Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit kanë shprehur hapur shqetësimin se pandemia po rrezikon dhe shkencën, artin dhe kulturën.

Sipas tre institucioneve, për shkak se njerëzit janë të përqëndruar tek qëllimet parimore, si ajo e mbijetesës nga COVID-19 po lihen mbrapa dhe po harrohen shkenca, arti dhe kultura apo trashëgimitë, tradita etj.

Akademitë e Shkencave kërkojnë që të ndalohet erozioni intelektual që mund të shkaktojë kjo situatë me pasoja aftgjata duke ju kthyer vlerave shqiptare themelore identitare, traditës më të mirë edhe në këtë situatë të vështirë krize, pandemia dhe izolimi.

 

Deklaratë e përbashkët
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e
Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri paraqiten
me një qëndrim të përbashkët për vëmendjen ndaj shkencës, kulturës dhe
arteve në kushtet e distancimit social për shkak të pandemisë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e
Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Shqipëri janë duke ndjekur
me vëmendje situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19 në gjithë botën.
Shoqëria e sotme, e kërcënuar nga një rrezik që kurrë nuk është njohur më parë,
po e kupton më mirë se sa të rëndësishme janë për fatet e saj, sot dhe në të
ardhmen, shkenca, kultura, artet dhe ndërkomunikimi.
Meritojnë mirënjohjen dhe mbështetjen tonë në mënyrë të veçantë të gjithë ata
njerëz të dijes që gjenden në vijën e parë të rrezikut, ballë për ballë me pandeminë,
duke luftuar ditë për ditë me të keqen: mjekët dhe infermierët, të cilët po bëjnë
gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzore. Shkenca dhe bota intelektuale po
qëndrojnë me dinjitet përballë fatkeqësisë botërore, duke kërkuar rrugë e zgjidhje
për t’u kthyer sa më parë në normalitet.
Jemi të detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël: të pranojmë distancimin
shoqëror për të zvogëluar dhe mbajtur nën kontroll përhapjen e pandemisë, me
qëllimin parësor mbrojtjen e jetës, megjithëse e dimë mirë se kjo ka rrezikuar
dhe do të rrezikojë përkohësisht ndërkomunikimin në shkencë, kulturë dhe art.
Shqipëria dhe Kosova, si gjithë të tjerët në botë, janë vënë përballë një rendi
dhe forme të re komunikimi intelektual, ku të rrezikuara nuk janë vetëm jetët e
2
njerëzve apo ekonomitë, por edhe shkenca, kultura dhe arti me gjithë përbërëset
e tyre. Në një mënyrë gati të padukshme dhe larg vëmendjes së opinionit, çdo
vlerë shkencore e kulturore po relativizohet, po humb peshën e vet, po humb
funksionin shoqëror dhe emancipues, duke u shtyrë gjithnjë e më shumë në
periferi të zhvillimeve shoqërore; po bëhet e pavërejtur dhe e panevojshme,
duke u kthyer në veprimtari sekondare.
Për shkak të rrethanave, për shkak të prioriteteve, për shkak të ngutjes sonë për t’iu
vënë përballë një të keqeje jetësore, për shkak të përparësive ekzistenciale, po
humbet sensi kulturor i krijimit të vlerave në shkencë dhe kulturë, vetë organizimi
institucional i veprimtarive shkencore, kulturore dhe artistike; po humbim shprehitë
tona më fisnike për të konsumuar vlera shpirtërore, për t’i dhënë hapësirë krijimit dhe
krijimtarisë, për të sofistikuar marrëdhëniet tona, për të ndërtuar dhe mbajtur urat e
komunikimit, për të vlerësuar krijuesit dhe arritjet e tyre.
Duke e ditur dhe duke e parandier se pasojat e kësaj pandemie do të jenë
afatgjata; se nuk do të mbërrijmë aq lehtë t’i sundojmë shprehitë negative të
krijuara në rrethanat e luftës për mbijetesë; duke e ditur se rrethanat e krizës
ekonomike dhe shoqërore që do të vijnë më pas do të lëndojnë rëndë
ndërmarrësinë kulturore, synojmë të tërheqim vëmendjen e opinionit kulturor që
të qëndrojë i përbashkuar dhe të angazhohet për të mos lejuar një erozion të
pritshëm intelektual, i cili do të nxirrte jashtë rrjedhave normale koherencën tonë
kulturore, trashëgiminë dhe identitetin, duke zbehur qëndrueshmërinë tonë
përballë integrimeve në rrjedhat europiane, përmes vlerave të konsoliduara dhe
prioriteteve tona kombëtare. Qëndrimi ynë është që, ashtu siç nuk duhen pritur
fatkeqësitë dhe traumat e mëdha natyrore për të kuptuar rëndësinë e shkencës,
kulturës dhe ndërkomunikimit, ashtu nuk duhet lejuar që në një të ardhme të
afërme ato të gjenden sërish të rrezikuara nga harrimi.
Shkenca, arti dhe kultura jonë kombëtare tashmë kanë krijuar një fond veprash
me vlerë identitare, të cilat duhen ruajtur dhe kultivuar, duke kërkuar rrugë të
përshtatshme që ato të gjejnë përdoruesin e fisëm brenda gjithë hapësirë
shqiptare, duke komunikuar intensivisht mes veti, duke intensifikuar
bashkëpunimin dhe duke kultivuar një përbashkësi shpirtërore më të
qëndrueshme. Ne gjithashtu tërheqim vëmendjen se bashkëpunimi e komunikimi
ndërkulturor e ndërshkencor nuk duhet të pësojnë siç kanë pësuar gjithnjë në
rrethana krizash, por duhet të intensifikohen, me idenë se një njësi monolite
intelektuale është më e qëndrueshme dhe më e përgatitur për sfidat e ardhshme,
duke përfshirë edhe përballjen me ndryshimet globale, të cilat janë të pritshme
në rrethanat e krijuara.
3
Ne nuk do të reshtim së kërkuari emancipim kulturor të vazhdueshëm, hapësirë për
vlerat e reja në të gjitha fushat e krijimtarisë shkencore dhe artistike, bashkëpunim
institucional në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, bashkëpunim dhe njohje me
kulturat e tjera, vlerësim të merituar të arritjeve fondamentale kulturore dhe
shkencore dhe përsosje më të madhe të përbërësve themelorë të identitetit tonë,
siç është gjuha, historia dhe trashëgimia. Ne kërkojmë që, edhe në këtë rrethanë,
kur na duhet frymëzim për këtë betejë të pashembullt dhe na duhet ta gjejmë forcën
e fitores, t’u kthehemi vlerave tona themelore identitare, traditës tonë më të mirë
dhe idealizmit tonë kulturor dhe kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb