Me 80 veta në skenë, premiera e “Koriolanusit” të Shekspirit në Teatrin Kombëtar, përçon pothuajse në pamje reale, efektin e turmave, manipulimin e tyre dhe luftën e përjetshme mes patricëve e plebenjve, në secilën Romë, që mund të bëhet shkrumb e hi për interesa, mëri dhe frikëra personale.

“Është një vepër që në kontekstin politik shqiptar rezonon shumë fort. Puna për të ka nisur para dy vitesh. Unë doja të vija në skenë Jul Çezarin, një vepër ku ka problematikat e Korilanusit por që lidhen me vrasjen e babait politik si një nevojë për të ecur para në politikë. Paralel nisi një projekt tjetër i Jul Çezarit dhe mora Korialanisuin.”, tha Antin Basha. Shekspiri në këtë vepër ngre disa pikëpyetje mbi natyrën e demokracisë, a janë turmat në gjendje të marrin vendime të pjekura.
Ndërsa turma kërkon grurë dhe krijon e vret heronj, ndikuar thellësisht nga folësit e podiumeve, pikëpyetjet e Shekspirit dhe Bashës, kanë të bëjnë me vetëdijen e turmës dhe aftësinë për të gjykuar, përtej manipulimit dhe orientimeve. Vepra e shkuar 400 vite më parë, mund të asociohet me zhvillimet në PD.

“Padyshim këto pyetje janë përtej të tjerave, populizmi kundër një individi elitar, e kohët e fundit lëvizjet kanë ardhur shumë shprehje, edhe ne Shqipëri ka lëvizje populiste edhe vrasje të babait politike, ndaj turma mu bë më e rëndësishme se pyetjet e tjera të Shekspirit”, -thote Basha.

Me aktorë të njohur në rolet kryesore e me studentë që formësojnë turmën si personazh kryesor, Koriolanusi, e fiton dhe e humb Romën në një skenografi minimaliste prej kolonadash, që përcjellin vertikalitetin e ftohtësinë e pushtetit, pa humbur damarët e kuq të gjakut, krimit e përplasjes.
“A jam pishman që nuk kam vënë Jul Çezarin, aspak. Sepse Koriolani është në momentin e duhur, në kohën e duhur, me elementët e duhur artistik e teatror e flet shumë drejtpërdrejtë realitetit shqiptar me zhvillimet e fundit, sidomos periudha postzgjedhore dhe zhvillimet e fundit që po ndodhin”, tha ai.
Përgjigja e pyetjes se pse drejtori i teatrit eksperimental e vë shfaqjen e tij, në Teatrin kombëtar, ka një përgjigje të thjeshtë: projekt i hershëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb