Koreja e Veriut ka bllokuar qasjen në Instagram brenda kufijve të saj, pasi gazetarët dhe të huajt e përdornin këtë rrjet social për të dokumentuar jetën në shtetin më të izoluar të botës. Siç Associated Press raporton, përdoruesit që kanë hapur Instagram-in në rrjetin Koryolink 3G kanë parë këtë mesazh: “Kujdes! Ju nuk mund të lidheni me këtë uebsajt sepse është në listën e zezë të sajteve.”.

Gazeta Associated Press raporton se aplikacioni për shpërndarjen e fotove mund të përdorej në disa pajisje mobile, pavarësisht paralajmërimit, por nuk mund të postoheshin foto ose të shikoheshin profilet e përdoruesve tek pajisjet e tjera të lidhura me rrjetin 3G, citon krokodili. Mesazhi paralajmërues është shfaqur edhe kur përdoruesit kanë hyrë në llogaritë e tyre në Instagram nëpërmjet kompjuterëve desktop të lidhura me internet nëpërmjet kabullit LAN.

Nuk dihet akoma se përse ky aplikacion ka kaluar në listën e zezë të uebsajteve. Koryolink, operatori i vetëm i rrjetit 3G në Kore, deklaroi se nuk është njoftuar për ndonjë ndryshim tek politikat, dhe qeveria nuk ka dhënë akoma ndonjë deklaratë në lidhje me këtë çështje. Ka spekulime se bllokimi i Instagram-it mund të lidhet me zjarrin që shpërtheu këtë muaj tek një hotel në Pyongyang. Incidenti nuk u raportua nga mediat koreane, por u shpërndanë shumë foto në rrjetin social Instagram.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: