Ditën e sotme, Koreja e Veriut ka lëshuar tetë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi (SRBM) në ujërat në brigjet e saj lindore. Kështu deklaroi shefi i përbashkët i shtabit të Koresë së Jugut, një veprim që Japonia e ka quajtur “të paprecedentë”.

Raketat u lëshuan nga pika të shumta në Korenë e Veriut, në ujërat në lindje të gadishullit Korean midis orës 9:08 dhe 9:43 të mëngjesit me kohën lokale në Seul. Këto raketa shënojnë lëshimin e 17-të nga Koreja e Veriut këtë vit. E fundit, më 25 maj, erdhi pikërisht kur presidenti amerikan Joe Biden kishte përfunduar udhëtimin e tij në Azi dhe po kthehej në Shtetet e Bashkuara.

Shefat e Përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut thanë se tetë raketat përshkuan distanca midis 110 dhe 670 kilometra (68 deri në 416 milje) në lartësi prej 25 deri në 90 kilometra (15 deri në 55 milje) dhe shpejtësi nga 3 Mach në 6 Mach. Ato u nisën nga katër vende në Korenë e Veriut: zona Sunan në kryeqytetin Pyongyang, Kaechon në provincën e Pyongan-it Jugor, Tongchang-ri në provincën e Pyongan-it të Veriut dhe Hamhung në provincën e Hamgyong-ut Jugor.

“Lançimi i vazhdueshëm i raketave balistike nga Koreja e Veriut është një provokim serioz që dëmton paqen dhe stabilitetin jo vetëm të gadishullit Korean, por edhe të komunitetit ndërkombëtar”, thanë Shefat e Shtabit të Përbashkët, duke dënuar dhe duke i kërkuar veriut që të “ndalojë menjëherë” veprime të tilla.

Kryeministri japonez Fumio Kishida “protestoi fuqishëm” lëshimet e shumta të raketave të Koresë së Veriut, duke u thënë gazetarëve se ato janë një shkelje e qartë e rezolutave të OKB-së. Ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi e quajti lëshimin “të paprecedentë” dhe konfirmoi se të paktën gjashtë ose më shumë raketa, të lëshuara nga Koreja e Veriut vlerësohet të kenë rënë jashtë Zonës Ekskluzive Ekonomike të Japonisë (EEZ), shkruan CNN.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb