do të marrin dozat e tyre të para të vaksinës AstraZeneca.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb