Kompania Karex Bhd në Malajzi prodhon një nga pesë prezervativë në botë. Prej dhjetë ditësh, fabrikat e kompanisë nuk kanë prodhuar asnjë prezervativ të vetëm si pasojë e kufizimeve të vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen e virusit.

Tani janë 100 milionë më pak prezervativë në treg që normalisht tregtohen përmes markave si Durex, shpërndahen nga institucionet shëndetësore publike apo programeve jo-qeveritare si UN Population Fund.

“Do të dëshmojmë mungesa prezervativësh kudo dhe do të jetë e frikshme,” tha për Reuters CEO i Karex, Goh Miah Kiat. “Shqetësohem për programet humanitare në Afrikë, pasi nuk bëhet fjalë për mungesë dy javore apo një mujore. Do të mungojnë për goxha gjatë.”

Malajzia është shteti më i prekur në Azinë Juglindore, me 2161 të infektuar dhe 26 të vdekur. Qeveria ka urdhëruar kufizimin e lëvizjes dhe mbylljen e bizneseve deri më 14 prill.

Goh tha se Karex do t’i kërkojë qeverisë të përjashtohet nga rregullat dhe të vijojë punën nën kushte specifike. Malajzia ka lejuar kompani të tjera të prodhojnë të mira thelbësore me gjysmën e forcës punëtore.

“E mira është se kërkesa për prezervativë mbetet e lartë. Na pëlqen ose jo, prezervativët janë thelbësorë,” tha Goh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb